Diplomacia e madhe Erdogan-Rama, Bashkim Fino kandidaturë për negociimin e krizës libiane
Qeveria shqiptare ka gjetur një mundësi të mirë për të përmirësuar imazhin e ver duke u investuar në zgjidhjen e një krize ndërkombëtare. Në lojë pas kuintave qëndron sërish presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, por kryeministri Rama kësaj radhe ka menduar më hollë se herët e tjera. Ai do të përdorë si koperturë OSBE-në, drejtimin e së cilës e ka vetë.
Sipas burimeve qeveritare që kanë folur me redaksinë e “Të Kripura” zoti Rama është ofruar si ndërmjetës në zgjidhjen e krizës libiane duke përdorur në mënyrë evazive atributet e OSBE-së. Të njëjtat burime thonë se z. Rama është informuar nga pala turke se pas ndërhyrjes ushtarake dhe stabilizimit të situatës aty, do të propozohet modeli sirian. Pra një qeveri e pajtimit kombëtar që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve. Erdogan mund t’ia kërkojë këtë OKB-së, por organizata është e diskredituar tashmë me mbështetjen e një kandidati si Sarraj.
Zoti Rama është vetëofruar që këtë ngërç ta tentojë ta zgjidhë Shqipëria. Ai ka referuar pranë presidentit turk emrin e ish-kryeministrit shqiptar, Bashkim Fino, i cili mund të caktohet me konsensusin e një konference ndërkombëtare si i dërguar special për negociimin e krizës. Pjesën e Konferencës e merr përsipër Erdogan që ka me vete karta të forta si emigracioni. Nëse Turqia merr në kontroll pjesë të territorit libian, atëherë de facto Ankaraja kontrollon dy rrugët kryesore të penetrimit migrator drejt Europës: Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Për këtë arsye ai ka mundësi ta kushtëzojë Europën.
Kandidatura e Finos nga Shqipëria është mëse e pranueshme. Një kryeministër krize shumë e ngjashme me atë libiane, menaxher, pa profil të lartë politik, një anonim në skenën ndërkombëtare, por që ka cv e duhur nga një vend që nuk provokon askënd.
Për Shqipërinë ky është një bast interesant që do të rriste profilin e saj ndërkombëtar, duke vendosur Europën para një pozite aspak të këndshme që refuzon një vend që eksporton paqe dhe stabilitet.
Padyshim një lajm i mirë qoftë edhe si ide e z. Rama që duhet mbështetur për këtë nismë, qoftë edhe duke e parë si mundësi punësimi e një shqiptari.
Add new comment