Një ambasador i BE-së, jo një ministër më shumë në qeverinë e z. Rama
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka dhënë një intervistë për revistën “Monitor” gjatë së cilës pyetet për një sërë çështjesh që prekin vendin. Teksa lexon përgjigjet e ambasadorit kupton se ke përballë gjuhën politike të një ministri të qeverisë Rama, ku flitet vetëm për arritje, eliminohen tonet negative, edhe kur ato i përkasin realitetit, mosrealizimet e qeverisë vendosen në kontekste probabiliste.
Për sa i përket rritjes, Shqipëria ka mbajtur një rritje shumë pozitive në tre tremujorët e parë të vitit 2019. Parashikimi i vjeshtës i Komisionit Evropian, i cili u botua në nëntor, para tërmetit, parashikoi një rritje të përgjithshme ekonomike prej rreth 3% të PBB-së gjatë vitit 2019. Rritja e parashikuar është ruajtur gjerësisht gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2019. Një fushë për të cilën unë mendoj se do të duhet kujdes i veçantë është sektori i turizmit, që është bërë një pjesë qendrore e ekonomisë shqiptare
thotë ndër të tjera z. Soreca.
Shqiptarët janë një popull i fortë dhe rezistent, plot dinamizëm dhe iniciativë. Sigurisht që tërmeti e prek popullsinë, por solidariteti i fortë dhe energjia e popullatës shqiptare po e ndihmon vendin të rimëkëmbet nga kjo fatkeqësi
vijon pak më poshtë ai.
Sipas tij viti 2020 është I rëndësishëm në planin e integrimit dhe Shqipëria duhet të mbajë ecurinë e derianishme si dhe të përfitojë nga aksesi në fondet e BE-së.
Situata paraqitet e mirë edhe në planin e zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit.
E kam përmendur disa herë muajt e fundit rëndësinë e “ndjekjes së parave” dhe pasurisë së bandave kriminale. Ekziston një nevojë e qartë për ta rritur nivelin e veprimit nga policia dhe zyra e prokurorisë në lidhje me hetimet financiare proaktive. Ka disa rezultate të para të prekshme në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale dhe ripërdorimit të tyre për qëllime sociale, falë edhe projektit “CAUSE” të financuar nga BE-ja. Tani është koha për të rritur numrin e vendimeve përfundimtare të konfiskimit të marra nga gjykatat
deklaron ambasadori.
Një vend normal në Europë, hyrja e të cilit në union është formalitet. A është e vërtetë kjo që thotë z. Soreca?
Mund të mirëkuptojmë dashamirësinë ndaj vendit tonë, por dashamirësia nuk mund të zëvendësojë gjykimin realist. Të paktën në pozitën e diplomatit dhe kur duhet fare mirë se fjalët e mira shkojnë në adresë të qeverisjes. Nuk kemi pse të presim kritika apo opozitarizëm nga diplomatët, por refuzimi i Shqipërisë në tetor nuk pati si arsye paragjykimet dhe çështjet e brendshme, por edhe problemet reale të vendit tonë.
Azilkërkimi, i ekzagjeruar ndoshta, krimi i organizuar, mosfunksionimi i drejtësisë dhe shtetit si të tillë, korrupsioni janë probleme reale të cilat i japing vlerën reale strukturës së sotme të pushtetit në Shqipëri. Mes qëndrimeve të BE-së dhe komenteve të ambasadorit ka një mospërputhje të madhe dhe do të ishte e udhës që Po-ja eventuale e BE-së të vihet në kontekstin real të sigurisë, sesa të vazhdohet të gënjehet se Shqipëria ka bërë detyrat.
Shqipëria është një shtet I korruptuar. Shqipëria është eksportuese e krimit sepse kjo është politika e saj, Shqipëria është e përmbytur në korrupsion dhe vjedhje, Shqipëria po zbrazet, Shqipëria nuk është gati dhe as ka hyrë ende në shekullin e 21-të. Shqipëria është një shtet disfunksional dhe I dështuar. Këto nuk janë konstatime, por përvoja e përditshme e shoqërisë shqiptare. Ndaj aty ku z. Soreca ndoshta mendon se po mban qëndrim dashamirës, në fakt po deformon realitetin e një vendi të tërë dhe kjo nuk është ndihmë.
Add new comment