Macron e ka fajin?! Spanja, Danimarka dhe Hollanda kërkuan hapje negociatash vetëm me Shkupin
Në Tiranë po orkestrohet një lloj politike dite kundër Francës dhe presidentit të saj. Sigurisht për shkak se Emmanuel Macron i tha jo hapjes së negociatave me vendin tonë, por më tej, përmendi edhe liberalizimin e vizave duke kërcënuar deri diku me një instrument që është shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Ajo që nuk po qartësohet është nëse kjo politikë e Parisit zyrtar është me disponim kundër Shqipërisë, apo lidhet me një vizion të Macron, që mund të jetë edhe ambicie personale. Në Tiranë po i fryhet idesë së Franca është kundër Shqipërisë.
Mirëpo media të ndryshme të huaja kanë zbardhur rrjedhën e debatit në takimin e kryeministrave të BE-së dhe sipas asaj që përshkruhet me gjasë Franca nuk ka mbajtur qëndrime ashtu siç interpretohen nga pushteti në Tiranë. Konkretisht thuhet se vende si Hollanda, Spanja dhe Danimarka kanë kërkuar që negociatat të hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe jo me Shqipërinë. Dhe arsyet e tyre me të vërtetë që mund të kenë të bëjnë me probleme të sigurisë së brendshme. Ndërkohë që Franca, Gjermania dhe Italia kanë refuzuar këtë ide, madja janë angazhuar që të hartojnë një tekst neutral që të mos dekurajojë njerëzit në Ballkanin Perëndimor.
Mes dy opsioneve, është e qartë se vetoja e Francës i ka shërbyer më shumë qoftë qeverisë shqiptare që sot ka larë duart me përgjegjësitë e veta, qoftë edhe vendit tonë që mos të mbetej si delja e zezë edhe në Ballkan. Mirë apo keq, ky qëndrim i tre vendeve kryesore të BE-së i ka dhënë dorë një vendi që nëse do ta shohim ftohtë me të vërtetë që nuk meriton të konsiderohet europian. Ironia është se kampionë të europianizmit në Tiranë po shpallen ata që janë shkaktarët e kësaj gjendjeje dhe për këtë arsye është pak si tepër të bësh me faj Macronin.
I vetmi moment me të vërtetë zemërthyes do të ishte rikthimi i vizave. Cilado qoftë axhenda e brendshme Ballkani Perëndimor nuk ka krijuar kurrfarë problemi real në vendet e BE-së dhe miti i krimit të organizuar nuk qëndron në këmbë dhe as është serioz për të përligjur politika të këtilla.
Add new comment