Blerja e stokut të banesave për të pastrehët e tërmetit është e domosdoshme
Adashi im, “anglishtfolësi” i financave deklaroi gjithë pompë përpara publikut Vendimin zyrtar të Qeverisë se për të pastrehët e tërmetit që po vuajnë dimrin përjashta dimrin dhe kanë humbur gjithçka nuk do të blihen. Të gjithë e dimë se në qytetet kryesore me dëmtimet të banesave janë Tirana e Durrësi ku për fat ka një stok të konsiderueshëm banesash të pashitura, i cili me mjaft gjasë do të shtohet për shkak të emigrimit në rritje dhe ndërtimeve që priten të kryhen në këto vite.
Unë mendoj se të parat që do të përdoreshin për strehim duhet të ishin banesat e pashitura që janë me shumicë, duke lehtësuar dhimbjen dhe vuajtjen e familjeve në ketë dimër e kur rreziku i epidemisë është tejet i mundshëm. Një zgjidhje e tillë për aq sa do jetë e mundur do të jetë dhe një mundësi kursimi sidomos kur planifikojmë të krijojmë Lagje e blloqe të reja, të cilat veç kostos së banesave kërkojnë dhe rrugë, rrjete të reja të ujësjellësit e kanalizimeve si dhe për furnizim me energji elektrike. Nuk ka asnjë arsye që duhet të qytetet ti zmadhojmë për zbukurime, ndërkohë që këto fonde mund ti përdorim për shkolla, spitale e rrugë.
Propozimi i jonë është si më poshtë:
Për të pastrehët e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës...por dhe për të tjerë që mund të dëshirojnë, të blihen apartamente në zonat e mëposhtme:
Në Tiranë te Astiri, Zona e Yzberishit si dhe në lagje të tjera me çmime të përafërta
Në Durrës në plazhin e Gjirit të Durrësit (nga Ura e Dajlanit deri Qerret) si dhe në Durrës të blihen banesa për të dëmtuarit e Durrësit, Kënetës dhe Kavajës.
Për këtë qëllim të bisedohet me Firmat apo dhe pronarët çmimi pa tatime, taksa e tarifat që eventualisht ja kërkon Legjislacioni aktual. Ky çmim të krahasohet me vlerën e plotë që i takon një apartamenti të njëjtë që do të ndërtohet ne blloqet e reja... d.m.th. ja vlen të blihet. Në këtë rast Firma apo pronari likuidohet me njëherë dhe shtëpia i jepet familjes që i takon. Pronari i ri detyrohet për Çmimin e blerjes minus vlerën e ndihmës shtetërore (pjesë e ndihmës se huaj) në rastin konkret. Ajo që eventualisht mbetet i ngarkohet pronarit të ri me kredi minimale ose të shlyhet me qiranë, e cila në asnjë rast nuk duhet të kalojë 10.000 lekë në vit.
Sigurisht mund të ketë dhe mënyrë tjetër për realizimin e këtij Propozimi, organi përkatës le ta shqyrtojë.
Add new comment