Është penduar kompania “Kastrati” për konçesionin e rrugës Milot-Morinë?
Revista ekonomike “Monitor” publikonte në datë 27 shtator një intervistë të zv.presidentit të “Kastrati Group”,
Leonard Kastrati.
Në prononcimin e vet, përfaqësuesi në fjalë rendit disa suksese të vitit 2018:
Viti 2018, padyshim, ka qenë më i suksesshmi për “Kastrati Group”. Të gjitha kompanitë e grupit, pa përjashtim, kanë shënuar rritje të kënaqshme të performancës dhe qarkullimi vjetor arrin në mbi 650 milionë euro. Prej vitesh jemi lider në sektorin e energjisë dhe tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë. Kemi investuar me sukses në 12 sektorë të rëndësishëm dhe gjatë 2018-s kemi rritur praninë tonë dhe në sektorë të tjerë.
Vitin e kaluar nisëm zhvillimin e projektit “Downtown One” një projekt shumëfunksional, në zemër të Tiranës, i cili ofron një kombinim ideal të apartamenteve rezidenciale luksoze, zyrave bashkëkohore dhe ambienteve komerciale si destinacion për markat më të njohura ndërkombëtare.
Prej vitesh, i kemi kushtuar rëndësi të veçantë investimeve në sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar. Në shkurt të vitit 2018 blemë “Mak Albania Hotel” dhe brenda dhjetorit nënshkruam marrëveshjen e menaxhimit me “Hyatt Hotels Corporation”, e cila sjell për herë të parë në Shqipëri përvojat më të mira menaxheriale të një prej brandeve më në zë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar.
“Hyatt Hotels Corporation” është një tjetër emër i madh i grupeve dhe investitorëve prestigjiozë europianë dhe amerikanë të grupit tonë, pas Daimler AG, Chevron and Texaco etj. Në vitin 2018 gjithashtu kemi rritur investimet për zgjerimin e gamës së produkteve dhe shërbimeve në çdo sektor ku ne operojmë me sukses prej vitesh dhe në mënyrë të veçantë në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe kujdesit ndaj klientëve
thotë ai.
Lidhur me objektivat e së ardhmes dhe sektorët që ky grup vlerëson se vlen të investohet z. Kastrati shprehet për turizmin elitar, agrobiznesin, resortet në bregdet etj..
Siç mund të vihet re lehtë, zv. Presidenti i grupit ka shmangur tërësisht komentet apo përmendjen e koncesionit të rrugës Milot-Morinë, për të cilën pati edhe protesta. Në këtë koncesion një ndër kompanitë e grupit merr pjesë me 50% të aksioneve bashkë me grupin “Salillari” dhe sipas të njëjtës revistë konsorciumi ka faturuar vetëm vitin e parë 28 milionë dollarë, nga të cilat “46% e qarkullimit vjetor ishte nga zbatimi i së drejtës koncesionare, ndërsa 41% ishin “Të ardhura nga kontratat e ndërtimit”, që janë pagesa nga buxheti”.
Zbatimi efektiv i kontratës nisi në shtator të vitit 2018 dhe nisur nga shifrat e përcjella konçesioni është padyshim një sukses në planin financiar. Lind pyetja atëherë: pse kjo kontratë nuk renditet nga zv.presidenti i grupit në sukseset e vitit 2018?
Dhe më tej: pse asnjë prej kompanive kryesore në Shqipëri nuk preferon të marketojë punët e bëra në kuadër të kontratave publike?
Rruga Milot-Morinë është padyshim CV e mirë për çdo kompani dhe është e çuditshme heshtja mbi të nisur nga fakti se nënshkrimi i saj na u tha se është bërë në zbatim të procedurave konkuruese të ndershme dhe transparente.
Kompleks apo pendesë e grupit Kastrati kjo harresë?
Add new comment