Ça fati të kemi!
Pas tërmetit na duhet të mësohemi me frikën e coronavirusit. Mirëpo nëse tërmetin nuk e parashikon kush veç mediave, coronavirusi ka gjithësesi një protokoll trajtimi të miratuar. Të paktën për kufizimin. Çfarë po ndodh? Ajo që ndodh përherë: lesh arapi(që duhet të jetë i cilësisë së parë). Qeveria thotë se kemi marrë të gjitha masat. Se kemi shtretër, kemi pajisje e i kemi të gjitha. Ndërkohë Kina që hyn te shtetet më të zhvilluara deklaroi në një fazë të caktuar mungesën edhe të ilaçeve të caktuara. Dhe po flasim për vetëm 63 mijë të infektuar në një popullsi që kalon 1.2 miliardë. Pra Kina nuk i ka të gjitha, Shqipëria i ka.
U raportua se në pikat e kalimit kufitar po bëhen kontrolle. Mediat konstatuan të kundërtën. Hyrje-daljet nuk verifikohen. Në konferenca për shtyp dalin të njëjtët zyrtarë dhe shprehen institucione si ISHP që fshehin edhe raportet publike të përpiluara prej vetë tyre.
Si të besojmë?
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shkruan në Facebook se pajisjet për këtë sëmundje mungojnë sepse këtë nuk e parashikon koncesioni përkatës. Madje sipas tij në pikat e kalimit kufitar nuk ka as termoskaner. Top-Channel raportonte sot se termometrimi i pasagjerëve po kryhet shumë mirë. Nga ana tjetër, Agjencia Telegrafike Shqiptare, që urdhërohet nga qeveria, sqaronte sot se sipas specialistëve të huaj termometrimi nuk funksionon dhe nuk është zgjidhje. Pra meqë muhabeti i pikave kufitare që janë harmaqello doli sheshit, argumentojmë se termoskanerat nuk vlejnë. Kjo mund të thuhej që në fillim në kuadër të masave të marra, pasi përndryshe krijohet konfuzion.
Dje shefi i repartit të Kardiologjisë në QSUT ngrinte alarmin. Më vonë shefja e Infektivit ia hidhte poshtë shqetësimin duke deklaruar se situata do përballohet. Pra këtu kemi sërish dy palë që nuk bien dakord as për atë që është shkencore dhe që denoncojnë mangësitë e sistemit të cilin sipas radhës e mburrin kur janë vetë në krye të tij.
Kë të besojmë? Çfarë të bëjmë? Hiç asgjë dhe askënd. Mos ardhtë e keqja edhe këtu se dihet: Ça fati të kemi! Kështu ka qenë e kështu do jetë në këtë vend. Sa për qeverinë ajo e ka një kartë: paratë e donatorëve për tërmetin i devijon pak për masat kundër koronavirusit. Fundja kush do ta ngrejë zërin tani që gjithë bota është nën ethet e frikës së një pandemie!?
Add new comment