Presidenti lokalizon krizën te një individ
Situata që po kalon vendi ka vendosur palët në një fushë veprimi, ku cdo lëvizje është e kushtëzuar nga kokëfortësia e kryeministrit për të mos pranuar problemet me qeverisjen e tij dhe sidomos me njerëzit që janë nën hetim për ndërhyrje në zgjedhjet e 2017. Presidenti Meta, të cilin partitë e vogla të opozitës e ftuan të thërrasë një tryezë politike, mesa duket nuk ka ndërmend të bëhet protagonist, duke e shfaqur hapur se ky qëndrim i shërben lokalizimit të problemit që ai lë të kuptohet se është Edi Rama.
Meta deklaroi sot se vendi po shkon drejt përplasjes civilie për interesa tërësisht egoiste dhe okulte. Pa përmendur emra, Meta thotë se është përgjegjësi e klasës politike të mos i çojë shqiptarët në konfrontim me njëri-tjetrin.
Mendoj që kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vjetësh, që kur Shqipëria u nda me vitin1997, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin 1990.
Qëndrimi i Metës është edhe më i qartë kur pyetet për deklaratën e kryeministrit se presidenti nuk i ka ftuar palët në një tryezë për të zgjidhur krizën politike. Presidenti thotë se "askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë te të tjerët aq më tepër te Presidenti i Republikës dhe se ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshme për pasojat që do të kenë në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit”.
Add new comment