Kolaudimi, qeveria merr kohë për të kaluar shërbimin te palë të reja
Sot është raportuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e autoritetit kontraktues, ka nënshkruar një shtesë afati të kontratës me shoqërinë “SGS Automotive Albania”, si pjesë përbërëse e Kontratës së Koncensionit “Për dhënien me koncension të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”. Njohur ndryshe si kontrata e shërbimit të kolaudimit të automjeteve.
Media të ndryshme kanë ngritur dyshimin se për cilat arsye qeveria ka bërë këtë shtyrje, por Agjencia Telegrafike Shqiptare ka theksuar në raportimin e vet se në hapësirën kohore shtesë të kontratës qeveria ruan të drejtën ta thyejë monopolin e SGS-së duke ia dhënë të drejtën e shërbimit.
Në përfundim të këtyre takimeve u vendos të nënshkruhej kontrata shtesë e Koncensionit, në të cilët palët kanë rënë dakord për ndryshimin e përfundimit të kontratës duke vendosur afatin e ri deri më datën 31.12 2020.
Në kontratën shtesë përcaktohet se përgjatë periudhës koncensionare Autoriteti Kontraktues, në kuadër të liberalizimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, e cila do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata koncensionare.
Në këtë rast Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncensionarin 3 muaj para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik. Me përfundimin e afatit 3 mujor të njoftimit, kjo kontratë koncensionare konsiderohet e zgjidhur dhe koncensionari heq dorë nga çdo pretendim për këtë zgjidhje të kontratës
shkruan ATSh.
Ngjan si një tërheqje e butë për SGS-në por kjo klauzolë krijon dyshime për të tjera çështje. Pak muaj më parë u fol për një bashkim kompanish shqiptare që po kërkonin të merrnin këtë shërbim në përfundim të kontratës në fuqi, çka lë të dyshohet se qeveria po i lë kohë këtyre kompanive që të përgatiten me kushte “të përmirësuara” në mënyrë që të marrin shërbimin i cili është shumë fitimprurës. Në media nuk ka patur ndonjë raportim mbi bilancet e SGS-së, por një klauzolë problematike ka qenë detyrimi për kontroll një vjeçar ndërkohë që në vende të ndryshme është një herë në dy vjet.
Add new comment