Pajtimi i brendshëm - i domosdoshëm në rrugën evropiane për Shqipërinë

Postuar në 12 Shkurt, 2020 16:04
Augustin Palokaj

 

Javën e shkuar isha në Tiranë me ftesë të Zyrës së presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, së bashku me kolegë nga portali “Politico”, gazeta gjermane “Die Welt” dhe ajo italiane “La Republika”. 

Ishte vizita e parë që presidenti i Parlamentit Evropian ia bënte Shqipërisë në këtë cilësi. Por jo kurrsesi e para e tij. Ai në kohën kur ishte gazetar, në fillim të viteve nëntëdhjetë, ishte një prej gazetarëve të parë të huaj që e kishte vizituar Shqipërinë. Kishte qenë edhe më pas dhe e njihte shumë mirë këtë vend. Kishte një qëndrim tejet miqësor për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe në Bruksel vetëm pas disa muajsh është bërë një mbështetës pasionues i procesit të zgjerimit të BE-së dhe i Shqipërisë. 

Dhe nuk është lehtë që në Bruksel apo në BE të gjesh miq të vërtetë dhe të sinqertë të Shqipërisë. Për këtë shtet ka mjaft paragjykime dhe stereotipa, sikur edhe për Shqiptarët në përgjithësi. Nuk është e drejtë që të ketë profilizim etnik të krimeve dhe të këqijave, por nuk duhet injoruar fakti se për Shqiptarët ka shumë paragjykime. Këto i vëren sidomos kur je në ndonjë takim ku jo të gjithë e dinë se je shqiptar. 

E vërteta është shumë më e rëndësishme sesa perceptimi, por në politikë nuk injorohet as perceptimi. Reformat në Shqipëri, rindërtimi i saj që fascinon ata të cilët nuk e kanë vizituar disa vjet, restorantet dhe hotelet moderne të Tiranës, pamja e këtij qyteti që të huajve u duket më pak lindor sesa cilido kryeqytet tjetër i rajonit, depërtojnë më pak në opinionin perëndimor sesa lajmet se me koordinimin e disa policive të vendeve të BE-së është kapur një grup i krimit të organizuar shqiptar. Ka edhe të tillë në Shqipëri, por edhe të huaj, që, duke dashur ta mbrojnë Shqipërinë, dëshirojnë që këtë imazh ta ndajnë edhe me Kosovën. 

U thonë atyre që pyesin se “nuk janë të gjithë kriminelët, apo azilkërkuesit e rrejshëm, apo trafikantët nga Shqipëria, por ka shumë nga Kosova, dhe e tëra i ngarkohet Shqipërisë”. Nuk duhet pranuar profilizimin etnik të krimit e as ulur kokën, sepse kriminelët janë, para së gjithash, kriminelë. Por edhe Kosova e edhe Shqipëria duhet të punojnë edhe në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve. Asnjë shkrim në media, asnjë agjenci lobimi në Perëndim, nuk mund ta bëjë këtë më mirë sesa lufta e këtyre dukurive negative në vend dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar me organet e shteteve të BE-së. 

E pikërisht këtë thuhet se është duke e bërë kohëve të fundit Shqipëria më shumë se më parë. Prandaj edhe janë krijuar pritje që të gjitha planet, të gjitha reformat, të gjitha aksionet të nisin të japin rezultate konkrete. 

Këto porosi nga Tirana i mori presidenti i Parlamentit Evropian, Sassolli. Bashkëpunëtorët e tij ndiheshin sikur të ishin në Itali gjatë vizitës. Në asnjë takim nuk kishte nevojë për përkthyes, sepse të gjithë dinin italisht. Fjalimin e tij në Kuvendin e Shqipërisë shumica e deputetëve e dëgjonin pa kufje në vesh. 

Dhe mori duartrokitje të mëdha pasi mbaroi fjalimi, ku shprehu mbështetje të madhe për Shqipërinë, por i ftoi shqiptarët, po ashtu, të bashkohen në mënyrë që ta shfrytëzojnë tash një rast që do t’i jepet Shqipërisë për të pasur një vendim pozitiv për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Po të pyetej Sassolli, po të pyetej Italia, sikur edhe shumica e madhe e shteteve të BE-së, Shqipëria do t’i kishte nisur qëmoti negociatat. Por ka shtete skeptike, të cilat, sa për shkak se duan më shumë dëshmi nga Shqipëria se reformat dhe lufta kundër krimit janë në rrugë të pakthyeshme, sa për shkak të problemeve të brendshme, janë skeptike dhe penguan në së paku tri raste vendimin. 

Ajo që të gjithë miqtë e Shqipërisë e thonë është se ky shtet e meriton të nisë negociatat, e gjatë tyre të ndryshojë dhe të bëhet gati edhe të anëtarësohet. Por e thonë se ky shtet ka humbur tepër shumë energji në luftërat e brendshme politike. Edhe kjo u pa gjatë vizitës së Sassollit në Tiranë. Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka deputetë legalë, shihet qartë se në institucione nuk ka opozitë të mirëfilltë. 

Së paku gjatë kësaj vizite opozita nuk qe aq destruktive sa të kërkojë që të mos nisen negociatat me Shqipërinë. Sepse ka raste kur edhe këtë e bëjnë, pa marrë parasysh se kush është në momentin e caktuar në pushtet e kush në opozitë. E që nga rënia e komunizmit e kanë dëshmuar këtë të dy krahët, edhe të majtët e edhe të djathtët. 

