Kush është Kol Sallakja z. Komandant i Përgjithshëm?
Ilir Meta është ndoshta skraparlliu i dytë pas Sejfulla Myftarit që dallohet publikisht për sens humori. D.m.th jo se nuk ka skraparllinj të tjerë që kanë humor, por ata nuk janë figura publike. Skrapralliu i fundit publik, Sulo Gradeci, ishte njeri serioz. Ose të paktën nuk zbuloi ndonjë virtyt në lëmin e humorit. Drama e këtyre talenteve është se janë të pakuptuar në zonën e tyre. Ndaj edhe kanë ikur prej saj, kanë shkëlqyer gjetiu.
Ilir Meta shkëlqeu në Tiranë, në Partinë Socialiste. Tani që i duket se i ka vënë punët në vijë ka nisur edhe luan skeçin presidencial në vetë të parë. Një herë me top, një herë më brekë të shkurtra, një herë duke përkëdhelur koqet e qershive në Skrapar, pastaj duke fërkuar kokrra shege vërdallë. Çka Iliri, pyet gjindja e merakosur dhe kurioze?
Hiç, asgjë. Ça ka! E ka si biçim PR, kurim imazhi. Arma më e fortë e z. Meta është se ai e ka kuptuar që në fillim se nuk është gjëkundi për gjëra që kanë të bëjnë me qytetin. Se ç’ka në qeshjen e tij, ecjen, kërrusjen, mimikën që e bën të stonojë me ekzigjencat intelektuale që kërkon detyra që mban dhe ato që ka mbajtur, apo edhe ambiciet e tij.
Si njeri praktik, z. Meta ka vënë në dukje atë që mendon se bën mirë: të fortin. Malësorin e ashpër, kokorroç, që ndonjëherë rrëmbehet dhe merr kot, por që ka burrëri. Vetëm se sqima e funksionit që mban ia zmuson me forcë pagdhendjen që do të shesë duke e shndërruar zotërinë President në një figurinë që keqpërdor veten dhe i jep ngazëllim syrit të shikuesit që ka edhe në politikë tallavanë e vet.
Zoti Meta dikur u kujtua se është Komandant i Forcave të Armatosura. Duke imagjinuar ndoshta Mestan Ujanikun, Ilirit i ka hipur gjaku në kokë kur mendon se ka të drejtë të firmosë hatanë në këtë vend. Thonë që shikon edhe filma me partizanë. Të gjitha këto i përshfaq me një sens të fortë praktik, thuajse është gati të kalojë nga President në hanxhi me shpresën modeste ndoshta se do përfitojë edhe nga subvencionet për rigjallërimin e artizanatit. Ia vlen kjo hyrje e shkurtër prezantuese për të kuptuar se parodizimi i institucionit të presidentit në fund çon në kllonuzimin e personit. Ndonëse e bën këtë duke vënë në punë lodrat buxhetore të cilat i njohim rëndom nën efuemizmin Këshilltar për Mediat.
Ja sesi Komandanti i Përgjitshëm i Forcave të Armatosura, Shkëlqeisa e tij, Ilir Meta, skraparlli i vetëdeklaruar para fillimit të Censusit, na zhgënjen kur si i thonë një fjale “tërheq bythën” mënjanë duke u fshehur pas gishtit. Në datën 27 shtator, gazetari Sokol Balla – për ata që nuk e njohin mund të konsultojnë faqen në Facebook të kryeministrit – shkroi një artikull, apo opinion. Titulli: Ilir bëhu burrë e mbaje llafin!
Balla, apo Kol Balla si i drejtohen topgazetarët mes vedi, ka natyrë provokative. E nis shkrimin me jangi. Shtoi kësaj edhe fytyrën apo shikimin dhe të mbushet mendja top se edhe e ardhmja jote është vetëm ters.
Ilir Meta është burrë në politikë. Në karrierën e tij spektakolare ka përjetuar gjithçka për keq e për mirë
Pak më poshtë Kol Balla vazhdon duke i rënë një vrime që për të thënë të vërtetën, në shkrim e sipër sa vjen e ngushtohet:
…askush s’mund të thotë se në çmendurinë e tij më të madhe, Ilir Metës i ka mungu burrnia. As kur iku në 2001, as kur iku në 2003 e as kur iku në 2011.
