Europa nuk di më çfarë të bëjë me Ballkanin Perëndimor
Vetë diskutimi mbarë europian pas votës kundër të Francës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka amnistuar qeveritë e këtyre dy vendeve nga përgjegjësitë që mbajnë për procesin e integrimit. Çështja që po shtrohet tashmë është ajo se çfarë duhet të bëjë Europa me Ballkanin Perëndimor, një rajon paradoksal që ndodhet në buzë të Adriatiku dhe rrethohet nga toka dhe deti me vende anëtare të BE-së.
A ka kuptim të quhet zgjerim hyrja e tyre në BE, apo përfshirja në union është një proces i natyrshëm për të mos lejuar enklavizime të padobishme dhe me pasoja?
Mirëpo këtyre pyetjeve nuk po di t’u përgjigjet më as analiza politike jo më vendimmarrja zyrtare që kushtëzohet nga shumë zhvillime. Profesori i historisë dhe politikës së Europës Juglindore në Universitetin e Graz në Austri, Florian Bieber shkruan për këtë çështje sot në median e njohur Politico. Bieber i jep të drejtë presidentit Macron për konstatimin e bërë se procesi i zgjerimit ka probleme, por politikbërja nuk mund të bazohet sipas tij në konstatime.
Sipas tij oferta e BE-së për anëtarësim ka patur fuqi transformuese dhe qenë shtysë për reformat në Ballkanin Perëndimor dhe heqja dorë prej saj në mënyrë të njëanshme e bën të paparashikueshme të ardhmen e rajonit.
BE-ja duhet të zhvillojë një politikë të re të jashtme në rajon që nuk përqendrohet vetëm në procesin e anëtarësimit
shkruan Bieber.
Që shton se BE-ja mund të ofrojë shumëçka që vendet e rajonit të ecin para me reformat, qoftë edhe duke ofruar për ta hyrjen në Zonën Ekonomike Europiane apo edhe në Shengen. Kjo është diçka padyshim, mirëpo ajo nuk i jep zgjidhje problemit në ngritur në nivel politik të emigrimit. Nëse vendet e rajonit aderojnë në tregun e punës e vështirë të mendohet se diçka me vlerë do të mbetet në një rajon që dominohet nga gangsterizmi dhe korrupsioni.
Bieber e sheh shkëputjen e Europës edhe si një mësim të mirë për ata që i quan reformatorë në Ballkan, të cilët sipas tij deri më sot janë mbështetur në ndihmën e jashtme. Tashmë ata duhet t’i çojnë reformat para vetë. Mirëpo ky sugjerim nuk mund të mos provokojë në plan afatmesëm përplasje sociale dhe zëvendësim elitash përderisa me fjalën reformë në Ballkan nënkuptohet kapje pushteti dhe dominim ekonomik. Në fund të fundit një problem burimor i destabilitetit është mungesa e një kontrate të qartë në këto vende dhe siç na mësojnë këto vite vjedhja dhe grabitja me ligj nuk mund të legjitimojnë asnjë lloj kontrate. Edhe kur Autoritetet Kontraktore kanë mbështetje të huaj si kjo nga BE.
Add new comment