Tërmeti në Shqipëri, tërmet në zemrat tona

Postuar në 17 Dhjetor, 2019 12:06
Sami Repishti

 

Sot, me të njajtën dhimbje e mall për atdhe, kujtojmë Nanën Shqipëri dhe katastrofën që e ka plagosë randë. Ngushëllimet tona për viktimat! Agjencitë e lajmeve shqiptare dhe ndërkombëtare njoftojnë se me datën 26 nandor 2019, në territorin e Shqipërisë u ndigjue nji lëkundje e fortë si rezultat i nji tërmeti në shkallë 6.4 Rihter, me epiqendër në qytetin-port të Durrësit dhe në veri të qytetit, zona e Thumanës, dhe qyteti Lezhë. Kjo fatkeqësi ngjau vetëm dy ditë para festimit të programuem për 107-Vjetorin e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. Tërmeti dhe tragjedia e randë njerëzore përmbysën këto programe dhe vëmendja e popullsisë dhe e qeverisë u përqëndrue në marrjen e masave urgjente për ndihmë viktimave të damtueme. Shqipëria ka nevojë të madhe për ndihmë!

Lajmet që erdhën nga Shqipëria treguen gjanësinë dhe intensitetin e tërmetit, që shkakton zakonisht viktima njerëzore dhe dame materiale, kryesisht në banesat e vjetra ose të ndërtueme pa plane dhe pa inspektim. Deri tashti, numri i viktimave të vdekun ka arrit shifrën 51 (pesëdhjetë e nji) dhe ma shumë se 950 të plagosun, disa prej tyne të plagosun randë. Në disa raste urgjente viktimat jenë transferue në spitale italiane, ku mjekësia e këtij vendi mik ka marrë përsipër detyrën humane të shërimit të tyne. Ndërsa për damet materiale vlerësohen të arrijnë në mijëra pallate dhe banesa private. Rreth 9.000 banorë kanë lëshue shtëpitë dhe kërkojnë strehim kudo që gjindet, pranë individëve ose nga qeveria. Deri tashti, ata janë strehue në çadra (tenda) të përkohshme, por me keqësimin e motit vjeshtak gjendja e tyne bahet e padurueshme dhe ka marrë karakter urgjence.

Shtypi amerikan dhe sidomos gazeta prestigjioze “The New York Times” ka shkrue tri ditë me radhë për tërmetin dhe damet e tij. Nji rast i rrallë! Televizioni amerikan ka tregue skena të frikshme të rrënimeve të pësueme.

NJi element inkurajues në këtë atmosferë dëshpërimi të justikfikuem asht fakti se nji rrymë solidariteti të përgjithshëm ka lindë dhe asht zhvillue në këto ditë zie kombëtare. Brenda dhe jashtë Shqipërisë, nji popull i tanë asht prekë thellë nga përpjesëtimet e tërmetit dhe ka fillue fushatën e ndihmës. “Shqiptaret nga Tirana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës kontribuuan në fondet e solidaritetit. Me dhembje të papërshkruar për jetët e humbura, për shkatërrimin apokaliptik në disa zona, kërkoi që të bashkohemi në këtë udhëtim të dhimbshëm…”, deklaronte KM Rama në konferencën e investitorëve në Turqi. Nji element tjetër ky inkurajues – fryma e solidaritetit nga bota e jashtme, ndihma nga vende, shoqni e grupe që kanë bashkënda dhimbjen me fatin e viktimave. Këto kohët e fundit, edhe Banka Botënore premtoi nji ndihmë financiare serioze për rindërtimin e zonave të damtueme.

