Mazniku është kristal. Prokuroria pushon hetimet për natën 900 euro të Barcelonës
Reporter.al raporton sot se prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes Mazniku-Fusha në hotelin 900 euro/nata.
Procedimi penal u regjistrua pas publikimit në media të faturës që tregonte se biznesmeni Fusha kishte paguar 1816 euro për dy netë qëndrimi të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku në hotelin me 5 yje “Alma” në Barcelonë në qershor 2018.
Prokuroria e Tiranës regjistoi fillimisht akuzat e “korrupsionit aktiv të nëpunësve të huaj publikë”, “shpërdorimi i detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, por i rrëzoi ato brenda tre muajsh.
“Për çështjen penale me nr.7207…lidhur me pagesën e faturave nga administratori i kompanisë Fusha sh.p.k., Z. Shkëlqim Fusha për akomodimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Z. Arbjan Mazniku dhe të zyrtarëve të tjerë të Bashkisë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë më datë 17.12.2019 ka kërkuar në gjykatë pushimin e çështjes penale,” tha një zëdhënës i Prokurorisë së Tiranës.
Prokurori i çështjes, Alket Mersini nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi arsyet që e shtynë të kërkonte mbylljen e procedimit penal. Kërkesa e Prokurorisë nuk është shqyrtuar ende nga gjyqtari paraprak
raporton BIRN.
Kjo kërkesë i shtohet aksidenteve të shumta me organet e drejtësisë që nis me nxjerrjen nga burgu të njerëzve me precedentë krimianalë, e deri te pushimi i çështjeve të tilla si kjo e Maznikut. E mbajmë mend sesi prokuroria kërkoi pushimin e çështjes për Denar Bibën pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Me siguri që fajtorë në këtë vend ka, por ata nuk janë gjetur akoma. Duhen parë letra, akuza mund të jetë e dobët, vepër penale mbase nuk ka. Dhe Mazniku është penalisht i çliruar. Por ai ka fjetur në hotelin me 900 euro/nata. Si mundet të jetë i besueshëm ky zyrtar i Bashkisë dhe të vazhdojë të pretendojë se përfaqëson kënd aty veç ca interesave private? Nuk po përmendim këtu faktin se kryetari i tij u akuzua për falsifikim firme dhe ja tek është, pa lagur.
Add new comment