Kioskat dhe motelet nuk krahasohen me kullat dhe prishjet në Tiranë
Po sulmojnë Bashkinë! Ja fjalia thuajse e preferurar e kryebashkiakut Erion Veliaj. Sot ai ka shpërndarë një status në Facebook përmes të cilit njofton me gëzim prishjen e një moteli në hapësirën e kalasë së Tiranës përmes të cilit rikujton punët e mira të Bashkisë:
Fillon lirimi i pjesës së dytë te Kalaja e Tiranës - largohen motelet me orë e çibanët mbi mure, për ta dyfishuar hapësirën e transformuar nga rigjenerimi urban.
Kush sulmon Bashkinë e Tiranës për ndërhyrjet, çudi që nuk flet kurrë për motelet e zaptuesit aty
Zoti Veliaj ka mesa duket një hall me mediat. Për të cilat siç është raportuar ka angazhuar një staf prej dhjetëra vetësh, e të cilët nuk i shohim kurrë askund. Bashkia nuk ka një fytyrë përveç asaj të Erjon Veliajt, askush nuk debaton, flet, apo diskuton për qytetin nga ai institucion veç z. Veliaj, që zgjedh vetë se ku shkon, ku flet dhe për cilin gazetar.
Nuk është ky raporti më i mirë që një kryebashkiak mund të vendosë me qytetin dhe median. Por kjo është çështje e strategjisë së komunikimit që ose lehtëson punën, ose helmon marrëdhëniet.
Problemi me këtë qasje të z. Veliaj qëndron te hipokrizia e trashë që shihet ashiqare në mënyrën sesi Bashkia vepron. Propagandohet çdo lloj pune dhe mirë bëhet në fakt, por nuk hapet asnjë diskutim publik për ndërtimin. Në fund të fundit në Tiranë ka dy vizione, sado të paorganizuara si ide, për mënyrën sesi qyteti duhet të zhvillohet: do të ndërtohet ende, me kulla dhe element arkitektonikë në qendër që prezantojnë shekullin e ri dhe një model urbanistike të caktuar, apo qendra historike e Tiranës do të ruhet.
Zoti Veliaj ka kapur veten në kurth kur shkeli premtimin e bërë se nuk do të lejonte asnjë ndërtim. Sot në Tiranë po ndërtohet dhe thuajse pa fre. Jepen leje, me projekte të paracaktuara dhe preferenciale për të cilat z. Veliaj merr rolin e zëdhënësit duke folur për të drejtën e zhvillimit të pronës.
Në një debat të madh si ai për Teatrin, z. Veliaj nuk diti të sillej si kryetar Bashkie, por preferoi të merrte rolin e rrufjanit që përçan protestuesit dhe i provokon ata. Një përmbarues i një pune të nisur nga dikush tjetër. Nuk pamë asnjë ekip nga Bashkia që të dinte të argumentonte idenë e vet për prishjen e teatrit ekzsitues. Vetëm stigma e zakonshme e haurit të italianëve që duhet t’i lërë vendin xhevahirëve të urbanistikës moderne. Ka një përmasë të madhe karagjozllëku ky raport, sepse ne e dimë se sjellja e tanishme buron nga pushteti, pasi në opozitë të njëjtët njerëz janë sjellë ndryshe.
Sot z. Veliaj po mburret se po prish një motel, që mundet edhe të mos ketë patur letrat në rregull. Por ai nuk heq dorë nga morali dylekësh kur e quan “motel me orë”, a thua e ardhmja e Tiranës ecën mbi kriterin e vrasjes së mëkateve dhe zonave ku konsumohen veset.
Një qytet pa “purgatorin” e vet nuk mund të quhet i tillë edhe pse një gjë të tillë nuk ja kërkon dot Bashkisë. Por kërkesa e vazhdueshme, mania për ta projektuar ndryshimin si sterilizim problemesh, duke moralizuar edhe mbi higjenën, urbanistikën, gjelbërimin, sportin, arsimin, leximin apo edhe ushqimin e pedalimin nuk përputhen me raportin që pushteti ka me qytetarin në këtë lloj sistemi. Askush nuk po kërkon që z. Veliaj të mendojë për ne, sepse nuk jemi kaq naivë. Por të ndjekë politika apo zbatojë politika ku qytetari më së paku dëgjohet.
Moteli i prishur sot do të prishej dikur me patjetër dhe kjo përkohshmëri e brendashkruar në nismat private të këtij tranzicioni që nuk vjen më, na dëshmon se qytetari vetë nuk ka bërë ndonjë zarar të pariparueshëm. Kioskat u hoqën dhe askush nuk e kujton karnevalin urbanistik të tyre, fasadat u ribënë dhe askush nuk i mori seriozisht. Pikërisht sepse përkohshmëria e tyre organike është siguri se mbi territorin nuk është bërë dëm themelor.
Por çfarë t’i bëjmë kullave, prishjeve të objekteve, tjetërsimit të hapësirave? Për këto është pushteti, janë njerëz si z. Veliaj që po vendosin. Pa na pyetur fare, duke na cilësuar madje pakicë e zhurmshme. Mesa duket kjo zhurmë e shqetëson edhe këtë pushtet të shumicës së heshtur që me heshtjen e vet riprodhon këtë krizë degradimi që po shitet si zhvillim.
Add new comment