30 vjet pas Tienanmenit, publikohen diskutimet në Byronë Politike Kineze

Postuar në 01 Qershor, 2019 00:59

Demokratizimi dhe hapja, ja dy mjete me të cilat mund të kërkosh zgjerim të lirive, por që në një pikëpamje mund edhe të destabilizosh regjime të caktuara politike. Perëndimi nuk ka patur ndonjëherë në dispozicion asnjë mjet më efikas gjeopolitik sesa promovimi i ideve liberale. 

Në emër të tyre kanë zbritur në sheshe mijëra njerëz që kanë tentuar ndryshime radikale politike të cilat janë përqafuar më shumë si receta ideale sesa janë imponuar si shprehje e një vullneti të brendshëm. 

Kina qëndron sot si kundërshtari më i madh që nga rënia e Bashkimit Sovjetik pasi ajo ka eksperimentuar me sukses një sistem që siguron rritje ekonomike dhe modernizim të vazhdueshëm dhe kapilar pa hequr dorë nga kontrolli politik autarkik. 

Përkundrejt këtij monoliti që përgënjeshtron formulën “demokraci=zhvillim” Perëndimi ka dy mjete që janë shprehje e strategjisë së demokratizimit: pakicat dhe promovimi i kërkesës së natyrshme për zgjerim të të lirive jo si sugjerim nga jashtë, por si pasojë e pasurimit të klasës së mesme.

Përkujtimi i ngjarjeve të sheshit Tienanmen, ndodhur në qershor të vitit 1989, është një mënyrë për ta vendosur Kinën në kontekstin e një vendi të madh që ka probleme kohezioni me zhvillimet e shekullit të 21-të. 

Së fundmi po njoftohet se diskutimet e zhvilluara në Byronë Politike kineze në qershorin e vitit 1989 do të publikohen nga një revistë në Hong Kong, New Century Press nën titullin: Sekreti i Fundit: Dokumentet përfundimtare nga kriza e 4 qershorit”.

Lidhur me këto dokumente, revista e njohur “The Foreign Affairs” shkruan se botuesi kinez i ka marrë dokumentet nga një zyrtar që mundi t’i kopjonte. Sipas interpretimit që u bëhet këtyre dokumenteve konkuldohet se drejtuesit kinezë nën drejtimin e Deng Xiaoping ranë dakord se: 

a)    Partia është nën rrethim permanent nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. 
b)    Reformat ekonomike duhet t’i nënrenditen disiplinës ideologjike dhe kontrollit social. 
c)    Partia do të rrëzohet ndaj armiqve të vet nëse lejon që të përçahet. 

Protesta e vitit 1989 u nxit nga vdekja e liderit popullor kinez, Hu Yaobang, në prill të atij viti, dy vjet pasi ishte shkarkuar nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Kineze për shkak se ishte shumë liberal. 

Studentët u mblodhën në Tienanmen për të kërkuar liberalizimin e jetës politike sipas vizionit dhe qëndrimeve të Hu. Në shtatë javë Byroja Politike Kineze diskutoi sesi duhet t’i përgjigjej situatës, ndërkohë që protestuesit po shtoheshin. Në këtë situatë Deng urdhëroi vendosjen e ligjit ushtarak dhe pasi studentët vendosën të kalojnë  në grevë urie, ai urdhëroi ndërhyrjen ushtarake. 

Nga shqyrtimi I dokumenteve rezulton se brenda Byrosë Politike nuk kishte një vizion sesi duhej përgjigjur ndaj asaj që po ndodhte, edhe pse në përgjithësi pranohej në bllok se situata sponsorizohej edhe nga jashtë Kinës. Revista shkruan se Byroja ndahej mes të moderuarve dhe vijës së ashpër me sekretarin e Përgjithshëm, Zhao Ziyang, si përfaqësues kryesor të idesë së duhej adoptuar një vijë pajtimi. Deng veproi shpejt dhe e shkarkoi Ziyang duke e izoluar me arrest shtëpiak deri në vitin 2005 kur edhe vdiq. Në datat 19-21 qershor Byroja Politike zhvilloi disa mbledhje të zgjeruara për të sqaruar përfundimisht rreshtimin në krah të Dang dhe përjashtimin e Ziyang. 

Në këto takime ku morën pjesë të paktën 17 persona, u konfirmua besnikëria ndaj qëndrimeve të Deng, prezantuar në një fjalim të datës 9 qershor ku ai shprehte mirënjohjen për trupat ushtarake si dhe u miratua një fjalim I rivalit të Ziyang, Kryeministrit Li Peng. 

Anëtarët e Byrosë vlerësuan dhe ranë dakord se situata mori përmasën e një proteste kundër-revolucionare në datën 2 qershor kur studentët u rezistuan hyrjes së trupave ushtarake në Pekin. 

Diskutimet e pjesëmarrësve u përqendruan në idenë se Kina po përballej me një përpjekje subversive. 

Faktet provojnë se turbullimet e muajve të shkuar, që në fund u zhvilluan në protesta kundër-revolucionare, ishin rezultat i lidhjeve mes forcave kundër-revolucionare të brendshme dhe të jashtme, pasojë e një lulëzimi të gjatë të liberalizimit borgjez. Synimi i tyre ishte një plan i egër i përmbysjes së lidershipit të Partisë Komuniste Kineze, përmbysjes së Republikës Popullore të Kinës dhe vendosja e një republike borgjeze, antikomuniste, antisocialiste dhe nën vasalitet të plotë të Perëndimit

citohet marshalli në pensioni, Xu Xiangqian. 

Rëndësia e këtyre dokumenteve qëndron në faktin se ato zbulojnë së paku dy gjëra
Së pari se reformët e Deng Xiaoping nuk kishin funksionuar dhe së dyti se kriza e Tienanmenit përveçse një simptomë për regjimin, evidentoi edhe një situatë delikate, në mos kritike për ekuilibrin në parti. Deng e ktheu situatën në favor, por me koston e qëndrimeve inkoherente dhe me një riformulim të metodave të kontrollit. 
FA shkruan se që nga koha e Deng asnjë drejtues kinez nuk e pati partinë realisht nën kontroll deri në kohën e Xi Jinping që ka arritur suksese në ekonomi, por që ka ende probleme politike qoftë edhe në përballjen me situata të tilla që në dritën e dokumenteve në fjalë provojnë brishtësinë e pushtetit të komunistëve kinezë. 

Comments

Submitted by Argjirokastriti (not verified) on

Koncerti ne fund te Dimrit, lexohet si i shkruar sipas Shenimeve per Kinen, jo sic paska valuar situata reale ne Pekin. Letsrsia edhte diktuar nga politika.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.