Borchardt jashtë loje, OSBE e Vjenës: Mos e zgjasni më krizën!
Vajtimi publik i mazhorancës kundër një parrulle në pallatin ku është rezident kreu i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt dhe thirrjeve të një grupi të rinjsh i dha një dramacitet të panevojshëm incidentit që në fakt duket se nxori jashtë loje zotin Borchardt.
Ai nuk lexohet si i barazlarguar nga palët dhe kjo mesa duket ka nxitur selinë e OSBE-së në Vienë të dalë me një deklaratë të sajën për situatën politike në Shqipëri. Në të thuhet se rruga e vetme e zgjidhjes së krisës është dialogu i brendshëm pa ndërhyrjen e të huajve, çka krijon një perspektivë tjetër edhe për mazhorancën.
“Zgjatja e krizës do të pengonte, pashmangshmërisht, përparësitë strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ka ardhur koha të krijohet një platformë vendase për dialog, e cila të përfshijë të gjithë aktorët relevantë, përfshirë të gjitha partitë, shoqërinë civile dhe botën akademike, për të kapërcyer dallimet dhe për të punuar së bashku në shërbim të interesit më të lartë të Shqipërisë”-thuhet në deklaratë. I mbetet qeverisë të krijojë kushtet për një tryezë politike, nga e cila do të mundësohet me shumë gjasë hyrja e opozitës në zgjedhje mesa duket përtej qershorit.
Add new comment