Oksigjen për "La Repubblica". De Benedetti: Një copëz historie e Italisë. Fëmijët e mi nuk dinë ta bëjnë këtë punë

Postuar në 15 Tetor, 2019 12:34

Sipërmarrësi i njohur italian, Carlo De Benedetti ka njoftuar përmes një interviste në gazetën “Corriere della Sera” se ai ka ndërmend të rigjallërojë grupin mediatik “Gedi” që zotëron ndër të tjera edhe gazetat “La Repubblica” dhe “La Stampa”. Ai ka sqaruar se investimi kryesor për gazetën “La Repubblica” do të përqendrohet te dixhitalizimi për të vijuar më tej me krijimin e një fondacioni.

Një fondacion në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të gazetarëve, drejtues të grupit, personalitete të kulturës. Objektivi është sigurimi i një të ardhmeje të pavarur për një copëz historie italiane

shprehet De Benedetti.

Duke folur për natyrën e investimit të tij, sipërmarrësi italian, ka vlerësuar maksimalisht gazetën “Repubblica” që sipas tij ka kontribute të mëdha në jetën politike, kulturore dhe qytetare të Italisë. 

Grupi “Espresso” ka patur një rol themelor në Itali. Meriton të ruhet dhe të menaxhohet. Jam i lumtur që mund t’i dedikoj dy, tre vjet të jetës dhe kohës sime rivënies në lëvizje të një kompanie të rrënuar dhe të pamenaxhuar

thotë ai.

Intervista ka shërbyer në fakt për agjencitë kryesore mediatike si burim për një tjetër lajm: konfliktin e De Benedettit me fëmijët e tij. Sipërmarrësi ka përjashtuar pjesëmarrjen e fëmijëve të tij në krijimin e fodacionit në fjalë sepse nuk dinë ta bëjnë këtë punë, çka është një sulm publik, por edhe një mënyrë për të mbrojtur investimin.

Fëmijët e mi dinë të bëjnë mirë zanate të tjera. Por nuk kanë pasionin për të bërë botuesin. Nuk kanë as edhe kompetencën; por përparasë gjithash nuk kanë pasionin. Dhe pa pasion nuk mund të bësh një zanat kaq të veçantë, artizanal, për të cilin duhet ndjeshmëria, shija estetike, kultura, aftësia e drejtimit të njerëzve, talenti për të bërë bashkë orkestrën dhe drejtorin që e drejton, të vendosësh se çfarë pjesë do luash. Fëmijët e mi, veçanërisht Rudolfi, e konsiderojnë një biznes me humbje dhe nuk kanë faj. Por kjo do të thotë që ta konsiderosh si një zanat çfarëdo kurse në fakt botimi nuk është i tillë. Naiviteti i madh i fëmijëve të mi është se vazhdojnë prej kohësh kërkimin e një blerësi të grupit. Një kërkim i kotë: nuk ka blerës në Itali

shprehet De Benedetti.

Ai ka shpjeguar mendimin e vet edhe për pyetjen nëse një gazetë mund të mbahet në këmbë nga një fondacion dhe në mbështetje të idesë së vet ka sjellë shembuj nga Gjermania dhe Anglia. 

Nuk po propozoj një akt bujarie, por përgjegjësie. E kuptoj se fëmijët e mi nuk e duan gazetën, të ndalin ama shkatërrimin e saj. Të binden dhe të bindin edhe aksionerët e tjerë që të bëhen pjesë e këtij programi, meqenëse nuk janë dëshmuar të aftë për ta menaxhuar, nuk kanë idenë si bëhet, dhe këmbëngulin për të kërkuar një blerës që nuk ekziston

ka komentuar De Benedetti.

Ai nuk e ka fshehur kënaqësinë nga komentet e ndryshme të gazetarëve apo edhe njerëzve të njohur që e kanë cilësuar lëvizjen e tij si “romantike”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.