Lypja dinjitoze dhe leksionet e Paleologut të fundit nga Tirana

Postuar në 17 Shkurt, 2020 17:33

Sot zhvillohet në Bruksel Konferenca e Donatorëve për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Vetë organizimi i saj duhet konsideruar një sukses për qeverinë shqiptare dhe vendin që merr kështu sinjal serioz solidariteti. Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama ka përmendur ndër të tjera edhe situatën emocionale që sipas tij u krijua kur BE-ja i tha jo Shqipërisë në muajin tetor.

Për vendin tonë tërmeti politik në tetor u ndje si mallkimi i shoqërisë që na godiste edhe një herë.

Zgjerimi është një nga çështjet që keni në diskutim në familjen e BE, është i vështirë dhe jo gjithmonë nuk janë kohët më të lehta për të jetuar në union, por për ne që kemi bërë kaq shumë për t’u bërë pjesë, mohimi i kësaj lëvizje ishte goditje e madhe, u goditëm sikur na ishte marrë fryma.

Ndjemë dhimbjen, poshtërimin, ju lutem vlerësoni thellësinë e këtyre ndjenjave. Bëmë gjithçka mundëm dhe na u kërkua, e përsëri përgjigjja ishte jo.

Dy goditje të forta, dhe ende qëndrojmë për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Jam i inkurajuar nga metodologjia e re, e propozimit të Francës për diskutim, dhe gjithashtu edhe reagimin e komisionit për të bërë më të mirën në Bruksel dhe në vend.

Në fund të 2019, ndërkohë që viti solli dy ditë të këqija për vendin tim, le të shënojë 2020 një vit rindërtimi, solidaritet e shprese. Besoj fort se interesi është i ndërsjellë ashtu si e ardhmja e BE dhe e Ballkanit Perëndimor

tha ndër të tjera Edi Rama.

Ky pasazh nxit një pyetje që lidhet me përfaqësimin: në emër të kujt flet z. Rama në këtë rast? Formalisht ai mund të jetë aty përfaqësuesi i Shqipërisë, por nuk do të thotë se ato që artikulon ai janë përfaqësuese.

Për cilin poshtërim e ka fjalën z. Rama, duke qenë se Jo-ja e Europës vërtet mund të ketë ardhur nga arsye të brendshme, por nga ana tjetër ajo ka objektivitetin e vet. JO-ja e mundshme e majit sërish mund të jetë e dhimbshme dhe ndoshta dëmtuese, por pakkush do të pranonte seriozisht se Shqipëria është gati për të qenë pjesë e BE-së, apo të hapë negociatat e anëtarësimit me BE-në referuar standardeve të përcaktuara.

Zoti Rama patjetër që mund të jetë poshtëruar para shqiptarëve pas disa jo-ve rresht, por në të vërtetë shqiptarët i poshtëron kudo qeveria dhe politika e tyre. Parlamenti i kriminelëve, përdhunuesve dhe vrasësve të certifikuar. I poshtëron patjetër hajdutëria proverbiale e politikës, e pushtetit lokal të kontrolluar në pjesë të madhe nga njerëz në kërkim, i poshtëron jeta në qytete që gdhihen e ngrysen nën ligjësitë e karteleve dhe bandave, që edhe vendosin se kush është kryebashkiaku apo deputeti i radhës. I poshtëron edhe pedagogjia politike e Taulant Ballës, Erion Veliajt, Blerina Gjylametit, apo Elisa Spiropalit. I poshtëron patjetër edhe reformatori Damian Gjiknuri.

Kë poshtëroi seriali i përgjimeve të publikuara në “Bild”? Cila politikë serioze do të mbështeste atë lloj operacioni elektoral?

Sot z. Rama po aktron në Bruksel si babai i dhembshur i një kombi të plandosur nga një fatkeqësi. Ai po luan rolin e Paleologut të fundit nga Tirana. Do të ishte me të vërtetë groteske që ata që sot janë dënuar të dëgjojnë fjalimet stereotipe të këtij njeriu të besojnë se kanë përballë dikë që ka zemrën të plagosur nga lëkundjet e 26 nëntorit. Duhet patjetër të falenderojmë gjithkënd për ndihmën që jep, por ajo është ndihmë për shqiptarët, për shmangien e ndonjë krize të re dhe jo meritë e negociatorit të shkëlqyer të Tiranës. Që nuk heziton të tentojë që lypjen ta inskenojë si profesion dinjitoz dhe fisnik.

Jo-ja e Tetorit ishte procesverbali për një qeveri që dështoi. Asgjë më shumë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.