Asnjë nismë e re nuk e zgjidh problemin kryesor të rajonit-njohjen e Kosovës nga Serbia
Se para një nisme rajonale ekziston ideja e krijimit të një “Jugosllavie të re” është dëgjuar që nga viti 1999, kur u nis ideja e Paktit të Stabilitetit në Samitin e Kolnit, që u kurorëzua më vonë në Samitin e Sarajevës. Vazhdoi pastaj kur u lansua procesi i Stabilizim-Asociimit, që rezultoi me Samitin e Zagrebit në vitin 2000. Pastaj kur u lansua iniciativa e bashkëpunimit në Evropën e Mesme, më vonë kur u krijua Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë, si dhe krijimi i një lloj rrjeti të tregtisë së lirë përmes CEFTA-s e kështu me radhë. Pasi Sllovenia ishte nisur e para në rrugëtimin e integrimeve në BE dhe në NATO e Kroacisë i ishte mbyllur dera, Zagrebi ishte ai që më së shumti kundërshtonte idetë e tilla. Në Kroaci ekzistonte bindja se prapa nismave të tilla ekzistonte ideja e krijimit të një “Jugosllavie të re”. Presidenti i parë i Kroacisë Franjo Tugjman, e quante këtë “Formula 6 +1-1”. Pra, që ish-republikat e Jugosllavisë, pa Slloveninë, por me Shqipërinë, të krijonin një “bashkësi”, që do t’i ngjante ish-Jugosllavisë. Në atë kohë Kosova përmendej vetëm si çështje e pazgjidhur. Ndërsa Kroacia, e bindur se e ka vendin në Evropë e jo në Ballkan, ishte kundër ideve të tilla.
Kur në Zagreb në vjeshtën e vitit 2000 u zhvillua samiti i parë i përbashkët i vendeve të BE-së dhe atij që quhej “Ballkani Perëndimore”, në kryeqytetin e Kroacisë u zhvilluan protesta. Në pushtet atëherë ishte Partia Socialdemokrate (SDP), ndërsa në pozitë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ). Protestuesit kishin sjellë në protesta disa pata. Simbolika e përdorimit të patave ishte e fortë. I referohej një riti prej fjalimeve më historike në historinë e kroatëve: atij të liderit të Partisë fshatare kroate, Stjepan Radiq, i cili, duke kundërshtuar idenë për bashkimin e Kroacisë me Mbretërinë e Serbisë kishte përdorur fjalinë “mos u vërsulni sikur patat në mjegull”. Ishte një profeci, sepse historia dëshmoi se sa e dëmshme ishte për popullin kroat shkrirja në bashkësi me Serbinë dhe si përfundoi ajo. Pra atë vjeshtë, po ashtu në mjegull, në Zagreb dërgohej porosia se ata që po mbështesnin nismat rajonale, qofshin ato edhe të mbështetura nga BE-ja, po vërsulen pa vetëdije sikur patat në mjegull, të cilat nuk e kanë idenë se kah po shkojnë.
Tash 20 vjet më vonë, Kroacia është anëtare e BE-së dhe do ta ketë kryesimin e radhës të BE-së, pikërisht në përvjetorin e 20-të të Samitit të Zagrebit. Ky është një paradoks në vete që pasardhësit e atyre, që kundërshtonin idenë e Samitit të Zagrebit në vitin 2000, tash janë në pushtet kur Kroacia do të zhvillojë një tjetër samit të Ballkanit me BE-në. Dhe ishte pikërisht Kroacia ajo që insistoi që asnjë nismë rajonale të mos e ketë në emërtim fjalën Ballkan. Prandaj u vendos termi, së paku në rajon, si “Evropa Juglindore”.
Paradoksi tjetër i lidhur me Samitin e Zagrebit ishte edhe situata në Serbi. Ky samit në vitin 2000 ishte zhvilluar pas rënies nga pushteti të Slobodan Milosheviqit në Serbi dhe pasi NATO-ja ishte vendosur në Kosovë. BE-ja dërgonte porosinë se “Në Serbi janë mposhtur forcat e errëta nga e kaluara dhe Seria është nisur në rrugën nga e ardhmja e ndritshme evropiane”. Pjesëtarë të atyre “forcave të errëta” ishin radikalët e Sheshelit dhe socialistët e Millosheviqit, ku ishin edhe dy liderët kryesorë të Serbisë së sotme, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq. Tash mbetet të shihet a janë ndriçuar këta liderë me të kaluar të errët apo është diçka tjetër në pyetje. Por BE-ja tash bashkëpunon me liderët, largimin e të cilëve nga pushteti para 20 vjetëve e festonte si një arritje të madhe.
