Raporti i eurodeputetit Picula: Të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Eurodeputeti Tonino Picula paraqiti sot një projekt raport mbi rekomandimet e Parlamentit Evropian në Këshillin e BE-së, Komisionin Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE sot.
Rekomandimet kanë për qëllim të miratohen përpara Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në 6 dhe 7 maj, me synimin për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe duke i dhënë një impuls të ri procesit të zgjerimit.
"Këtë mëngjes prezantova projekt-raportin tim në Komitetin e Punëve të Jashtme të PE përpara Samitit të ardhshëm të Zagrebit. Unë përsëris mbështetjen e fortë të Parlamentit Evropian për zgjerimin e BE-së dhe nevojën për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tashmë në mars", njoftoi Picula në llogarinë e tij në Tuiter.
Sipas raportit të Picula-s, perspektiva e anëtarësimit në BE është një nxitje themelore për reformat në Ballkanin Perëndimor. Ai u rekomandon institucioneve të BE-së që menjëherë të hapin negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të lejojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Picula bëri thirrje për të siguruar që metodologjia e zgjeruar të sigurojë anëtarësimin e plotë në BE si qëllimin përfundimtar dhe që BE të përcaktojë rregulla dhe kritere të qarta dhe të parashikueshme dhe t'i zbatojë ato me qëndrueshmëri, duke rivendosur kështu besueshmërinë e saj.
Add new comment