Liri kemi, por ky popull nuk u edukua kurrë*
Në zemër t’Europës, si kyç i Adriatikut, Shqipnija shtet ndërballkanas, fatalisht dihet se gjindet shum mbrapa nga shtetet e tjerë perendimorë. E pra, duhej t’ishte shtet model Shqipnija e jonë, mbasi nuk i mungojnë influencat natyrore e mundësit ekonomike për riformimin e vendit, si lëvizja intelektuale sidomos e 30 vjetve të fundit për m’e mëkambë livelin e jetës e të kulturës dhe me përftue kështu Shqipni të vërtetë e të mirë me Shqiptarë të denjë e të lirë.
Gjinden asish qi thonë se Shqipnija asht nji Zvicër e dytë! Të tjerë kan guximin të shprehen se Shqipnija – Abisinija! Njena dhe as tjetra, por nji mediokritet. Dhe mediokriteti asht i rrezikshëm. Nuk asht nevoja të na sugjerojnë të tjerët se kemi mbetë mbrapa. E pohojmë edhe na vetë kët të vërtetë t’idhët, por nuk dijmë a por hezitojmë t’a shërojmë kët plagë. Thuhet: Përgjegjsija e kësaj fatkeqësije i përplaset politikës së jashtëme dhe, faji bije kështu ndër anmiqt shekullorë Turq e Sllavë, Latinë e Neolatinë. Në kët mënyrë kujtojmë se justifikohemi dhe, numrojmë prap në vend.
Por fajin e kemi na vetë. Përgjegjës për vendin, asht jo katundari e malësori por kryesisht qytetari: qytetari borgez sikurse tregtari, industriali e profesionisti i pandërgjegjshëm qi manovrojnë kapitale në kurriz të popullit e në dam të shtetit. Përgjegjës gjithashtu asht funksionari i naltë qi nuk don me punue me ndërgjegje e vullnet por, me spekulue e me bashkëveprue me të parët.
Kjo asht e vërteta e idhët në kët fortunë mbrapështish. Lirì kërkuem e lirì do kemi por, ndërgjegje personale e kolektive nuk patme kurr. Nuk u edukue ky popull. Nuk muer kurr frymë si duhet pse e dreshti beun e aganë dhe e dreshti auktoritetin jo leal por feudal të shtetit. E prandej mbetme mbrapa. Porsi nji rrebesh i madh fortune qi me tym e pluhun, e shi e breshën merr me vedi rrëmbyeshem gjithçka gjen përpara në fushë të hapët tue lanë të paprekun llomin e skutuliqave, ashtu kohët e rrymat politike të kalueme por të paharrueshme, vuene përpara shum figura e ia ndruen vendit t’onë tue heqë e zavendësue personalitete të mbdhej: ministra e deputeta, këshilltarë e komisera të naltë, generala e komandanta, profesora e akademista politikaj por, …kushedi, në bazë të së drejtës së trashigimis e të parimeve spekulative, mbetën po-aty pasardhësit e po-atyne zotnive të shquem! Dhe kështu vazhdoi me triumfue politika e egoistave, e dallkaukve, e dallaverexhive e të tillve qi e ndreqen vedin dhe nuk deshten m’ e përdorë kapitalin e tyne landuer e menduer për të miren e përbashkët.
Në çdo kohë dhe në çdo rasë, veprimet inkoshiente të nëpunsave e të funksionarëve të naltë të shtetit dhe, në kohë turbullimi e luftash, krimet e tregtarve dhe t’industrialve shpirt-ultë, nuk e lanë me marrë frymë kët popull dhe nuk dhanë mundësi me ba as edhe nji hap përparimi të vërtetë.
Për me formue bindje rreth gjendjes s’onë të statu quo-s, rreth apathisë, indiferentizmit e pasivitetit për të gjitha punët e detyrat e qytetarve përgjegjësa, na vjen me pyetë: Cili qe deri tash ay minister qi së pakut vuni vetëm nji gur në themelin ktij tempulli qi po ndërtohet me gjakun e djersen e popullit? Ku janë veprat dokumentare e monumentare të këtyne prijsave e dirigjuesave të masave, përveç pallateve e çifliqeve private nëpër Tiranë, Romë e gjetkë? Janë këto pyetje të thjeshta e spontane qi sot përgjigjen e tyne e prêt me kërshëri gjithkushi. Dhe përgjegje nuk vjen, pse problem paska në vetvedi shum mistere!
