Dy kate pa leje që nuk i prishi tërmeti

Postuar në 04 Dhjetor, 2019 22:44

Ky është një prej hoteleve të ndërtuara nga deputeti socialist Sadri Abazi në zonën  e plazhit në Durrës. Partia Demokratike pretendon se nga ndërtesa janë prishur dy kate pa leje me urdhër të vetë deputetit socialist të Durrësit. Ish-kryeministri Berisha e shoqëron denoncimin me një foto të Sadri Abazit duke vëzhguar punimet në hotel.

Pamjet e siguruara nga "Tema Tv" tregojnë se dy shkallët e ndërtesës nuk kanë të njëjtat kate. Shkalla në krahun e majtë është me 11 kate, ndërsa ajo në krahun e djathtë me 10 kate. 

Ndryshimi është i dukshëm edhe në pjesët e sipërme të ndërtesës, ku në njërën shkallë pjesa fundore i ngjan një muri të papërfunduar ose të shembur. Ndërsa ballkonet  qëndrojnë në ajër në pjesën ballore të fasadës. Në ndërtesë ka punëtorë që vijojnë të kryejnë ende punime në disa fasada anësore. Pasi shohin grupin e xhirimit ata mundohen t’i shmangen kamerës.

I kontaktuar me telefon nga "Tema TV", deputeti socialist mohoi të ketë ndërtuar pa leje apo të ketë shembur kate shtesë duke thënë se struktura e pjesës së sipërme është pasojë e dëmeve nga tërmeti.

Ajo është pjesë e parapetit që është rrëzuar nga shkundjet që ka bërë nga tërmeti pra, një gjë e vogël fare është. E përfunduar këtu e 7 vjet përpara, vazhdon godina të jetë siç ka qenë pse do prishet. Të njëjtat kate që ka patur të njëjtat kate ka. Objekti është marrë në dorëzim, është hipotekuar këtu e 7 vjet përpara. Aq sa ka qenë leja aq është ndërtuar

Abazi thotë se ka ndërtuar konform lejes dhe se gjithçka është e orkestruar politikisht.

Nuk ka shance më të shtosh atje vetë. Po desha me shtu unë marr leje atje, pse do shtoj pa leje. Prona është e imja, mund të bëj shtesë në se e lejojnë kondicionet urbanistike

tha Abazi. 

Tema TV kërkoi një koment edhe nga ministri i ngarkuar nga qeveria për dëmet e tërmetit, Bledi Çuçi nëse kishte dijeni për këtë rast, por nuk mori një përgjigje.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.