Shqipëria ka mbivendosje dhe ende po ndan pasurinë në shekullin e 21-të

Postuar në 07 Nëntor, 2019 09:42

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, sqaronte dje në një emision televiziv situatën me pronat në Shqipëri. Rast ilustrues: Lalëzi.

Deri pak kohë përpara bëhej kjo gjë: Kur përplaseshin, shkonin te Hipoteka përkatëse dhe atje paraqiteshin. Hipoteka nuk përdorte sistem elektronik. E dyta, shikonte kush ishte më i forti ose kush paguante më shumë dhe regjistronte atë. Ai që mbetej, ose do shtyhej më poshtë ose do shtynte ndonjë tjetër dhe ai do sistemohej. Mbetej tjetri dhe do shtyhej dhe ky.

Sot ç’a ka ndodhur? Kanë ndodhur dy gjëra. E para, që mbaroi Shqipëria. E ndanë të gjithën. E dyta, ne po vendosim kontrollin mbi aparatin e brendshëm të institucionit. Në atë palo sistem që kishte Kadastra, kishte 1750 përdorues. Ishte lënë me qëllim që kushdo të hynte. Në momentin që ne e kemi ulur në 850 ata që kanë akses në sistem, nuk kanë mundësi ta shtyjnë më poshtë.

Ajo që po ndodh tani është sepse Kadastra po fillon të marrë rolin e saj, që është magazina e pronave jo gjykata e pronave. Hipoteka më parë ka qenë gjykata e pronave. Në këtë moment atje, në Durrës, nuk e ndan më Durrësi (Kadastra) kë do regjistroje nga dy palët dhe shkojnë në gjykatë. E gjithë Shqipëria ka mbivendosje

tha Lame.

Këto janë gjëra të njohura. Zoti Lame pranon edhe vetë se vetëm tani ka nisur puna për korrigjim. Ndaj edhe lëmshi që po krijohet. Po kështu z. Lame p.sh nuk di të shpjegojë se çfarë kuptimi ekonomik dhe social ka dhënia me koncesion e Kepit të Rodonit për 35 vjet. Çfarë kuptimi ka që vetëm për heqjen e çadrave nga plazhet publike u angazhua kryeministri dhe ministri i Brendshëm?

Kësaj i gjen një kuptim të vetëm: Shqiptarët e këtij shekulli nuk kanë ndarë akoma pasurinë fizike të territorit ku jetojnë. Ata po kacafyten për vija uji dhe pyje e toka të cilat në një pjesë të rasteve duan vetëm t’I kenë. Në një pjesë tjetër t’i kenë në ato zona ku ka projekte publike, në raste tjera në zona të preferuara. Dhe kështu vazhdon kjo lojë feudalësh në tentativë duke shpenzuar energji pafund, duke ngjizur konflikte sociale dhe duke i hapur rrugë krimit.

Po të shohësh me vëmendje atë që ndodh në Shqipëri këto vite, po të lexosh me kujdes se cili është kuptimi që ka shumica e shoqërisë për pasurinë, sheh se ajo lidhet përherë te prona fizike. Një shtëpi, një tokë, truall, vilë, dy vila, dyqane etj..

Shqipëria humbet kështu trenin e kohës, ajo me sa duket si shoqëri nuk ka hyrë as në shekullin e 20-të përderisa e vetmja formë pasurie konsiderohet gjeografia fizike dhe jo Dija apo aftësia për të gjeneruar pasuri përmes formave të tjera. Mbetet për t’u parë sesi do të kapitalizohet një ndarje e këtillë e pasurisë, sesi do të bëhet ajo fitimprurëse, sesi vjedhja do të shndërrohet në formë kapitalizmi legal. Këtë situatë përjeton deri diku edhe Italia që ka ngecur deri diku tek ekonomia e pasurisë që kapitalizohet në turizëm etj., por pa problemin e madh të legjitimitetit mbi pronën. Dhe Italia është vendi që ka mbetur më pas në krahasim me të gjithë Europën.

Nga ana tjetër nuk ka ndonjë model që një vend i vogël të ketë ecur përpara vetëm duke u bazuar mbi vlerën e pronës dhe shfrytëzimin e saj. Por ndoshta shqiptarët e thyejnë edhe këtë tabu kështu që edhe vrasjet dhe batërdia për laguna, liqene, pyje e kullota është e justifikuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.