Kur qeveria sillet si bandë, çdo mjet është legjitim
Një qeveri që nuk zbaton kontratat dhe detyrimet nuk mund të merret seriozisht. As edhe autoriteti i saj nuk mund të respektohet veçse në raport force. Shembulli sesi qeveria aktuale nuk njeh as procedurën minimale, ose nuk e zbaton atë, është ai që po ndodh në rrëzë të malit të Tomorrit në Skrapar. Disa punonjës të firmave që nxjerrin gur dekorativ kanë bllokuar rrugën Poliçan-Çorovodë për 30 minuta në kundërshtim të ndërhyrjes së policisë në guroret e tyre.
Situata nga pikëpamja ligjore është shumë e qartë: qeveria me një vendim ka zgjeruar sipërfaqen e zonës së mbrojtur. Këtë vendim ia ka hedhur poshtë Gjykata Administrative e cila vinte në dukje se ministri i Turizmit nuk kishte plotësuar aktet e nevojshme në dosjen e këtij vendimi.
Qeveria e z. Rama bëri atë që di të bëjë më mirë: e shpalli vendimin kriminal, ndërmori nismën e një peticioni dhe futi policinë. Po firmat që veprojnë me kontratë nuk kanë të drejtë? Vallë biznesi duhet të veprojë duke iu përshtatur dellit ambientalist që kap qeverinë sa herë që ka luftë me pronarin e përfolur të guroreve, Ilir Meta?
Edhe pse gërmimet në malin e Tomorrit duhen ndalur sepse kanë bërë atë që mijëvjeçarët nuk e bënë, kjo gjë duhet bërë me ligj. Sepse nesër ato gurore hapen sërish. Përndryshe të gjitha këto firma mund të shkojnë në gjykatë e të fitojnë të drejtat e cenuara, apo edhe të bllokojnë me të drejtë rrugën pasi u është dëmtuar investimi. Kjo është legjitime kur qeveria sillet si bandë.
Add new comment