Asht nji fenomen i mirëpritun gjesti i fqinjëve tanë italianë, grekë dhe serbë, që ofruen ndihmën e tyne që në ditën e parë të katastrofës. Nji qëndrim i këtillë mendohet se do të jetë nji ogur i mirë për të ardhmen e vendeve tona dhe të marrëdhanieve ma miqësore në këtë zonë të Ballkanit Perëndimor. Edhe shtete të tjera evropiane, si dhe disa vende të Lindjes së Afërme kanë ofrue ndihmë. Nga ky qëndrim solidar lind edhe shpresa se përkrahja e tyne nuk do të vonohet.

Nga SHBA, aleatja historikisht strategjike e Shqipërisë, “Zëri i Amerikës” në emisionin e 28 nandorit lajmëron se: “Sot, ashtu si në kohët tjera të vështira, SHBA asht në krah të Shqipërisë”. Departamenti i Shtetit Amerikan deklaroi se: “Sot, ne lutemi për familjet e viktimave, si dhe për ata që janë lënduar. Në emër të popullit amerikan, u urojmë të gjithë atyre që janë prekur shërim të shpejtë. Shtetet e Bashkuara janë për krah miqve tanë në Shqipëri….Miqësia SHBA-Shqipëri ekziston si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti dhe ne shpresojmë për shumë vite të tjera miqësie dhe bashkëpunimi”, përfundon deklarata.

Gazeta “The New York Times” e datës 29 nandor, në nji shkrim dedikue tërmetit në Shqipëri, që zen ma shumë se dy të tretat e faqes A8, tregon se punohet intensivisht me shpëtue jetët e viktimave të mbetuna nën rrënojat, megjithëse toka pëson akoma dridhje që frikësojnë. Nji lëkundje ma e fortë se zakonisht, shkalla 5.1 Rihter, detyroi pushimin e punës, ndërsa rrugët e qytetit të Durrësit u mbushën me popullsi që lëshojshin banesat nga frika. Shumë ndërtesa u ngritën pa kujdes dhe pa rregull gjatë periudhës së nji tranzicioni të ashpër dhe shpeshherë joligjor, në demokraci që nga viti 1990. Qyteti ka pamjen e rrënimeve mbas nji beteje”

Tashti, qeveria po kujdeset me sigurue strehim të përkohshëm për viktimat. Personeli teknik i kontrollit të gjendjes së ndërtimeve mungon dhe qeveria kërkon ndihmë nga bota e jashtme. Shumë vende europiane, si dhe organet e Bashkimit Europian kanë ofrue ndihmë. “E gjithë kjo,- shkruen gazeta e mësipërme, – ngjet në nji nga vendet ma të vorfëna të Europës, nji vend ku korrupsioni dhe krimi i organizuem mbetet nji problem endemik dhe tërmeti vjen në një moment politik të lëkundshëm”. Asht fjala për protestat e “opozitës demokratike” që nga mueji shkurt i kaluem, abandonimi i Parlamentit dhe demonstratat masive (të PD-së) që synojshin rrëzimin e qeverisë së KM Edi Rama, shpesh të shoqnueme me akte dhune të pajustifikueshme, refuzimi nga Bashkimi Europian me hapë diskutimet me Shqipërinë për pranim në këtë organizatë dhe të tjera. KM Rama kërcënoi se nji refuzim i këtillë mund të shkaktojë trazime në Ballkan, rritjen e nacionalizmit lokal izolacionist dhe ngritjen(siç!) e problemit të bashkimit kombëtar (Kosovë e Shqipëri), nji aspiratë shekullore e të gjithë shqiptarëve.

Në Shqipëri dhe në “Shqipërinë Lindore”, sidomos në Kosovë, ashtë krijue nji atmosferë e fortë solidariteti kombëtar që ka afrue dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Skuadra ndihmëse të shteteve fqinje bashkëpunojnë me skuadrat shqiptare në operacione për shpëtimin e jetëve, sidomos në ditët e para të katastrofës.

