Edhe bojkot edhe fut komisionerët në zgjedhje
Përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, PD bëri të ditur se ka dërguar në KQZ emrat e anëtarëve që i takojnë PD në Komisionet Zonale Zgjedhore.
Argumenti është ky:
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshëmritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit”-thuhet në një reagim.
Gjithsesi ky pretendim ngjan disi absurd përderisa PD dhe LSI e kanë bojkotuar procesin zgjedhor, të cilin në mungesë të opozitës e quajnë ilegjitim, madje kanë paralajmëruar se nuk do ta njohin. Përfshirja e komisionerëve të opozitës në zgjedhje ose është pjesë e skenarit për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve ose në të kundërt është gati të marrë pjesë në to.
Add new comment