Strategu i Tiranës rikthen tezën e kërcënimit rus

Mediat që bëjnë llustraxhiun e pushtetit të sotshëm kanë nxjerrë në pah një element të konferencës të përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg. Ata janë pyetur nëse në zhvillimet aktuale politike të Shqipërisë po ndikon Rusia. Stoltenberg ka thënë:
…Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes proceseve demokratike. Zgjedhjet janë një element thelbësor i proceseve demokratike në shtetet anëtare të NATO-s, prandaj u bëj thirrje të gjithë palëve të marrin pjesë në proces. Palët të zgjidhin problemet përmes dialogut. Kemi parë përpjekjet e Rusisë për t’u përfshirë në institucionet e vendeve demokratike, duke u përfshirë edhe në institucionet e NATO-s
Kryeministri i Shqipërisë tha:
Së pari nuk është sekret, që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-s, si dhe ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, dua të nënvizoj se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte një njollë turpi për ne, si një vend i NATO-s. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s e as të BE. Si e tillë, me apo padashje çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk e duan integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si në NATO ashtu edhe në BE
A merr vesh kush këtu se cilat janë synimet e Rusisë? Strategu i Tiranës, fatkeqësi e këtij vendi, ka vetëm një ide fikse: si të njollosë opozitën. Mirëpo me fjalët e tij ne kemi dëgjuar se rruga që po ndjek opozita e tanishme është vetëvrasje politike, ndërkohë që Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave. Pra kriza nuk dha atë faturë që do të dëshironte Rusia e portretizuar kështu siç do zoti Rama.
Kush do të investonte mbi një kufomë politike dhe mbi një politikë të vdekur? Kryeministri është kontradiktor sepse nuk e lexon dot qartë situatën që ka përpara dhe ka gjetur Rusinë si alibi, ndëkrohë që nuk zë në gojë mikun e tij Erdogan që ka probleme jo të vogla me Perëndimin.
Nga ana tjetër nuk duhet injoruar edhe fakti se politika e jashtme e Rusisë formalisht nuk e kundërshton zgjerimin e BE-së, por vetëm të NATO-s, ndërkohë që ambasodori i saj në Tiranë ka kohë që kërkon ngritjen e nivelit të komunikimit dhe shkëmbimeve tregëtare. Është e paqartë se cilat janë synimet e Rusisë me PD-në, në këtë formë siç na paraqiten. Të paktën strategu i Tiranës të na i shpjegojë pa hedhur fall se kjo çon atje dhe atjeja, të dërgon përtej.
Add new comment