Megjithatë, këto përpjekje nuk janë në gjendje me ndryshue situatën për të gjithë ata që kanë humbë gjithçka nga tërmeti. Për fatin e tyne, nji valë e fortë solidariteti, e papame ma parë, u ngrit në Kosovë. “Për Nanën Shqipëri”, deklarojnë qytetarët e Kosovës, me sensin e obligimit moral të ndihmës që ata gjetën në Shqipëri, në pranverën e verën e vitit 1999, kur agresioni serb i Millosheviqit dëboi ma shumë se nji milion kosovarë shqiptarë nga banesat e tyne, jashtë Kosovës, ma të shumtën në Shqipëri. Këtu, në atdheun nanë, ata gjetën strehim e përkrahje deri në ditën e fitores, qershor 1999. “Nana Shqipëri” asht thirrja ma emocionale e çdo shqiptari në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që flitet gjuha e nanës, gjuha shqipe. “Nana Shqipëri” asht lidhja shpirtnore ma e fortë e ‘dy Shqipërive’ të ndame padrejtësisht.

Dëshmitarë okularë tregojnë për vargjet e gjata kosovare të veturave, kamionëve dhe pajisjeve mekanike që ofruen ndihmë dhe që shërbejnë në punimet e zbulimit e ndihmës që hyjshin në Shqipëri, shumë prej tyne me flamuj të mëdhenj shqiptarë kuqezinj – Ndihma të menjihershme arritën nga Kosova, shtypi i vendit njoftoi se nji kosovar bujar ofroi $100.000 dollarë ndihmë, nji tjetër kosovar dërgoi 12 kamionë me ushqim për popullsinë e damtueme. Katastrofa kosovare e vitit 1999 dhe ajo e sotme e vitit 2019 janë dy fenomene negative për natyrën e tyne, por që kanë ringjallë frymën e solidaritetit kombëtar shqiptar; ato janë edhe tregues konkret të unitetit kombëtar shqiptar. Ky solidaritet asht hapi i madh drejt afrimit tonë të ndërsjellë dhe të paevitueshëm kombëtar.

Nuk ashtë e nevojshme me qenë “andrrimtarë”, as të shitemi si “magjistarë” me parapa nji bashkim kombëtar politik të të gjithë shqiptarëve në hapësinën ballkanike. Unë kam bindjen se nji bashkim i këtillë asht nji eveniment i paevitueshëm historik. Hapi i parë do të jetë pranimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan –Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës – si anëtarë të Bashkimit Europian. Në kuadrin e nji Europe të bashkueme, paqësore, të lirë dhe demokratike, afrimi politik i dy republikave paraqitet si nji proces që jo vetëm nuk mund të pengohet, por duhet të përkrahet me qëllim që të evitohen konsekuenca të padëshirueshme në Ballkanin Perëndimor. Afrimi ekonomik ekzistues pakëson rolin e sotëm të kufijve shtetnorë. Bashkimi kultural i ngushtë eliminon “ndryshimet” që sot kundërvihen dhe me kohë përfundon në nji shoqëni shqiptare me synime dhe vlera shoqënore të përbashkëta sipas nevojës së kohës. Koha asht në favorin e shqiptarëve. Në nji atmosferë të këtillë, bashkimi politik kombëtar shqiptar nuk paraqet kërcënim për fqinjët, as për Bashkimin Europian. Nji perspektivë e këtillë konfirmohet edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e vitit 1998:

“Ne, Populli i Shqipërisë… me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…” (Parathanie)(Theksi im)

Historikisht, shqiptarët nuk kanë pasë nji “perandori” mesjetare të tyne me shtrimje territoriale që përfshinte tokë të hueja, prandaj ata nuk reklamojnë “tokët” që kanë humbë gjatë shekujve dhe nuk aspirojnë në formimin e nji “perandorie” të humbun….si asht rasti i fqinjëve tanë grekë dhe serbë.