Tani Ilir Meta ka zyrtarisht një problem me kushtetutën dhe burrnisht një problem me veten e tij. Komisioni i Venecias dha vlerësimin për veprimet e tij dhjetë mujore si President. E gjeti atë së paku tre herë në shkelje të Kushtetutës. Me gjasë kështu do të kompleksojë socialistët. Ata tremben nga çdo telefon që nuk fillon me 00355. Por Iliri është burrë. Te Çim Peka para nja ca javësh, bëri një deklaratë që nesër mund të dalë heroike, ose qesharake. Këtë në dorë e ka vetë Iliri. I cili atë mbrëmje tek Syri, i shkeli syrin dorëheqjes: “Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president? Kurrë në botë!… Nëse shikoj se Komisioni i Venecias lobohet, do të iki përsëri. Unë i qëndroj deklaratave që kam thënë më përpara… Ia kam thënë këtë edhe Edi Ramës të parit…”
Mu kujtuan këto fjalë, ndërsa lexoja opinionin e Venecias që ia fuste atij këmbët në det dhe shikoja televizionet e lajmeve që citonin Tedi Blushin, që kishte ikur nga deti, kishte hequr rrobat e banjos, kishte veshur kostumin e zëdhënësit dhe bënte Ilir Metën. Dhe befas mendova me ankth: “Mos vallë Iliri ka frikë?”
…Iliri është burrë, unë e di. Ndaj ik Ilir! Të gjithë ne, jemi kapur tani pas fjalës tënde. Të paktën këtu, mos na zhgënje!
Këto shkruan Kol Balla që ngjan sikur me sytë mbyllur e me dorën e majtë po kontrollon poshtë pantallonave të Presidentit për të konfirmuar burrninë, të cilën ja kërkon në shkrim e të cilën e ndjen si detyrim qoftë ndaj dorës së majtë, qoftë ndaj publikut që ka ngritur veshët për të kuptuar gjëkafshë. Iliri provoi një ditë më pas se nuk i pëlqen ushqimet pikante dhe duhet thënë se në Skrapar nuk para i përdorin(hiq specat me gjizë). Ai u përgjigj me zëdhënësin e vet që shkroi në Facebook:
ResPublica pa te ky status i z. Blushi jo vetëm autonominë e admirueshme të intelektualit gazetar që poston proklamatat e thukëta të një lufte civile mes titanëve të gazetarisë, por edhe ndonjë të dhënë për korrupsion. Për ta sqaruar këtë gjë ne iu drejtuam Zyrës së Presidentit me këto pyetje:
Kur është bërë kërkesa e Sokol Ballës pranë z. Meta?
Cilat janë provat që Sokol Balla ka dorëzuar pranë z. Meta për korrupsionin e supozuar të znj. Belinda Balluku?
A ka informuar z. Meta organet e Prokurorisë për akuzat e Sokol Ballës dhe nëse po, kur?
Cila ishte detyra e z. Meta në momentin e vëies në dijeni për akuzat për korrupsion?
Pyetje që patjetër ngrihen mbi supozimin se zëdhënësi Blushi kishte luajtur rolin e mushkonjës ndaj Kol Ballës në replikën me njëri-tjetrin. Presidenti u përgjigj pas ndërhyrjes së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Informimit dhe të befason me thjeshtësinë e vet. Si përherë me fjalitë dëftore z. Meta përmes zyrës së shtypit thotë tekstualisht kështu:
Nga anët tona, që janë anë të ngjashme në zakone me anët e këtij Ilir Metës që e bënë President, kjo do të thotë ta dredhësh. Po pse e dredh Meta, apo Likja siç e tallin ish-shokët e tij të partisë? Kaq burrë qenka ky saqë ngatërron sallaksit e Tironës në krye të shtetit? Mos mor jahu! E kena gabim ne. E ka dredhur Tedi, jo Iliri. Iliri është burrë ndaj e lëmë me kaq këtë punë. S’kemi pse t’i biem samarit kot. Edhe pse pyetja mbetet për presidencën: Kush është Kol Sallkja? Pyetje sigurisht që nuk meriton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
Add new comment