Censura online po vjen, por e kemi ende në dorë ta ndalojmë

Postuar në 09 Korrik, 2019 21:05
Glyn Moody

Një vit më parë, pata paralajmëruar për ligjin e tmerrshëm të së drejtës së autorit që po hartohej në BE që do të kishte efekte të mëdha negative në botën e burimeve të hapura. Dispozita e tij më problematike do të detyronte shumë faqe interneti fitimprurëse që veprojnë në BE që të përdorin filtra algoritmikë për të bllokuar ngarkimin e materialeve të paautorizuara nga përdoruesit. Si rezultat i një fushate të pashembullt keqinformimi, mbështetësit arritën të bindnin (mashtronin)një numër të mjaftueshëm anëtarësh të Parlamentit Europian për të votuar në favor të Direktivës së re të të Drejtave të Autorit, duke përfshirë filtrat e ngarkimit, një prej pikave me më shumë mangësi.

Një numër ndryshimesh u janë bërë propozimeve origjinale që kam diskutuar vitin e kaluar. Më e rëndësishmja, "zhvillimi i softuerëve me burim të hapur dhe platformat ndarëse" përjashtohen në mënyrë eksplicite nga fushëveprimi i kërkesës për filtrimin e materialeve që ngarkohen online. Megjithatë, do të ishte naive të supozonim se Direktiva për të Drejtat e Autorit është tani e pranueshme dhe se softuerët e lirë do të mbeten të paprekur.

Burimi i hapur dhe interneti i hapur kanë një marrëdhënie simbiotike - secili ka ushqyer vazhdimisht tjetrin. Filtrat e ngarkimit janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj internetit të hapur, për ta kthyer atë në një hapësirë ​​online ku hyn me leje. Ata do të krijojnë një sistem censurimi me të cilin, siç kanë treguar përvojat e mëparshme, do të abuzojnë kompanitë dhe qeveritë me qëllim që të bllokojnë edhe materiale legjitim. Do të ishte një gabim i madh për komunitetin e Burimeve të Hapura nëse do t’u rrihte shpatullat dhe të thoshte: "Ne jemi në rregull, ky nuk është problemi ynë". Filtrat e ngarkimit janë definitivisht problemi i të gjithë atyre që duan internetin e hapur dhe të shëndetshëm, si dhe lirinë e fjalës. Për shembull, blogu GitHub vëren se raportimet pozitive false mund të jenë një problem kur filtrat e ngarkimit zbatohen - pavarësisht nga "përjashtimet" nominale për burimin e hapur.

Çfarë duhet bërë?

Siç shprehet eurodeputetja Julia Reda, në postimin e saj përmbledhës të betejës shumëvjeçare për të përmirësuar tekstin e Direktivës për të Drejtat e Autorit: "Mesazhi im për të gjithë ata që morën pjesë në këtë lëvizje: Jini krenarë për sa arritëm së bashku! Ne provuam që qytetarët e organizuar mund të kenë impakt - edhe nëse nuk arritëm “ta vrasim” të gjithë projektligjin. Prandaj mos e humbni shpresën! " Në mënyrë të veçantë:

Një aleancë e re OJQ-sh për të drejtat digjitale, partitë politike dhe personalitetet e medias sociale arritën të politizonin dhe mobilizonin një brez përdoruesish. Njerëz të panumërt u ngritën në sfida të reja: Njerëz me llogari në YouTube papritmas u gjendën në rolin e gazetarëve apo komentatorëve politikë, përdoruesit e internetit u bënë aktivistë dhe organizatorë dhe shumë morën pjesë në protestat e para të jetës së tyre. Këto përvoja do të lënë pas një ndikim të qëndrueshëm.

Kjo është e rëndësishme, sepse shqetësimet dhe besimet e kësaj "aleance " janë të përafruara me ato të komunitetit të softuerit të lirë. Interesi i ri për aspektet e panjohura të botës online dhe softueri i tij është një mundësi që komuniteti i Burimeve të Hapura të rrisë ndërgjegjësimin për atë që bën dhe për të fituar mbështetje. Potenciali për përhapjen e fjalës është i madh: mbi pesë milionë njerëz nënshkruan një peticion në BE kundër filtrave të ngarkimit dhe 200 000 dolën në rrugë për të protestuar. Ku krijohen iniciativa të reja për të drejtat digjitale për të shfrytëzuar mobilizimin e kohëve të fundit të "brezit dixhital", koduesit e lirë mund të ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se burimi i hapur është një pjesë kyçe e zgjidhjes së problemeve.

Një tjetër mundësi është që komuniteti të përfshihet në fazën e ardhshme të luftës kundër filtrave të ngarkimit. Legjislacioni i miratuar vetëm nga BE është ajo që njihet si një direktivë; si i tillë, ai duhet të transpozohet në një ligj kombëtar në të gjitha shtetet anëtare të BE gjatë dy viteve të ardhshme. Si bëhet saktësisht kjo dhe çfarë rezultati sjell, kjo varet nga procesi ligjet e vendeve dhe debate që shoqëron procesin. Ka shumë mundësi për ndryshime lokale në ligjet që zbatojnë Direktivën për të Drejtat e Autorit. Kjo do të thotë se do të ketë beteja të shumta lokale, falë të cilave organizatat që mbështesin burimet e hapura mund të ndihmojnë në zbardhjen e aspekteve më të këqija të ligjit të ri.

Falë transpozimit të direktivës në ligjet kombëtare, do të jetë e mundur të fillohet procesi i sfidimit të filtrave të ngarkimit si të papajtueshme me ligjin ekzistues të BE-së. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë.

Duke supozuar më të keqen, pra që filtrat e ngarkimit do t’u mbijetojnë sfidave ligjore dhe të zbatohen gjerësisht, ekziston një rol përfundimtar që burimi i hapur mund dhe ndoshta duhet të luajë. Direktiva e BE-së për të Drejtat e Autorit ishte një ligj thellësisht i pandershëm, sepse pretendonte se do t’i ndihmonte artistët - një qëllim i lavdërueshëm. Por në të vërtetë, kjo kishte për qëllim të sulmonte Google-in dhe, në një masë më të vogël, Facebook-un. Qëllimi kryesor i tij është t'i detyrojë ata të paguajnë publikuesit e BE-së dhe kompanitë e regjistrimit. Direktiva e BE-së për të Drejtat e Autorit është një përpjekje e gabuar për të kthyer mbrapa orën dhe për ta bërë internetin një medium të pasigurt, të kontrolluar fort, si televizioni.

TemaTv 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.