Në ditën e Samitit të Zagrebit, bazuar në arkivin e gazetës “Jutarnji list”, mund të gjendet edhe një shkrim i publicistit Veton Surroi, me titull “Samiti i shpejtësisë së premtuar tepër lehtësisht”. Surroi në atë shkrim vinte në dyshim shpejtësinë me të cilën premtohej se do të avancoheshin vendet e rajonit drejt BE-së. Parashtronte problemin se në këtë samit nuk do të dihet as sa shtete do të ketë në rajon në të ardhmen dhe se Kosova nuk merrte pjesë fare aty, ndërsa nuk dihej se si do të përfundonte zgjidhja kalimtare e bashkësisë së Serbisë me Malin e Zi.
Tash 20 vjet më vonë shohim se vetëm Kroacia ka arritur të përmbyllë ciklin e plotë nga MSA-ja e deri tek anëtarësimi në BE. Të tjerët ose nuk janë as në gjysmën e rrugës, ose nuk janë nisur fare në atë rrugë. Në rastin e Kroacisë u dëshmua se nuk kanë pasur të drejtë ata që kanë ngritur frikën se kjo “do ta kthejë Kroacinë në Ballkan” dhe se “Kroacia do të futet në një Jugosllavi të re”.
Por sikurse me hyrjen e Sllovenisë në BE nuk kishin përfunduar idetë për krijimin e unioneve të ndryshme rajonale, as me anëtarësimin e Kroacisë nuk mund të thuhet se janë zhdukur idetë e tilla.
Prandaj nuk është e lehtë të definohet as Mini-Shengeni i Edi Ramës, Zoran Zaevit dhe Aleksandar Vuçiqit. Kjo duhet të shihet vetëm si një nismë e re në një inflacion të nismave rajonale, në mungesë të unitetit për të vazhduar procesin e zgjerimit, në mungesë të guximit për të thënë se duhet gjetur një alternativë tjetër për këto vende që nuk do ta nënkuptonin anëtarësimin në BE, në mungesë të ideve për zgjidhjen e problemeve konkrete, përkrah çdo ideje të re, e cila ka në thelb çfarëdo bashkëpunimi. Por fakti se BE-ja mbështet një ide nuk e bën vetvetiu atë ide të mirë e as të keqe.
Për rajonin e Ballkanit ka aq shumë nisma, saqë është vështirë t’i mbash në mendje të gjitha. Por tejkalimi i problemeve përmes bashkëpunimit në nismat rajonale nuk është i mundur pa zgjidhjen e pengesës kryesore - njohjen e Kosovës nga Serbia. Kur Serbia ta njohë Kosovën, më asnjë shtet nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj territorit të një shteti tjetër. Dhe ky është kushti kryesor që duhet përmbushur për të krijuar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Por nismat rajonale nuk mund të hidhen poshtë me besimin se më mirë është të integrohemi në BE, sepse edhe integrimi në BE nuk është afër.
Asnjë nga idetë nuk do ta përshpejtojë procesin e integrimit në BE nga ana tjetër, edhe pse nuk janë as alternativë e këtij integrimi. Kosova, e djegur disi në dialogun e kotë dhe të dëmshëm deri tash, ka arsye të dyshojë dhe të jetë shumë, shumë e matur ndaj ideve të tilla rajonale sikur ajo e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Sepse Beogradi duke përdorur Shqipërinë dëshiron të dërgojë sinjale se nuk ka asgjë kundër shqiptarëve dhe se “problemin e Kosovës” duhet parë si një “çështje të përkufizimit mes shqiptarëve dhe serbëve”. Prapa ideve të tilla qëndron qëllimi për të injoruar Kosovën si subjekt dhe si territor. Për ta vendosur “çështjen e Kosovës” në tavolinë si një “çështje të raporteve ndëretnike”.
Tirana duhet këtu të jetë edhe më e kujdesshme sesa vetë Prishtina, edhe pse nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria dhe Serbia të kenë raporte sa më të mira që të jetë e mundur. Fundi i fundit në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të injorohet Kosova as fizikisht, sepse Shqipëria dhe Serbia nuk kufizohen mes vete dhe nuk janë fqinje të para, pos nëse Kosova nuk konsiderohet si “pjesë e Serbisë”. Edhe Mini-Shengeni apo “katër liritë e lëvizjes”, për të cilat u morën vesh tre liderët, nuk mund të zbatohet pa kaluar përmes territorit të Kosovës, që është edhe fizikisht mes Shqipërisë dhe Serbisë, pos nëse Shqipëria lidhjet me Serbinë për “katër lëvizjet e lira” i bën përmes Maqedonisë së Veriut.
Përvoja e deritashme në rajon ka dëshmuar se vullneti për bashkëpunim tregtar nuk ka mjaftuar në tejkalimin e problemeve politike. Dhe kjo do të jetë kështu derisa të mos normalizohen raportet mes Kosovës e Serbisë, jo mes “shqiptarëve dhe serbëve”, sepse raportet Kosovë- Serbi janë problem kryesor, zgjidhja e të cilave do të heqë nga lista shumicën e madhe të të gjitha problemeve dhe pengesave të tjera në bashkëpunimin rajonal dhe po ashtu edhe për avancimin në procesin e integrimeve në BE një ditë.
Koha Ditore
Add new comment