Nji shënim personal: rreth vitit 2003, me iniciativën e kongresistit amerikan, Elliot Engel, (D.N.Y.) nji personalitet politik amerikan që ka studiue pozitën e shqiptarëve në Ballkan dhe ka përkrahë kërkesat e tyne, u organizue nji takim në mes të z. Andreas Papandreu, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, dhe nji grupi të vogël shqiptaro-amerikanësh të interesuem në përmirësimin e marrëdhanieve shqiptaro-greke. Njeni nga pjesëmarrësit isha edhe unë. Ministri grek ishte i shoqënuem nga dy ambasadorë grekë. Bisedimi u zhvillue në nji atmosferë të qytetnueme dhe miqësore. Z. Papandreu shpjegoi se njeni nga ambasadorët grek (Amb. Londos ?) posa ishte kthye nga nji udhëtim eksplorues në Kosovë, ku kishte takue udhëheqësit kosovarë me qëllim eksplorimi të mundësive për kapitalin dhe eksperiencën greke me fillue investimet greke në Kosovë. “Ne i kemi të gjitha, – tha ai, – kapitalin dhe eksperiencën dhe jemi gati të ndihmojmë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik”.

Z. Papandreu na impresionoi të gjithëve për qëndrimin e tij mirëdashës dhe për bindjen e tij se duhen përmirësue marrëdhaniet shqiptaro-greke. Ai shtoi: Na e dimë se ky ashtë shekulli shqiptar në Ballkan. Serbia dhe Greqia, vazhdoi ai, plotësuen kërkesat e tyne gjatë shekujve 19 dhe 20. Shqiptarët u zgjuen ma vonë, tani ata përpiqen të plotësojnë kërkesat e tyne. Kur shikoj ngjarjet e fundit në ishRepublikën e Maqedonisë, nuk kuptoj pse kjo republikë nuk jep të drejta të plota për popullsinë shqiptare në atë vend. Asht nji e drejtë që ata e meritojnë….. Ma në fund, ai pyeti nëse kishim diçka për të thanë. Unë kërkova heqjen e Ligjit të Luftës të vitit 1940, që akoma ruhet në Parlamentin grek. Ai u përgjigj pa hezitue se kemi nji problem me Parlamentin dhe se ai na siguronte që brenda nji viti ligji do të anulohet. Unë e falënderova. Kolegët e mi shqiptarë vazhduen me pyetje të ndryshme, shumica me karakter ekonomik, dhe atmosfera u kthye në nji dialog të hapun për të gjithë.

Për fat të keq, qeveria greke ra dhe ministri humbi postin e tij. Sot, ai ligj absurd ashtë akoma në fuqi dhe nji nga pengesat e mëdha në marrëdhaniet shqiptarogreke. (Kërkesat tona për ngritjen e problemit çam nuk u inkurajuen).

* * *

Ka shumë arsye për insistim në ngritjen e frymës së solidaritetit tonë kombëtar. Por nji frymë e këtillë kërkon vullnet të mirë dhe zbritjen e tensionit partizan në vendin tonë. Edhe nji fatkeqësi e randë, siç ishte ajo e tërmetit të 26 nandorit, nuk ushtroi presionin e duhun psikologjik te “baballarët e kombit”, që vazhdojnë avazin e tyne me nji qëllim të vetëm: marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit qendror. Kjo ka shkaktue vonesën e ndihmës aty ku duhet dhe ka rritë ankesat e popullsisë së damtueme.

Në fillim, udhëheqësi i PD-së, Lulzim Basha, dha instruksione për zyrtarët e PD-së që u ngarkuen me dhanë ndihmë për të damtuemit, që të ndihmojshin pa theksue partizaninë e tyne në PD. Jam prek nga ky gjest politikisht korrekt dhe moralisht i detyrueshëm. Në raste të këtilla katastrofash kombëtare, të gjithë ne jemi pa përjashtim vetëm argatë të kauzës që shërbejmë.

