Ne fitimtarët e 30 qershorit...
Partia Socialiste ka ngushtuar zyrtarisht rrezen e audiencës së vet, duke nisur të bëjë një ndarje artificiale mes atyre që janë pro saj dhe kundër saj. Në një fjalë të mbajtur sot në Parlament, numri dy i kësaj partie, Taulant Balla deklaroi se 30 qershori ishte një fitore e kursit properëndimor të Shqipërisë.
Keqardhje për këdo që nuk ka mundur të votojë, por e rëndësishme është se të paktën e drejta iu garantua. 30 qershorin duhet ta lexojnë qartë dhe duhet falënderuar SHBA, BE dhe OSBE dhe çdo partner tjetër i Shqipërisë, të cilët kontribuuan për të mbështetur kursin properëndimor të Shqipërisë. Ne nuk kemi fituar vetëm betejën zgjedhore, por kemi fituar luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve në Shqipëri. Prej sot, dhe prej 30 qershorit nuk do të ketë kurrë më bojkot dhe as djegie mandatesh dhe nuk do të ketë parti molotovësh dhe jo më PPPd-ra, që doli që nuk kishte burrë nëne që ta deshifronte. Nga sot ne vetë fitimtarët e 30 qershorit do ta ngulisim dhe e kemi kuptuar mirë, sepse ne nuk fituam për faktin se kemi bërë vetëm punë të mira, por garantuam se do të respektojmë rregullat, ligjet dhe kushtetutën. Nuk do të ketë asnjë parti që do të pengojë shqiptarët për të shprehur të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur dhe të zgjidhen. Në 30 qershor nuk u shënua asnjë incident
është shprehur Balla.
Sipas tij, demokracia e re, kjo që u instalua me 30 qershorin, nuk i toleron më instrumentet deri më tani të quajtura demokratike, si bojkoti dhe dorëzimi i mandateve për arsye të cilat mund t’i dijë vetëm z. Balla. Zoti Balla megjithatë duhet të na thotë: kë zgjodhën më 30 qershor shqiptarët? Si mund të flasësh në emër të shqiptarëve me atë pjesëmarrje? Dhe pse i vjen keq për ata që nuk mund të votojnë nëse mospjesëmarrja ka qenë akt i vullnetshëm?
Shikoni se çfarë thotë më tej ky aparatçik socialist që ekziston në politikë vetëm për të fyer jo vetëm inteligjencën e çdo shqiptari, por për të provokuar edhe një krizë shijesh në shekullin e 21-të:
Zemërata në këtë vend ekziston vetëm në ëndrrat e Lulzim Bashës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Zgjedhjet treguan se dhuna dhe zjarri ndaj institucioneve ishin të orkestruara nga opozita e rrugës dhe jo nga opozita e re, e cila meriton respekt. Në këto zgjedhje kemi marrë ekzaktësisht të njëtën votë popullore që kemi marrë në 2017. Nuk ka asnjë bashki të vetme që mund të ketë një votë që mund të kontestohet dhe tani na pret një detyrë për të punuar për reformën zgjedhore dhe nuk kemi kohë për dëngla, por për punë
Sigurisht që në mbrëmje ky njeri mund të thotë një gjë krejt tjetër nga kjo dhe nuk do të ishte hera e parë. Por edhe sikur kjo fjalë të jetë shtirje mund të kuptohet se deri ku është e gatshme të shkojë kjo parti për të kodifikuar si normale një narrativë që është në fakt antiteza e demokracisë.
Ndoshta shumë shpejt, do shpresuar për këtë, zoti Balla dhe ata që e urdhërojnë mund të kenë ndonjë provë të zemëratës në këtë vend që shkon përtej emrave që ai përmend, të cilët në fakt as nuk kanë zemëratë, por thjesht frikë. Sikundër kanë frikë një sërë votuesish që shkuan në qendra votimi për të djegur votën e tyre. Sa për socialistët besnikë është e udhës të konstatohet se ata e kanë trup të huaj demokracinë, ose të paktën lirinë e mendimit, ndaj edhe e sollën vendin në këtë derexhe saqë sot bilbilon për të drejtat një person me emrin Taulant Balla.
Add new comment