Opozita lyp 13 tetorin...
Presidenca ka publikuar sot në faqen e vet zyrtare online një letër që kreu i shtetit, Ilir Meta, i ka dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në përgjigje të një kërkese zyrtare të këtij të fundit.
Në letër, zoti Meta bën mbrojtjen e akteve të veta juridiko-kushtetuese, siç është dekreti për zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 13 tetor duke i rikujtuar dhe kërkuar kryetarit Ruçi që të ndërmarrë veprime dhe akte që synojnë ristabilizimin e pluralizmit politik në vend. Zoti Meta flet për një përpjekje të kryeministrit dhe shumicës parlamentare për asgjësimin e Partisë Demokratike, “jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë”.
Presidenti ka shprehur hapur qëndrimin e vet duke e konsideruar djegien e mandateve nga partitë opozitare si një “veprim të pajustifikueshëm të opozitës, që ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ”. Duke e quajtur dhe argumentuar antikushtetueshmërinë e 30 qershorit, Presidenti çmon se komisioni hetimor i ngritur nga Kuvendi për shqyrtimin e veprimtarisë së tij është fiktiv, i palegjitmuar dhe pas asnjë objekt. Meta vë në dukje mungesën e Gjykatës Kushtetuese si organi i verëm që mund të bëjë vlerësimin e rolit të Presidentit “në kohë krizash të rënda politkke që lidhen me proceset zgjedhore”.
Në fund, Presidenti i kërkon kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi që të shfrytëzojë përvojën e vet shumëvjeçare për të “bërë përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike” si dhe…“ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet”.
Letra e Metës, bërë publike për të gjithë, nuk lexohet mirë se çfarë propozimi konkret sjell përveç faktit se oferta e fundit, minimale që kërkon opozita përmes kreut të shtetit, është përsëritja e zgjedhjeve lokale më 13 tetor.
Kjo kërkesë ngjan absurdë në kushtet kur shumica e drejtuar nga kryeministri Edi Rama po vazhdon me konstituimet e këshillave bashkiakë, kur kryetarët e votuar më 30 qershor po marrin detyrën. Letra e Presidentit përkon në kohë me letrën e partive aleate të PD-së për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përmes së cilës kërkojnë nisjen e punës për organizimin e zgjedhjeve lokale sipas dekretit të presidentit. Në kushtet e tanishme pretendimi i opozitës, por edhe investimi i Presidentit, ka një shans të fundit vetëm me raportin final të OSBE-ODIHR-it për votimet e 30 qershorit. Pra nëse në atë dokument do të thuhet qartë se ato zgjedhje janë anormale. Përndryshe, me një opozitë që nuk arriti asgjë edhe me protestat e veta, e ka thuajse të pamundur që të arrijë diçka tani që kërkon nga komuniteti ndërkombëtar atë që nuk e arriti vetë dhe për më tepër që nuk e negocion kush: shpalljen të paqenë të votimeve të 30 qershorit.
Add new comment