A do ta kuptojnë njerëzit artin që do të prodhojë inteligjenca artificiale?

Postuar në 20 Qershor, 2019 21:44
Rui Penha, Miguel Carvalhais

 

Nëse supozojmë se vetëdija e mendjeve artificiale bëhet e mundur, ato mendje do të ndjejnë dëshirën për të krijuar art. Por a do të jemi ne në gjendje ta kuptojmë atë? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të shqyrtojmë dy nënpyetje: kur një aparaturë bëhet autore e një vepre arti? Dhe si mund ta përkufizojmë llojin e artit që ajo bën?

Empatia, argumentojmë ne, është forca që qëndron pas kapacitetit tonë për të kuptuar veprat e artit. Mendoni se çfarë ndodh kur përballemi me një vepër arti. Ne pohojmë se, për të kuptuar këtë pjesë, përdorim përvojën tonë të vetëdijshme për të ngritur pyetjen se çfarë mund të na motivojë për të bërë vetë një vepër të tillë arti - dhe pastaj ta përdorim këtë perspektivë në vetë të parë në përpjekje për të ardhur te një shpjegim i besueshëm që na lejon lidhjen me veprat e artit. Interpretimi ynë për këtë punë do të jetë personal dhe mund të ndryshojë në mënyrë të domethënëse nga arsyet e vetë artistit, por nëse i ndajmë përvoja të mjaftueshme dhe referenca kulturore, mund të jetë një gjë e pranueshme edhe për artistin. Kjo është arsyeja pse ne mund të lidhemi në mënyra të ndryshme me një vepër arti pasu mësojmë se është një falsifikim ose imitim: qëllimi i artistit për të mashtruar ose imituar është shumë ndryshe nga përpjekja për të shprehur diçka origjinale. Mbledhja e informacionit kontekstual përpara se të arrijmë në konkluzione për veprimet e të tjerëve - në art, si në jetë - mund të na mundësojë që të lidhemi më mirë me qëllimet e tyre.

Por artisti dhe ne ndajmë diçka shumë më të rëndësishme se referencat kulturore: ne kemi një trup të ngjashëm dhe, me të, një perspektivë të ngjashme të mishëruar. Përvoja jonë subjektive njerëzore rrjedh, ndër të tjera, nga lindja dhe edukimi gradual në një shoqëri njerëzish, nga përpjekja për të luftuar vdekjen e pashmangshme, nga ruajtja e kujtimeve, nga kurioziteti i vetmuar i mendjes, nga gjithëprania e nevojave dhe “lojërat” e trupit biologjik, dhe nga mënyra se si dikton masën e hapësirës dhe kohës që mund t'i kuptojmë. Të gjitha makinat e ndërgjegjshme do të kenë mishëruar përvojat e tyre, por në trupa që do të jenë tërësisht të huaj për ne.

Ne kemi aftësinë të përqendrohemi te personazhet jonjerëzore ose në makinat inteligjente në fiksionin që mban firmën njerëzore, sepse ato janë konceptuar nga qeniet e tjera njerëzore nga perspektiva e vetme subjektive që ne kemi: 'Si do të ishte nëse një njeri sillet si x?'. Në mënyrë që të kuptojmë si të tillë artin e krijuar nga makinat - dhe duke supozuar se kemi një shans edhe ta njohim në radhë të parë - do të na duhej një mënyrë për të përfytyruar përvojën e të qenit një makinë e tillë. Kjo është diçka që nuk mund të bëjmë edhe për qeniet që janë shumë pranë nesh. Mund të ndodhë krejt natyrshëm që ne t’i kuptojmë si art disa veprime apo artefakte të krijuara nga makinat me vullnetin të tyre, por duke bërë këtë, ne në mënyrë të pashmangshme do të antropomorfizojmë qëllimet e makinerisë. Arti i bërë nga një makinë mund të interpretohet në mënyrë kuptimplotë në një mënyrë që është e pranueshme vetëm nga perspektiva e asaj makine dhe çdo interpretim koherent antropomorfizues do të jetë padyshim i huaj nga perspektiva e makinës. Si i tillë, do të ishte një keqinterpretim i artit.

Po nëse ne i japim makinës qasje të privilegjuar në mënyrat tona të arsyetimit, në veçoritë e aparatit tonë të perceptimit, në shembuj të pafund të kulturës njerëzore? A nuk do ta bënte kjo të paaftë për të bërë art që një njeri mund ta kuptojë? Përgjigjja është po, por kjo gjithashtu do t’i bënte veprat e artit të njeriut - jo autentikisht prej makinash. Të gjitha shembujt e deritanishëm të "artit të bërë nga makinat" janë në të vërtetë vetëm shembuj të drejtpërdrejtë të artit njerëzor të bërë me kompjutera, me artistët që janë programuesit kompjuterikë. Mund të duket si një pretendim i çuditshëm: si mund të jenë programuesit autorë veprash arti nëse, shumicën e kohës, ata nuk mund të kontrollojnë - madje as të parashikojnë - materializimet aktuale të artit? Rezulton se kjo është një praktikë artistike jetëgjatë.

