Sëmundja e pashpjegueshme e vetëkënaqësisë
Një lajm i mirë për kombin shqiptar: Besa Shahini, aktualisht ministre e Arsimit në Shqipëri, do të jetë gjatë në politikën shqiptare në Tiranë. Zonja e njofton haberin në një intervistë për gazetën “Mapo”, përmes së cilës bën me dije se është një gjë shumë e mirë që z. Rama hapi PS-në dhe qeverisjen për kosovarët.
Një gjë është bërë e mundshme me vendimin kurajoz të Partisë Socialiste që të hapet ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe karrierat politike e kontributi shoqëror të mos jetë më i kufizuar brenda kufijve shtetërorë, por të jetë fluid. E shoh të mundshme që të shërbej në Kosovë për një kohë dhe të kthehem prapë në Shqipëri, apo edhe të shërbej në Shqipëri pa ndërprerje për të mirën e përbashkët publike.
Është një nder i madh që të shërbej në Shqipëri si ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Unë kam mbi 15 vite pune ndërkombëtare në analiza dhe advokim të politikave publike në përgjithësi, si dhe politikave arsimore në veçanti. Kjo u reflektua edhe gjatë intervistave të shumta që kisha me stafin e kryeministrit para se të emërohesha zëvendësministre.
Ajo që është impresive dhe jo e zakonshme, e cila ka mundësuar edhe ardhjen time në Shqipëri, është vendimi i kryeministrit që në kabinet qeveritar të ketë profesionistë të fushave që qeverisin dhe të ketë më shumë gra se burra. Jo vetëm në Ballkan, por as në BE, nuk ka qeveri të përbërë me një shumicë kaq të madhe të grave. Nga 13 ministri, 8 udhëhiqen nga gratë. Kjo është një arritje e madhe. Gratë qeverisin ndryshe dhe Shqipëria do të jetë tjetër për shkak të grave që udhëheqin në qeveri
shprehet miistrja Shahini.
E cila me vendimet e veta të fundit si p.sh rishpërndarja e seksioneve të arsimit ka provokuar debate. Zonja flet për shërbim në Shqipëri, por përshkruan me këtë rast një situatë idilike kur flet për intervistat, tërheqjen e profesionistëve etj., duke i hedhur ca erëza patriotike muhabetit kur flet për kosobvarët që vijnë në qeverinë e Shqipërisë.
Është fatkeqësi të shohësh sesi njerëz të shkolluar në Perëndim si zonja Shahini, apo zoti Cakaj, i përgëzoheh vetes dhe kryeministrit në “vizionin” e tij për të marrë kosovarë në qeverisje. Kjo lidhje apo ky tutkall patriotik nuk pi më ujë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të dështuara, me popullsi që dëshiron ta lërë vendin dhe me klasë politike dhe drejtuese që është kapur në flagranë duke vjedhur për dekada.
Kujt I shërben zonja, mund të na e thotë? Kujt qëllimi, cilit projekti dhe cilës axhende? Vallë nuk e kupton ajo që përveç se një profesioniste shumë e mirë që mund të jetë, është edhe dekor në këtë luftën e brendshme politike dhe personale të z. Rama?
Është fatkeqësi nëse nuk e kupton, qoftë edhe për faktin se perceptimi në një pjesë njerëzish është i tillë. Dhe perceptimi ka rëndësinë e vet sepse përkufzion imazhin publik të një njeriu publik si zonja në fjalë.
Qeveria e Shqipërisë do të bënte mirë të rekrutonte profesionistë ngado për të çuar punët përpara. Kjo është bota e shekullit të 21-të dhe jo ndonjë shpikje shqiptare. Nuk ka asgjë të keqe në këtë drejtim. Por çdo politikë ka bilancin e vet dhe vlerësohet nga ky bilanc. Sot që flasim ne nuk e dimë se çfarë të themi për rezultatet e punës së znj. Shahini dhe z. Cakaj, dy ministra “që flasin pakëz ndryshe”. Jo se ministrat e tjerë vlejnë, por meqenëse të dy këta i kanë caktuar vetes edhe detyrën që të provojnë se “kosovarët vlejnë”.
Zonja fyen çdokënd, qoftë edhe me naivitetin e vet, kur thotë se do “jem gjatë në politikën e Tiranës”. Është koha ndoshta të hapë sytë dhe mendjen: Zonja Shahini nuk ka qenë për asnjë ditë dhe nuk është në politikën e Tiranës. Ajo drejton një ministri, është emëruar aty si zgjedhje personale e një njeriu. Të jesh në politikë është tjetër gjë. Mundet edhe të katapultohesh, por duhet ta provosh veten se Fjala dhe aktiviteti zë vend. Pak duket se ka shenja të tilla për zonjën.
Duke i uruar suksese të mëdha në projektin e kthimit të Shqipërisë një bahçe me lule, pse jo edhe lule hashashi, do ftonim modestisht që ministrat e Rilindjes t’I thërrasin kaplloqes e të kujtohen sa herë dalin në media se kanë me vete faturën e urrejtjes ndaj të parit të tyre. Kjo që t’u dalë rakia se po bëjnë revolucion e po ndryshojnë ndonjë gjë. Kurt ë bien me fytyrë plasur nga pushteti do zgjohen, por atëherë do jetë pak vonë dhe ç’është më e lezetshmja, në atë lloj moti, janë njerëz të tjerë ata që qëndrojnë.
Add new comment