Gropa financiare e Shqipërisë, KLSh: Qeveria po fsheh detyrimet reale
Revista “Monitor” shkruan sot se qeveria shqiptare ka fshehur detyrimet e prapambetura që arrijnë në 75 miliardë lekë, me synim ruajtjen formale të parametrave buxhetorë. Revista flet për një skenar të ngjashmë me Greqinë, një vend ku kriza financiare shpërthu edhe si pasojë e keqraportimit të qëllimshëm nga autoritetet greke të kohës të bilancit. Dokumenti që konstaton këto shkelje është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Mbi zbatimin e buxhetit të shtetit 2018” sipas të cilit raportimi i Ministrisë së Financave është i ndryshëm nga treguesit realë buxhetorë. Në thelb kjo fsheh mundësinë e mospagesave të detyrimeve duke përkeqësuar situatën e borxhit.
Në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”, thuhet në bazën për opinionin e auditimit. Detyrimet e prapambetura arrijnë në 60 miliardë lekë, po kapin nivelin e 2013-s…Konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit
citohet raporti.
Në të njëjtin dokument nënvizohet një e dhënë që flet qartë për atë që ndodh në realitet.
- Detyrimet për Rimbursimin e TVSH-së raportohen zero nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), ndërsa sipas KLSH-së ato janë 20.7 miliardë lekë
- Detyrime për projekte investimesh, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera janë 15.5 miliardë lekë sipas Ministrisë së Financave dhe 21.2 miliardë lekë, sipas KLSH.
- Rimbursimi i tepricës kreditore të tatimit të fitimit ka krijuar një detyrim prej 15.2 miliardë lekësh, sipas KLSH, ndërsa Ministria e Financave e raporton zero.
- Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare janë 3.2 miliardë lekë, sipas KLSH dhe zero sipas MFE.
shkruan revista.
Add new comment