Sanremo e femrave hap polemika ende pa filluar festivali
Në edicionin e tij të 70-të, festivali italian i këngës ua ka lënë të gjithë pushtetin grave. Janë plot 10 femrat (të gjitha shumë të bukura) që do të shoqërojnë në skenë Amadeus, prezantues i njohur në ekranin e vendit fqinj. Mes tyre është edhe prezantuesja shqiptare, Alketa Vejsiu. Por nëse në teatrin “Ariston” këtë vit do të dominojnë gratë, edhe debatet që hapen pritet që të kenë protagoniste të njëjtat. Madje një debat i tillë është hapur ende pa nisur festivali.
Shkak është bërë një deklaratë e Amadeus për Francesca Sofia Novello. Kjo e fundit është e dashura e kampionit të Moto GP, Valentino Rosi. A është e mjaftueshme kjo për t’u ngjitur në skenë si prezantuese (përpos faktit që është modele shumë e bukur)? Përzgjedhja e prezantuesve është bërë me qëllimin për të përfaqësuar të gjitha nuancat e universit femëror.
“Këtë vajzë shumë të bukur, që të gjithë e dinim se është e fejuara e të madhit Valentino Rossi, e zgjodha sepse pashë te ajo njëkohësisht bukurinë por edhe aftësitë për të qenë pranë një njeriu të madh, duke qëndruar një hap pas, pavarësisht moshës së re”, ka qenë komenti i Amadeus.
Por pikërisht “të qëndruarit një hap pas” nuk është pritur mirë, sidomos nga femrat. “Me “një hap mbrapa” i referohesha zgjedhjes së Françeskës për të qëndruar larg dritave të reflektorëve, që në mënyrë të paevitueshme janë mbi Valentino Rossi-n. Një vajzë tjetër në vend të saj mund ta shfrytëzonte këtë popullaritet, ndërsa ajo ka zgjedhur të jetë e tërhequr”, ka sqaruar më pas Amadeus.
Pas “hapit pas” që është detyruar të bëjë vetë Amadeus, në rrjet “lufta” është akoma më e ashpër. Megjithatë, nuk është vetëm çështje feminizmi. #boycottSanremo, një hashtag i shpërndarë fillimisht nga ekonomistja Imen Boulahrajane është përhapur menjëherë.
“Jashtë Chiara Ferragni e Rula Jebreal, në skenë të dashurat e Valentino Rossit dhe Cristiano Ronaldos. Kushedi sa vajza ëndërrimtare në cepa provincash mendojnë se një grua në vitin 2020 mund të bëhet sipërmarrëse pa kaluar në “ishullin e tundimit” apo të bëhet gazetare e suksesshme pa nxjerrë në plan të parë dekoltenë”, ka shkruar ajo në Instagram.
“Po nëse në vend të Amadeus do të ishte një vajzë, a do të thoshte ajo se i ka zgjedhur partnerët në skenë sepse “janë shumë të bukur?” Me shumë gjasa jo. Sidoqoftë, kur e prezantoi në krah Gabriel Garkon, Carlo Conti nuk tha asnjëherë se ishte zgjedhur sepse “është shumë i bukur””, shkruan sot “La Stampa”.
TvT
Add new comment