Mistere e jo mistere, por Shqiptari ndërkaq asht zgjue dhe nuk han bar: Ay i ka kuptue mirë ngjarjet e jetës së mbrendshme dhe të jashtme dhe e ka kostatue bukur fort veprimtarinë e autoriteteve dhe të dikastereve nga të cilat mëvaret. Din populli dhe kupton gjithçka.
Din b. f. se Arsimi, qysh mbas vj. 1934 dhà shenjë dobësijet e shkatrrimit. Rrëshqiti mbrapa. Shënojmë për titull kronake se, kur ministri i asaj kohe i pat parashtrue parlamentit nji projekt-ligjë shkollore, përgjegja skandaloze e nji deputetit personalitet qe kjo:
“Shkëlqesë, ç’idoni gjith ato shkolla në vendin t’anë ; neve kemi nevojë për bujqër; ky milet është bile më tepër bari” !.
Le të mos harrohet pra edhe qorkoreja e atij ministrit të kohës s’Italjanëve qi i detyronte profesorat dhe u imponohej atyne me kry akte spiunazhi kundra xansave! Le të kujtohen edhe shum e shum të tjera të të tjerve. Populli përditë ankohet edhe për shkollat e mesme tregtare, normale e industrial qi u mbyllen pa ndonji arsye për mi lanë vend, ndoshta për opurtinitet politik e jo për nevojë, hapjes së shkollave gjysmë-zyrtare. Dhe ndërsa ndollshin këto ndër qytete, nëpër katunde ku fëmijt ishin të djegun për shkrim e këndim, jo vetëm qi nuk hapeshin shkolla të reja si mbas projektit të caktuem, por suprimoheshin e mbylleshin edhe disa prej atyne shum të domosdoshme e të nevojshme për ato vende. Këto e të tjera banë për arsim ministrat qi kaluen.
Po Ekonomija me industri e me tregti dhe me gjith komisariate të naltë, ç’fryt i dha ktij vendi? Pak o aspak! Le t’a gjykojë vetë populli, mbasi gjithkushi asht në dijeni të gjithshkafes. Na këtu shënojmë se inisiativa private për qëllime private, përfitoi nga rastet e ndryshme, por shteti si shtet nuk bani asgja të dukëshme në dobi të popullit, me gjith konditat e favorshme natyrorë. U banë shpesh tentative për reformen agrare; u formuluen projekte e ligja, por kurr ato, çuditërisht nuk u zbatuen. E sot, bujku i varfën si nga hera e punon token me parmenden e drujtë prrallore të katragjyshit shekullor! Nuk kemi kanalizime nga të cilat të përfitojshim qinda-mija hektarësh tokë e të shpëtojshim për çdo vjetë ndoshta jeten e qinda banorve e të mija bagtive nga innondatat e lumejve irruenta. Nuk kemi nji energji elektrike nga këto lumej megjthse pasunit hydro-elektrike të vendit t’anë janë jashtëzakonisht të mjafta për ne. Dhe nuk kemi shum të tjera. Kemi vetëm tregtarë qi, në fushen e tregtis spekulative kan tregue aktivitet kondrabandistik të mrekullueshem në misionin e tyne; por qi nuk i kan sjellë asedhe ma të vogëlen dobí popullit e vendit.
Tue vezhgue rezultatet e deritanishme, na epet me pyetë: Ç’bani deri tash Botoreja? Formuloi projekte e sistemoi plane apor goditi rruga e ndërtoi ura e pallate? Përgjegja asht natyrisht negative: Asgja.
Për ç’farë reforme kodifikimi u orvat Drejtësija? Ç’ligja të rejadekretoi përveç atyne të vjetrave ? Ku asht letërsija juridike e jona e ku janë revistat e duhuna të këtij lloji? Ku asht vepra e Drejtoris së Shëndetsis? Ku janë sanatoriumet o së pakut spitalet e kompletueme me mjete dhe vegla përkatëse? Ku asht lufta kundra turbekulozit, sifilizit e malarjes qi janë përhapë aqe shum në kët vend?
