Zhurmë për alibinë e legjitimitetit, ndërkohë që 30 qershori duhet vlerësuar për Ligjshmërinë

Postuar në 06 Shtator, 2019 17:11

Sot qeveria shqiptare ka nxjerrë ministrin e Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj për të interpretuar raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Përpjekja e zotit Cakaj ka qenë që të bindë opinionin se zgjedhjet ishin legjitime, ndonëse siç tha ai “më 30 qershor Shqipëria u përball me një sfidë ndaj rendit demokratik”.

Askund në raport nuk konstatohet se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime, sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to. Raporti nuk vjen në përfundimin se kjo është shkaktuar nga një ndërmarrje e njëanshme e qeverisë shqiptare, por rrethana e parë është mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese që vjen si rrjedhojë e reformës së paprecedentë në Drejtësi dhe e dyta, zhdekretimi i zgjedhjeve dhe bojkotimi i tyre. Është koha për reflektim të sinqertë dhe marrje të përgjegjësive të secilit për gjetjet e raportit. Nuk mund të jesh shkaktar i një problemi dhe të ankohesh se ekziston ai problem. Kjo është e papërgjegjshme

tha ndër të tjera ministri. 

Është e vështirë të pajtosh këto dy logjika në një, por kjo ndodh me qeverinë aktuale. Leximi i raportit është i njëanshëm, pasi aty thuhet p.sh se administrata zgjedhore ka bërë shkelje, se mospublikimi i dekretit të presidentit për 13 tetorin ështënnë shkelje të ligjit. Nga kjo pikëpamje dhe në kushtet kur nuk ka ende një Gjykatë Kushtetuese për procesin e 30 qershorit shtrohet jo vetëm çështja e legjitmitetit, por edhe e ligjshmërisë. Sepse dekreti i presidentit nuk është shqyrtuar dhe është refuzuar të zbatohet nga e njëjta KQZ që nëse deri më dje e shpallte historike vendimin e vet për të cilësuar nul dekretin e anullimit të datës së zgjedhjeve, sot nuk ka asnjë vlerësim për raportin. 

Në 30 qershor pati votime, nuk pati incidente, por më 30 qershor nuk pati zgjedhje. Kjo është e qartë dhe asgjë nuk mund ta fshehë. Këtu nuk po përmendim problemin e elementëve me të shkuar kriminale që dolën në sipërfaqe dhe që e bën edhe më të rëndë situatën, por mjafton të shohësh se ajo që sot qeveria e cilëson si legjitimitet, është në fakt fshehje pas gishtit pikërisht sepse opozita nuk bëri atë bllokim që duhet të bënte më 30 qershor. 

Le të na thotë ky ministri në detyrë: Ku klasifikohet Shqipëria me këto zgjedhje? A është mandati i të zgjedhurve më legjitim sesa mandati i tij në Ministrinë e Jashtme?  

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.