Gardisti i grupit të zjarrit dhe amnistitë naive të PD-së

Postuar në 27 Maj, 2019 10:57

Kandidimi nga Partia Socialiste i Agron Malajt për bashkinë e Matit ishte një prej lajmeve që mori fillimisht vëmendjen e mediave e më pas edhe të PD-së, për faktin se Malaj ka qenë pjesë e grupit të zjarrit të Gardës, që në 2011 u akuzua nga ish-opozita socialiste për vrasjen e 4 protestuesve në 21 Janar.

Një lloj martese e "xhelatit me viktimën" që ndonëse kompromenton hapur PS dhe lidershipin e saj, në fakt nuk duhet të suprizojë askënd, pasi këtë amoralitet i ashtuquajturi elektorat socialist e legjitimoi pa ndonjë siklet në 1 Prll të 2013, kur kryetari i tyre firmosi për bashkëqeverisje me Ilir Metën, për bllokun e të cilit socialistët dolën në rrugë më 21 Janar duke lënë katër shokë në bulevard.

Gardisti që fillimisht u shkarkua nga Tahiri, por që më pas u gradua nga zoti Rama vijon të sulmohet nga PD, me një argument që ndjekësit e zotit Basha e shpalosin si standard moral në politikë. Kreshnik Çollaku mes pyetjeve që i drejton zotit Malaj është sesi ka mundur të marrë pafajësinë për 48 orë? https://mattv.al/collaku-sulmon-kandidatin-e-ps-per-bashkine-mat-malaj-si-ka-mundesi-qe-tradhtove-koleget-e-tu-gardiste/?fbclid=IwAR32bpyJ3BKpjoejzki0pK_5DWFqmemqMRXxF2bLsRNox8BugTsIWkr9KqE

PD lë të kuptohet se gardisti mund të jetë edhe i fajshëm, pa menduar se kjo është një akuzë që implikon gjithë zinxhirin komandues të gardës, përfshi edhe drejtuesit politikë të qeverisë së atëhershme, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Nëse zoti Malaj është i fajshëm atë çfarë duhet të themi për fajësinë e ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-kryeministrit në ngjarjet e 21 Janarit? Mos po aspiron PD një mbrojtje të tyre nga zoti Rama ashtu siç po aludohet për gardistin e grupit të zjarrit?

Ky nuk është rasti i vetëm në fakt që kryeministri ka graduar njerëz të PD-së të cilët i ka sulmuar në opozitë. Kujtojmë mbështetjen që mazhoranca i dha ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Këtë lidhje PD çuditërisht e amnistoi, edhe pse bëhej fjalë për një ish-figurë kryesore të saj. Arsyet mesa duket janë të brendshme dhe  cëcshtje konfidenciale të partisë së zotit Basha që relativizon opozitën sipas emrave të caktuar dhe një morali që vetë nuk e mishëron.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.