Ku asht rezultati i punës sëIstituteve të naltë për studime; ku asht harti e muzika e jonë; ku janëbibliothekat e muzeumet; ku asht kultura popullore? E në fund, ku qindroi deri tash lirija personale: jo e fjalës dhe e shtypit? Ndoshta ndër burgje, ndër internime, ndër persekutime ?
Po të bahet pra qoftë përciptas diagnoza e të gjitha këtyne veprimeve dhe po t’u përgjigjet pa-anësisht dhe pa-frigë pyetjeve të sipërme, problemi qi përpara ishte mister zgidhet vetvetiut dhe rezulton të dalin fajtorë të gjith ata intelektualë qi nuk ishin intelektualë por matrapaza në funksionin apor në misionin e detyrave qi u ishin besue. Dhe senkserë e matrapaza, asish qi harruen shpesh se ishin Shqiptarë, qi braktisen anën positive të mendësis e të karakterit të tyne, qi u lëshuen me i rrokë me pasion bastardhimet e imponueme nga të huejt bastardha, qenë ata zotnij të shquem pra edhe shkelqesa qi, bashkë me buono-t e famshme të mallnave shitën turpënisht edhe vendin, familjen dhe shtetin. E në propocion me numrin e intelektualëve dhe në relacion me funksionin e tyne, bashkë me tregtarët kapitalista rezulton gjithashtu të jenë përgjegjësa, të gjith ata qi tue pasë mundësin me dhanë kontributin e tyne të domosdoshëm umanitar për popullin kolektivitetet e për shtetin entitet, kan qenë jo vetëm indifirenta dhe pasivë, por shpesh edhe anmiq të vertëtë të vendit t’onë.
Dhe ja po t’i studiojmëpakëz këta tipa për karakter, nder e burrní të tyne si mbas temperamentit e zakonit Shqiptar, do të shofim se këto cillsi të dallueme ata i kan bjerrë krejtësisht për me i lëshue vendin pikpamjeve modern jo aqë të shëndosha e të qindrueshme se satë plogta oportuniste. Në vend të mësimeve të urta e të qytetnimit të vertetë, ata kan importue fundëri zakonesh të klasave të degenerueme, të cillat tue i fuzionue me ata t’onat, të mira e të këqija, kan shkaktue prishjen e races thjesht Shqiptare. Ata u jane shmangë shumë perceptive dhe parimeve të kanunit të Lekë Dukagjinit, të zakoneve të mira e të ndershme qi Mendimi i traditës të parët na lanë trashigim. Pra, kan kopjue negativitetin e popujve jashtëballkanas. Shkurt : janë bastardhue jo vetëm shpirtnisht por edhe fizikisht. Gjinden asish qi nuk i u ban aspak përshtypje me genye, me vjedhë m’e pre në besë mikun; asish njerz të naltë (sic) qi, po t’u shkojë tymi i tyne drejtë, thonë: “të rroposet bota për mue”! Janë të pandërgjegjshëm ata qi mendonjnë e veprojnë në kët mënyrë. Janë kriminela të tillë qi mundohen t’i a marrin frymën popullit dhe, t’a fusin shpejtazi në greminë Shtetin. Dihet se të gjith kemi të drejta, por edhe detyra. Detyrat përpara të drejtave. Jo me jetue hipokritisht, jo si parasita. Kontributi qi secilli do t’i a api këtij vendi, duhet të jetëi vetëdishëm. Vetëm kështu shërohen plagët t’ona.
Dhe barka, duhet me pasë jo vetëm motor të fortë, por edhe kapidan të zot e të sakrificës. Përndryshe, ajo do të mbytet me gjith njerëz qi ka mbrenda.
Shënim: Shkrimi në fjalë, publikuar së fundmi në revistën “Gegnia” nën titullin: “VETËDIJE APO KRIM?”, marrë prej saj nga revista “Fryma”, daton në vitin 1944. Siç mund të vihet re fare lehtë shkrimi e jep vet arsyen e publikimit. Është aktualiteti i tij jo thjesht në renditjen e kritikave, por sepse për ne sot zbulon një konstante të Shqipërisë që nuk ndryshon, që qëndron me këmbëngulje në atë që mund ta quajmë shtegu i paudhësisë për të ofruar të njëjtën shfaqje hajnie nga brezi në brez. Autori Muzafer Pipa ka qenë avokat, sportist dhe publicist.
*Titulli është i ResPublica
Add new comment