Shqipëri e Vishisë, apo Shqipëri e Normandisë? A duhet hapur çështja e dëmshpërblimeve të LIIB?
Në revistën online “Peizazhe të Fjalës” është publikuar së fundmi një shkrim mbi një aktivitet të zhvilluar në Bavari të Gjermanisë lidhur me aktivitetin ushtarak të Divizionit të parë Malor dhe masakrat e tij në Greqi dhe Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autorët Mikaela Minga dhe Salian Çullhaj sjellin në vëmendje krimet e këtij divizioni të cilat në Ballkan zënë një vend jo të vogël në kuadër të një aktiviteti më të gjerë që nis nga Polonia, vijon në Rusinë Sovjetike e përfundon në Jugosllavi. Në aktivitetin e këtij viti ishte ftuar edhe një grup nga Shqipëria përfaqësuar nga një e mbijetuar e masakrës së Borovës, Pandora Ndoni.
Shkrimi në fjalë është bërë shkas për një koment të juristit Agron Alibali sipas të cilit masakra në fjalë, por edhe të tjerat, e kryera nga ky divizion dhe të tjerë justifikojnë kërkesën për dëmshpërblime. Alibali sjell në vëmendje një raport të OSS-së dhe Misionit Amerikan në Tiranë në fillim të vitit 1945 që përshkruan “gjendjen e tmerrshme” siç shkruan ai në Shqipërinë e Jugut. Në dritën e zhvillimeve nga Greqia, por edhe nevojës që lufta të vlerësohet për atë që ka qenë realisht dhe larg tamtameve elektorale, duhet që edhe Shqipëria të konsiderojë kërkesën për dëmshpërblime ndaj Gjermanisë.
Karakteristikë e qëndrimit grek është vendosmëria, guximi, argumentimi i plotë juridik dhe bashkëpëlqimi e mbështetja nga të gjitha palët politike…
shkruan Alibali duke shtruar pyetjen:
Po Shqipëria?
Sipas tij vendi ynë dhe klasa politike nuk e vë ujët në zjarr për një çështje të tillë e cila prevalon për nga interesi i shoqërisë edhe mbi integrimin në BE.
Indiferenca e çuditshme që vërehet në këtë rast, por edhe për përkujtimin e 75 vjetorit të Çlirimit të vendit në Shqipëri, si dhe debatet e pabukë, ngandonjëherë të bëjnë të ngresh pyetjen retorike: Si e shikojnë vendin e tyre brezi i sotëm i shqiptarëve: si pasardhëse e “Shqipërisë së Vishisë” apo e “Shqipërisë së Normandisë”?
shton ai.
Është një temë themelore për rendin aktual politik në Shqipëri ku nuk është kuptuar asnjëherë se paqja që gëzojmë sot, në një mënyrë apo në një tjetër lidhet me atë që ndodhi dekada më parë. Por në të cilën mesa duket nuk besojmë, thjesht përfitojmë dhe parazitojmë.
Add new comment