Supozoni se orkestra e zonës tuaj po luan Simfoninë nr. 7 të Bethovenit. Megjithëse Bethoven nuk do të jetë direkt përgjegjës për tingujt që prodhohen gjatë ekzekutimit të saj, ju do të thoni se jeni duke dëgjuar Bethovenin. Përvoja juaj mund të varet shumë nga interpretimi i artistëve, akustika e dhomës, sjellja e pjesëtarëve të tjerë të audiencës ose gjendja juaj e brendshme. Këto dhe aspekte të tjera janë rezultat i zgjedhjeve të bëra nga individë të veçantë ose nga ngjarjet që u ndodhin atyre. Por autori i muzikës? Ludvig van Bethoven. Le të themi se, si një zgjedhje disi e çuditshme për programin, gjithashtu luhet “Peizazh imagjinar” No 4 (1951) i John Cage, me 24 artistë që kontrollojnë 12 radio sipas një renditjeje muzikore. Në këtë rast, përgjegjësia për tingujt që dëgjohen duhet t'u atribuohet radiove ose madje edhe fushave elektromagnetike. Megjithatë, formimi i tingujve me kalimin e kohës - përbërja - duhet t’i atribuohet Cage-it. Çdo performancë e kësaj pjese do të ndryshojë shumë në materializimin e zërit, por gjithmonë do të jetë një performancë e “Peizazheve imagjinare” Nr 4.

Pse duhet t'i ndryshojmë këto parime kur artistët përdorin kompjuterë nëse, në këto aspekte të paktën, arti kompjuterik nuk sjell asgjë të re? Artistët (njerëzorë) nuk mund të kenë kontrollin final të materializimit përfundimtar, apo edhe të jenë në gjendje t’i parashikojnë ato, por, pavarësisht kësaj, ata janë autorë të veprës. Materializime të ndryshme të së njëjtës ide - në këtë rast të formalizuara si një algoritëm - janë shembuj të së njëjtës punë që manifeston kushte të ndryshme kontekstuale. Në fakt, një përdorim i zakonshëm i teknologjisë kompjuterike në art është produkt i variacioneve të një procesi dhe artistët përdorin në mënyrë të gjerë sistemet që janë të ndjeshme ndaj kushteve fillestare, inputeve të jashtme ose pseudo të rastësishme, për të shmangur qëllimisht përsëritjen e rezultateve. Të pasurit e një kompjuteri që ekzekuton një procedurë për të krijuar një vepër arti, edhe nëse përdoren proceset pseudo-të rastësishme ose algoritme për mësimin e makinës, nuk është ndryshe nga hedhja e zare për të rregulluar një pjesë të muzikës ose për të ndjekur variacione të panumërta të së njëjtës formulë. Në fund të fundit, ideja e makinave që e bëjnë art ka një traditë artistike, që me kohë e paraprin trendin aktual të veprave të artit të që krijon inteligjenca artificiale.

Arti i krijuar nga makinat është një term që ne besojmë se duhet të rezervohet për artin e bërë nga vetë vullneti i mendjes artificiale, jo për atë që bazohet (ose drejtohet) në këndvështrimin që e vë njeriun në qendër të gjithçkaje. Në aspektin njerëzor, veprat artistike të makinave do të vazhdojnë të jenë procedurale, algoritmike dhe kompjuterike. Ato do të jenë gjeneruese, sepse ato do të jenë të pavarura nga një artist njeri. Ato mund të jenë interaktive, me njerëz ose sisteme të tjera. Por ato nuk do të jenë rezultat i një vendimi të nxitur nga njeriu te makina, sepse e para - vendimi për të bërë art - duhet të jetë rezultat i vullnetit, qëllimeve dhe vendimeve të një makine. Vetëm atëherë nuk do të kemi art njerëzor të bërë me kompjutera, por art të mirëfilltë të makinave.

Problemi nuk është nëse makinat do të zhvillojnë ose jo një ndjesi të vetes që të çon në një padurim për të krijuar art. Problemi është se nëse - ose kur – ato e bëjnë, ato do të kenë një Umëelt të tillë të ndryshëm që ne do të jemi krejtësisht të paaftë ta lidhim veten me të nga perspektiva jonë subjektive. Arti i bërë nga makinat gjithmonë do të shkojë përtej aftësisë sonë për ta kuptuar, sepse kufijtë e të kuptuarit tonë - në art, si në jetë - janë ato të përvojës njerëzore.

Përktheu: Gazmira Sokoli

Burimi: Aeon

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.