Meta, vizat dhe fisheku rezervë
Në mes të zallamahisë që ka krijuar nisma për shkarkimin e tij, Presidenti Meta ka gjetur kohën të lexojë një njoftimi të Komisionerit për Migrim, Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë.
Është normale që jo vetëm presidenti, por çdo shqiptar të jetë i shqetësuar se mund t’i rikthehen vizat me Europën. Me këtë të fundit në fakt ne shqiptarët nga më protokollari deri te më pak i rëndësishmi i kemi rënë gjithmonë shkurt dhe apeli i Presidentit e vështirë të thuhet se çfarë valence mund të ketë.
Presidenti ka bërë thirrje, “të merren urgjentisht masat e nevojshme duke mos neglizhuar apo anashkaluar asnjë përgjegjësi që do të dëmtonte dhe prapësonte heqjen e vizave për shqiptarët”. Nuk kuptohet nëse mesazhi i Presidentit duhet lexuar me shumë si thirrje për shqiptarët që jetojnë jashtë, në Spanjë, Holandë, Gjermani apo Belgjikë apo për ata që e gdhinë dhe e ngrysin në Shqipëri.
Është Holanda që na kërcënon me rikthimin e vizave dhe që në fakt e ka problemin me disa shqiptarë që jetojnë aty me djersën e trafikut dhe jo me korrupsionin që provojnë në lëkurë shqiptarët rezidentë të Shqipërisë.
Kësisoj edhe Presidenti si simbol i Unitetit të Kombit nuk i ka përjashtuar edhe ata. Brukseli i ka dhënë provat qe na fut në konakun e vet me të mirën dhe të keqen që kemi brenda 28 mijë kilometrave katrorë. The miracle of freedom përfshiu brenda edhe Gërdecin edhe zullumet e tjera. Megjithatë NATO na futin në gjirin e vet. Kjo mrekulli që i ndodh një shteti harmaqello mesa duket ka qenë motivim për zotin Rama të punojë pa stresin e e zullumqarit, edhe pse ky i fundit përbetohet për gabime pa dashje me vlerë milionë euro. Askush nuk po ja tërheq veshin për korrupsionin, Europa siç na thotë e sheh gotën gjysmë plot.
Edhe kur na ngeci sharra në gozhdë me statusin, hyri në lojë parimi më jep të të jap. Çekia që kishte Presidencën e radhës mori OSHEE-në pa Sahit dollapin brenda dhe mrekullia ndodhi për herë të dytë. Pse të mos ndodhë edhe ketë radhë, fishekun e OSHEE-së e kemi rezervë, pamvarësisht bilanceve të zotit Çela. Dyqani i ofertave është i hapur dhe në këtë pikë ku i dihet kë presim të trokasë, hollandezin, danezin, francezin apo berlinezin. Kush tha që një mrekulli tjetër nuk mund të ndodhë...!!!
Add new comment