Armiqësitë e brendshme politike në Shqipëri, të cilat nuk janë tejkaluar që nga rënia e komunizmit, ua bëjnë shumë të vështirë punën edhe miqve të saj jo të shumtë në Evropë. Thënia “na ndihmoni që të mund t’ju ndihmojmë” vlen për Shqipërinë më shumë se për cilindo vend tjetër. Sepse Shqipëria është lënë anash nga BE-ja më shumë se cilido vend tjetër në rajon, si për nga vëmendja, ashtu edhe për nga mbështetja dhe simpatia. 

Për problemet e të gjitha vendeve të rajonit disi kanë mirëkuptim, ndërsa për problemet në Shqipëri nuk dinë kë ta fajësojnë tjetër pos vetë shqiptarët. Një konsensus për Evropën në Shqipëri është i domosdoshëm. Në Bosnjë-Hercegovinë ka pasur luftë dhe krime të tmerrshme. Ky shtet nuk funksionon, sepse bashkësia ndërkombëtare krijoi një konstelacion ndëretnik dhe kushtetues, i cili edhe nuk mund të funksionojë. 

Kosova ka qenë nën okupimin e Serbisë, e çliruar nga bombardimet e NATO-s dhe e udhëhequr nga një administratë ndërkombëtare, ndërsa edhe vetë pavarësia e saj është nën mbikëqyrje. Mali i Zi ka probleme me opozitën pro-ruse dhe pro-serbe, që e vë në dyshim ekzistimin e shtetit. Maqedonia ka pasur probleme serioze rreth emrit, ndërsa edhe raportet ndëretnike në vend kanë qenë sfidë e madhe. Ndaj Serbisë kanë një ndjenjë përgjegjësie, sepse e kanë bombarduar për shkak të politikës së saj kriminale në Kosovë. 

Por nuk e kuptojnë se pse në Shqipëri gjërat nuk kanë ecur si duhet. Të arsyetosh këtë me diktaturën e egër të komunizmit 30 vjet pas rënies së këtij regjimi nuk merret më seriozisht askund. 

Shqipëria tash ka gjasa të marrë një vendim sadopak pozitiv për nisjen e negociatave. Pas këtij vendimi do të kalojë një kohë deri tek nisja dhe shumë kohë deri tek anëtarësimi. Por vendit i duhet më në fund një lajm i mirë. 

Pas miratimit të metodologjisë së re të zgjerimit, Franca dhe Holanda pritet të heqin kundërshtimin. Gjermania mbështet një vendim me kusht për Shqipërinë, dhe ky mund të jetë në fund opsioni i kompromisit në BE. Qëndrimi i Gjermanisë nuk është shumë pozitiv. Por kundërshtimi i ashpër i Francës dhe i Holandës e bëri qëndrimin e Gjermanisë, të shprehur edhe në vendimin e Bundestagut, të duket i mirë për Shqipërinë. 

Nuk duhet harruar se Bundestagu vendosi kushtet që duhen përmbushur para se të nisin negociata. Por një vendim pozitiv do të ishte i mirë për Shqipërinë, dhe nga ai nuk do të përfitonte vetëm Edi Rama dhe partia e tij në pushtet, por i gjithë vendi. Procesi i anëtarësimit në BE është aq i gjatë, saqë gjatë tij vijnë e shkojnë shumë Qeveri. 

Në fund, frytet i gëzon i tërë populli. Prandaj ka ardhur koha që opozita dhe Qeveria, duke vazhduar betejën politike në vend, të bëhen bashkë sa i përket rrugëtimit drejt BE-së. Sepse, siç tha gjatë qëndrimit në Tiranë presidenti i Parlamentit Evropian, dhe siç i thanë të gjithë shqiptarët që ai takoi atje, Shqipëria nuk ka plan B, nuk ka ndonjë opsion tjetër pos rrugëtimit drejt BE-së. E deshi apo jo BE-ja Shqipërinë, shqiptarët e duan BE-në dhe atë më shumë se cilido popull tjetër në rajon. 

Mbështetja për BE-në në Shqipëri është mbi 90 për qind. Por mosbesimi ndaj strukturave politike në vend është me përmasa dramatike, saqë bashkëbiseduesit në rrugë e përmendin si arsyen kryesore pse shumë prej tyre të ardhmen e shohin vetëm jashtë. Një bashkëbisedues në rrugët e Tiranës për kolegët gazetarë të huaj pati një porosi shumë interesante pse duhet BE-ja ta pranojë Shqipërinë. “Vendi ynë po zbrazet. Gjysma e shqiptarëve tashmë janë në BE. Prandaj nisni negociatat që të hyn edhe kjo gjysma që ende ka mbetur këtu”. Dhe kjo porosi u la shumë përshtypje sidomos gazetarëve dhe u befasuan se në asnjë takim asnjë politikan nuk e përmendi largimin e njerëzve si problem serioz. 

Nëse në BE duan Shqipërisë t’i vendosin pengesa në rrugëtimin drejt anëtarësimit, për shkak të frikës nga emigrimi masiv, atëherë do të arrijnë efektin e kundërt. Sepse sa më shumë ta shohin qytetarët se shteti po ngecë edhe në rrugën evropiane, aq më lehtë do të vendosin të largohen, dhe aq më pak do të besojnë se do të presin një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Burimi: Koha Ditore

Comments

Submitted by Erzen (not verified) on

Pajtimi?
Prapë?
Po ndëshkimi??

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.