M-mediat e Tiranës

Postuar në 23 Shkurt, 2020 21:56
Shaptilografisti

Koronavirusi/ Zëri i Amerikës: Shqipëria shton masat përballë koronavirusit në portet detare e ajrore

Sapo lexon këtë fjali “gazetareske”, informative të lind menjëherë pyetja: nga cila kokë ka dalë një titull i tillë? 

Sepse teksa vërsulesh që me këtë garanci amerikane në sy që na thotë se Shqipëria i kopsiti punët me koronavirusin, të lexosh të reja, vë re me zhgënjim se Zëri i Amerikës në fakt është zëri i Silva Binos në konferencë për shtyp. 

Këtë mballomë që duket se vaksinon frikën e pasdites në Tiranë e ka vënë gazeta “Panorama” online. D.m.th një konferencë për shtyp e zyrtarëve të shtetit shqiptar, që e gjen edhe në Facebook të IShP, panoramllarët preferojnë ta japin nën klikimo-kredencialet e Zërit të Amerikës. 

Nëse lexon në Google, “Panorama” e prezanton vetem si gazeta më e madhe në Shqipëri. E pavarur? Muhabet është ky? As që diskutohet. D.m.th vendin e më të madhes e ka zënë kjo gazetë, më profesionalja është “shqiptarja.com”, më e lexuara “Gazeta Tema”. Të tjerët kanë zgjedhur “M(ë)” të tjera për të prezantuar veten. Nuk ka më asnjë “M” të lirë. 

Megjithatë një pjesë e këtyre M-mediave ecin në përditmërinë e tyre me kuturunë e idhujtarit që ecën qorrazi pas apostujve që i zgjedhin vetë. 

Zëri i Amerikës, BIRN dhe revista “Monitor” janë magjistricat e  M-mediave. Ose një pjese të tyre. 

D.m.th edhe pse këto m-media janë në krye të listës për cilësi, ato për ekonominë referojnë me copy paste revistën “Monitor”, për “investigime” dhe reportazhe “BIRN-in” dhe për lajmin politik, atë që do të dalë diku ama, ZA. 

Mirëpo këtu çështja është se kjo qasje tradhëton abstinencë të vullnetshme të mendimit, kritikës, por edhe qoftë një dyshimi elementar që duhet të pyesë: mediat në fjalë që kanë një vijë editoriale, thjesht raportojnë, apo kanë edhe një axhendë? Flasim axhendë të ligjshme profesionale kuptohet? 

Nëse po, atëherë si vallë një formë e përpunimit dhe interesave të caktuara paketohet si standardi i vetëm i gazetarisë së raportimit? 

Nuk është pyetje olimpiade, por edhe sikur të mos e bëjmë këtë pyetje, këto m-media me m-gazetarët e tyre e dinë shumë mirë se tre etiketat e sipërcituara operojnë në vend me gazetarë që kanë punuar në media të tjera, që jetojnë këtu dhe dinë po aq sa dinë të gjithë. Nga buron kjo magjepsje? 

Tjetër punë të referosh një media për një lajm, apo për një opinion dhe tjetër mesele ta kopjosh atë qorrazi. Kjo thjesht i shërben qyl targave serioze të gazetarisë që me siguri në vend të konkurencës ecin të qeta mbi komplekset e atyre që merr e hidh sa të mundet me tituj absurdë se kështu ecën faqja. 

Është një situatë që duket se funksionon mbi bazë të një refleksi ku operatorët mediatikë që vetëquhen gazetarë nuk duan dhe nuk dinë të bëjnë ndonjë dallim. Për këtë arsye na duhet t’i falenderojmë të gjitha shoqatat e gazetarëve, unionet dhe organizatat, këshillat dhe institutet që kanë dështuar në përmirësimin e gjendjes së gazetarisë shqipe e cila zgjedh të shpallet vulëhumbur. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.