Elozh për çmendurinë

Postuar në 13 Qershor, 2019 23:11
Biagio Riccio

Ka aftësinë për t’i bërë njerëzit të lumtur. Ua vë veshin sharlatanëve në shesh, grindavecëve, të çmendurve. 

Kënaqësia është e tillë vetëm nëse ka brenda pak çmenduri: e ëmbël është jeta në mungesë të plotë të aryetimit.

Edhe perënditë plot hir, rini dhe lumturi kërkojnë e kërkojnë këtë lloj çmendurie.

Arsyeja sjell rigorozitet e ashpërsi dhe çon në zgjidhjen e proceseve matematikore më të vështira. Por është e mërzitshme. 

I bukur është ndërkohë pasioni që tendos zemërimin dhe i jep ngjyra dashurisë, që thyen çdo zinxhir. Por njësoj si zemërimi, si një gur mbi gjoks, dhe pasioni që rrjedh nga zemra, janë plot me çmenduri të përjetshme.

Të qeshurat, kërcimet dhe shakatë që thyejnë mërzinë e mbledhjeve dhe shpërndajnë shijen e argëtimit, janë çmenduri.

Dy janë pengesat kryesore për njohjen e gjërave: turpi që errëson shpirtin dhe frika që, në rast rreziku, na pengon të bëjmë hap para. Çmenduria i liron të dyja mrekullisht. Kurrë mos u turpëroni dhe guxoni për gjithçka.

Gjendja në të cilën ndodhen të çmendurit, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse një lumturi që kushton pak. 

Është e vërteta ajo që shkëlqen në këtë paturpësi. Këta të çmendur prishin njëtrajtshmërinë e arsimimit tonë.

Rastis një i tillë në çdo grup shoqëror, është një një copëz tharmi që fermenton dhe i rikthen secilit një pjesë të individualitetit të tij të natyrshëm.

Ai trazon, shqetëson, miraton ose fajëson, nxjerr të vërtetën, demaskon të këqijtë, siç ka thënë Erasmusi i Roterdamit.
Çmenduria ndërpret veprimin, hap boshllëk, shënon një kohë heshtjeje, imponon një pyetje pa përgjigje.
Çmenduria çrregullon vendosmërinë për atë që është e domosdoshme dhe merr të gjithë lirinë e euforisë.
Ajo sfidon çdo rregull, thyen çdo kufi: është plotësisht e paparashikueshme. I jep shpirt kërcimit dhe lutjes së Dionisit.

Bën të çmendet Orlandon e Ludovico Ariostos, sepse humb dashurinë: humbja e dashurisë është dhimbja që bën të harrohen të tjerat. Dhimbja që nuk ka zë të ankohet apo lot për të qarë.

Çmenduria e bën të pamundur - siç na mëson Faucault – lidhjen heterogjene, sepse ajo homogjene është e mirëqenë. 

Çmenduria është pabarazi, elozh për kontradiktoren, shmangien nga normaliteti.
Është plotësia e pranisë dhe e formës së zbrazëtisë, e mungesës, e boshllëkut.
Çmenduria është liria që mund të kuptohet vetëm nga lartësia e fortesës ku ajo mbahet robinjë.
Është çudi e ligjshme, një figurë e paepur e gjendjes njerëzore e bërë pikërisht nga “drurët e shtrembër”.

Është lirika që përhapet në poezinë e këngëtarëve të kohës, që nuk mund të jetë gjithmonë njësoj, sikurse kalbësirat e detit: ajo pret stuhinë dhe e përfshin të tërën, është dashuria e çmendur që i rrëzon yjet nga qielli.
Çliron heshtjen e mbledhur në grykë, fjalën e mbytur dhe shtyn përpara revolucionet e historisë, kur ato përzënë pushtetet.

Është gjuha e shpërbërjes, rrëfimi i paturpshëm që u heq masën e hipokrizisë farisejve dhe monumenteve plot zbukurime.

Është e vërteta më e lartë në skenën e dijes, e cila na çliron nga errësira dhe na jep kthjelltësinë e dritës.
Është dallimi, distanca, vetëdija e ndryshimit.
Është transgresion, zbulim i sekreteve, rrëfim i asaj që nuk mundtë rrëfehet.
Ajo bërtet me zë të lartë kur ligji është i padrejtë dhe imponohet nga një forcë shtrënguese e paligjshme.

I takon asaj të thotë atë që nuk mund të thuhet, për t'u mbrojtur nga pushteti dhe për të marrë përsipër skandalin. 

Është paturpësi, si epshi i trupave dhe i shpirtit.
Ajo drejton gjithçka që është e lehtë, e lumtur, e papeshë në botë.

Është ajo që i bën njerëzit të lumtur, ashtu siç bëri me perënditë romake.
Çmenduria është liria e mendimit, shpirti i herezisë.
 

Burimi: https://www.glistatigenerali.com/filosofia_letteratura/elogio-della-follia-2/?fbclid=IwAR3QCHjLtWsMZ7HM4ZHNejwD3dPpmfAjGXV4iVgHnulwRzG846Upoj5xSGM

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.