Ta lëmë stadiumin pa spektatorë e pa tifozë...sepse në krizë kanë rënë këta*

Postuar në 23 Qershor, 2019 15:23
Stefan Çapaliku

 

Boll e pyes veten dhe sh trëngohem për t’u kujtuar nëse kam plotësuar ndonjë aplikim kur kam qenë ende embrion, domethënë sapo i ngjizur e në bark të s’ime mëje. Nuk kujtohem. E kam fjalën nëse kam marrë ndonjë pyetësor se ku do dëshiroja të lindja. Por, jo. Nuk kujtohem. Për të qenë edhe më i qartë, e pyes veten prapë, që edhe nëse nuk kam marrë a plotësuar ndonjë pyetësor, mos kam bërë unë vetë ndonjë kërkesë me shkrim për të lindur në Shqipëri a shqiptar? Jo. S’ka mundësi. Unë aso kohe s’ishte se dija shkrim dhe këndim. Po, mos kam bërë ndonjë kërkesë me gojë, në formë ulërime? Assesi jo. Unë mësova të flas tepër vonë, madje edhe sot ka raste kur më merret goja. Pra, more zotni, unë jam rastësisht shqiptar. Sot më shumë se kurrë më mbushet mendja se po të më kishte pyetur kush atëherë se ku do doja të lindja, me siguri që do i kisha belbëzuar do emra si: Berlin, Paris, Romë apo… pse jo edhe Lihtenshtejn.

Pra, more i dashur mik, kjo puna e të qenurit shqiptar, duke mos rezultuar si një zgjedhje e imja, më është dukë gjithmonë si një barrë e rëndë dhe edhe e marrë, e çmendur e kam fjalën. E kam ndierë veten si me një thes çimentoje mbi shpinë. Një thes që nuk ke mundësi ta ulësh askund për të marrë pak frymë, se të laget e të bëhet edhe më i rëndë.

Ky fatalitet i yni te politikanët është përkthyer në një veprimtari hajdutllëku. Ata e kanë vjedhur dhe e kanë zhveshur këtë vend, që Zoti e ka dashtë dhe njeriu e ka mallkuar. Kaq shumë e kanë vjedhur sa tani duan edhe ta djegin, që të fshehin çdo gjurmë krimi në këtë tokë, “që s’ka qenë kurrë zgjedhje e veta”. S’e mos vetëm politikanët…Të rrimë shtrembër e të flasim drejt tani. Të gjithë ia kemi hequr nga një cifël, sapo na është dhënë rasti.

Kështu që si shkrimtar, artist e si profesor i letërsisë dhe estetikës e që për rrjedhojë s’më ka hije të hesht në këtë situatë, ju them që është e mira të mos e marrim me yrysh këtë punë. Le ta lëmë një ditë stadiumin pa spektatorë e pa tifozë. Sepse ne në të vërtetë, ende nuk kemi rënë në krizë. Në krizë kanë rënë ata. Dhe po t’u referohemi një prej kuptimeve që fjala krizë ka në greqishten e vjetër, do shohim se krizë do thotë “sitë”. Pra, ata kanë rënë në sitë për të ndarë shapin prej sheqeri.

Dhe kështu mund të përfundojë një dramë e teatrit absurd. Personazhet pyesin veten “Pse?” dhe nuk marrin përgjigje thjesht sepse përgjigjja nuk ekziston. Sepse të lindësh në një vend të bukur, me të gjitha të mirat e Perëndisë dhe të jesh i palumtur, do të thotë të mos kesh mundësi t’i japësh përgjigje pyetjes se: Pse me qenë shqiptar qenka një hall i madh…?

Burimi: Panorama

*Titulli origjinal: Pse me qenë shqiptar qenka një hall i madh…?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.