Për çfarë ka rënë dakord në Athinë Edi Rama?
Kryetari i ri i Delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin e Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Manolis Kefalogiannis ka dhënë një intervistë për faqen online, European Western Balkans përmes së cilës ka përsëritur mesazhin se rruga europiane mbetet e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai është pyetur disa herë për Shqipërinë ndaj së cilës ka bërë thirrje që ta shohë integrimin si mundësi bashkëpunimi dhe jo si pedan për të zhvilluar luftë të brendshme. Pyetjes sesi i vlerëson ai marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët dhe nëse vendi jonë ka çështje të hapura që e ndërlikojnë pranimin në BE, Kefalogiannis i është përgjigjur:
Siç e përmenda në fillim vendi im është në favor të negociatave të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor për sa kohë që janë përmbushur disa terma. Ne jemi për një strategji pranimi mbi kritere. Për Shqipërinë, respekti i plotë i të drejtave sovrane të vendeve fqinj, të drejtat e minoriteteve – si ai i minoritetit kombëtar grek për të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtën e zgjedhjes lirshëm të identitetit fetar dhe respektin ndaj pronës personale për të cilat z. Rama ra dakord gjatë vizitës së tij të fundit në Athinë në takimin me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ka sigurisht çështje bilaterale që duhen zgjidhur si delimitimi i Zonës Ekskluzive Ekonomike mes dy vendeve
ka thënë zyrtari europian.
Nuk dihet se për çfarë ka rënë dakord Edi Rama në Athinë sepse asgjë nuk i bëhet publike qytetarëve shqiptarë nga qeveria e tyre, por ky qëndrim i Kefalogiannis kërkon përgjigje ose sqarim. Është krejt e papritur që Kryeministri shqiptar të ketë rënë dakord për të drejtën e vetëvendosjes për minoritetin kombëtar grek, pasi Shqipëria ka plotësuar detyrimet ligjore për pakicat.
Nga ana tjetër zyrtari grek flet për nevojën e delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike ndërkohë që siguron se z. Rama ka rënë dakord të respektojë të drejtat sovrane të vendeve fqinj. Ky është një aludim për faktin se mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk diskutohet më kufiri detar si i tillë, por vetëm hapësira e shfrytëzimit ekonomik në zonën detare që bashkon dy vendet. Pra se kufiri si i tillë nga pala greke quhet çështje e mbyllur. Partia Socialiste e ngriti në nivel kushtetues kërkesën për dallimin mes këtyre dy nocioneve kur iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 për marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria Berisha.
Add new comment