Formalisht në votime me vulën e SHBA, por edhe një skenar për ribërjen e zgjedhjeve
Ilir Meta, kur mori pafajësinë për videon me Dritan Priftin, theksonte jo pa qëllim natyrën absolute të vendimit referuar votimit 5 me 0 që morën gjyqtarët e çështjes. Si për ironin edhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor që mbajti në fuqi 30 qershorin u mor me të njëjtat numra, 5 me 0. Në të dyja rastet ka dyshime të forta se drejtësia ka qenë e ndikuar nga presioni politik.
Në gjyqin e Ilir Metës aludohet për ndërhyrjen e Sali Berishës për të favorizuar një vendim pozitiv ndaj ish-partnerit të tij në koalicion. Ndërsa në vendimin e kësaj të hëne të Kolegjit besohet se presioni ka ardhur në mënyrë direkte, apo indirekte nga amerikanët.
Ata mund të jenë garancia e vetme që i lejon kryeministrin t’i qëndrojë idesë për zgjedhje pa opozitën në 30 Qershor. SHBA kanë folur që në fillim për pasojat ligjore të dekretit, zhvillimin e zgjedhjeve në afatet e përcaktuara dhe dënimin e çdo lloj akti dhune që synon pengimin e zgjedhjeve.
Amerikanët nuk janë shprehur asnjëherë kundër zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor apo shtyrje të tyre. Mesa duket ata duan që ato të zhvillohen qoftë edhe formalisht. Kjo mund të interpretohet si kundërvënie ndaj grupimit Meta, Berisha e Basha, se ata nuk mund të dalin mbi ligjin.
Top Channel raportoi për një bisedë telefonike javën e shkuar mes kryeministrit Edi Rama dhe asistent sekretarit për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker, ku theksohet porosia e zyrtarit amerikan për të mos lëvizur nga 30 qershori. Sipas tekstit “Reeker ka ngulmuar gjatë telefonatës për mos bërjen e asnjë hapi pas në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit”
Askush nga ndërkombëtarët nuk ka iluzion se zgjedhjet pa opozitën ku thuajse në gjysmën e bashkive garohet me një kandidatë janë demokratike, por komuniteti ndërkombëtar i quan të ligjshme, aq më tepër që tani ka një vendim gjykate. Ato mund të ribëhen në një moment të dytë dhe kjo është një tezë që qarkullon në rrethet e mazhorancës. Një nga ata që e ka artikuluar këtë mundësi është Pandeli Majko.
“Ne shumë shpejt do të kemi një Gjykatë Kushtetuese. Kjo gjykatë jam i bindur që do të ndajë shapin nga sheqeri, nëse ka të drejtë PD-ja apo PS-ja. Nëse Gjykata thotë se PS-ja ka shkelur ligjin, ka shkelur dekretin, ka shkelur Kushtetutën ne do të shkojmë përsëri në zgjedhje lokale. Por zgjedhjet lokale do të ribëhen me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pas Zotit, në Shqipëri vjen Gjykatë Kushtetuese! Nëse kjo Gjykatë Kushtetuese do të marrë këtë vendim ne do të jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje. Por sot askush nuk mund të na ndalojë dhe të na thotë se ju nuk do të shkoni në votime”. http://www.ekskluzive.al/pandeli-majko-reagon-se-si-do-zgjidhet-kriza-pd-i-ka-te-gjitha-mundesite-zgjedhjet-do-te-ribehen-nese/
Add new comment