Më lindi pyetja: pse z. Basha akuzonte KM Rama për “150 milionë dollarë për oligarkët t’u kalohen të damtuemëve nga tërmeti”, sipas shtypit shqiptar. Nji akuzë e këtillë nënkupton nji akt kriminel, që duhet dënue me ligj. Nëse asht e vërtetë, z. Basha duhet të nxjerrë faktet që e provojnë akuzën dhe ligji duhet zbatue. Nëse jo, ai vetëm diskrediton veten dhe humb kredibilitetin e popullsisë.

Në të njajtën kohë, nji gazetar shqiptar shkruen: “Tërmeti që po themelon diktaturën”, e cila deri dje ishte e nëndheshme, tani doli krejt në sipërfaqe me përmbajtjet e saja të plota falë arrogancës së (KM)Ramës….(“Panorama”, 6.12.2019)

Ndërsa nji koleg i imi nga Tirana, mendimin e të cilit unë e çmoj, shkruen: “Si familje nuk patëm dame, por edhe ne përjetuam një dramë jo të vogël pa siguri dhe në pasiguri jetojmë akoma. Në zonat e prekura nga tërmeti, dëmet janë shumë të mëdha. Doli në dritë korrupsioni i shfrenuar i ndërtesave, i zyrtarëve që dhanë lejet e ndërtimit pa asnjë kriter, inxhinierë zbatues etj. Ndoshta një ditë do të gjejmë qetësi….”, përfundon ky mesazh pikëllues që vajton nji gjendje që nuk gjen rrugëdalje.

Lojë fjalësh! KM Rama i drejtohet edhe nji herë kreut të opozitës, ndërsa shkruen se refuzimi i tryezës së përbashkët nga Lulzim Basha “është një gabim i madh”. Njikohësisht, KM Rama konfirmon se platforma e PD-së me 5 pika për të nxjerrë nga kriza biznesmenët e damtuem nga tërmeti në Durrës përkojnë me propozimet e hartuara nga Këshilli Kombëtar i Rindërtimit dhe Ministria e Financave. “Sot, – shkruen nji tjetër gazetar mendjehapun, – ma parë se gjithçka ne kemi nevojë për duar të bashkuara për t’i dhënë besim kujtdo që e donkëtë vend”. Lind pyetja: kush asht përgjegjës për këtë konfuzion të panevojshëm dhe shkatërrimtar?

Federata Panshqiptare VATRA ka mbledhë dhe dërgue nji shumë të mirë të hollash për ndihmë. Nuk kam pa ende as edhe nji rresht të vetëm falënderimi për këtë gjest të bashkatdhetarëve tanë në SHBA. Qëndrim që dekurajon.

“Sepse, ekzistojnë probleme të këtilla si kapja e shtetit, korrupsioni i thellë, si dhe ajo që është evidentuar nga shtypi ndërkombëtar, siç është ekzistenca e një narkoshteti….”, shkruen nji ish-ambasador me emën të mirë. Jemi para nji kaosi të vërtetë në këto ditë katastrofe të vërtetë. Nji shpjegim që më ndihmoi me kuptue këtë situatë e gjejmë në analizën e z. Afrim Krasniqi, dhanë “Zërit të Amerikës” më 13 tetor 2019, mbi dekriminalizimin. Ai deklaroi: “Individët, të cilët kanë pasur rekorde kriminale, kanë axhenda politike dhe se dinë ku fitohet më shumë dhe luftojnë për të kapur poste, ku fitimet janë më të mëdha. Është shumë interesante se si munden individët që kanë kryer vepra penale në të kaluarën, të kenë kurajë që të kandidojnë për poste të larta drejtuese dhe si është e mundur që këta fitojnë dhe janë njerëzit e preferuar të udhëheqjes politike…?”

Përballë nji gjendjeje të këtillë, mendjet e ndrituna duhet të mobilizohen për zgjidhjen e kësaj situate frikësuese!

*Autori ashtë i mërguam politik që nga viti 1959

Burimi: Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.