Emigrantë ishim, Rilindja do na bëjë turistë në vendin "tonë"

Postuar në 25 Prill, 2019 14:54

 

Piramida, atraksioni më i ri në kryeqytet

Me këtë titull e tregëton Agjencia Telegrafike Shqiptare lajmin për projektin e shndërrimit të ish-muzeut të Enver Hoxhës në një qendër teknologjie dhe inovacioni. Konceptim më i përkundërt me origjinalin nuk mund të gjendej: nga një objekt që tregon dhe konservon, në një hapsirë që promovon të renë. Historia është aty në fakt, sepse koha do të ikë dhe emri do të mbetet sfidues: Piramida e Enver Hoxhës.

Nga ky vështrim shndërrimi i objekteve duke ua mohuar dhe vjedhur origjinalin u ngjan atyre xhamive që u ndërtuan mbi kisha, duke hedhur një cipë gëlqereje mbi afresket dhe muralet. Por nuk është ky aspekti më i rëndësishëm. Në fund të fundit, elita e sotme e PS-së është një komposto e trashur shumë e bijve të drejtuesve të fundit të nomenklaturës së regjimit të Enver Hoxhës, lindur e rritur në Tiranën që deri më dje e shijonin si të parët, kurse sot po e privatizojnë.

Zoti Rama parlajmëroi zhvillime të reja në sheshin “Skënderbej”, i cili më shumë sesa një hapësirë e përbashkët qytetare, po kthehet në një pikë urbane ku kryeministri personalizon vegimet e veta për zhvillimin. Muzeu Kombëtar do të prishet, Teatri i Kukullave po ashtu. Teatri Kombëtar e ka nisur rrugën, ndërkohë që Pedonalja ngjitur me të do të prishet. Në vend të tyre do të ndërtohen kulla, kulla të shumta me shërbimet përkatëse. Nuk po pyesim se nga vijnë këto para, por se çfarë do të prodhojë kjo.

Kryebashkiaku Veliaj flet për një Tiranë policentrike. Nëse është kështu, Qendra e saj, për një kohë të gjatë zonë e pelegrinazhit të përditshëm dhe të gjithfarëllojshëm do të mbyllet në vetvete si zonë e të privilegjuarve ku qytetarët do të vijnë përherë e më rrallë. Ose si turistë që gëzojnë këto atraksionet e reja me të cilat sot pusheti po na kënaq duke na i trumbetuar si arritjet e reja që janë prona e jonë.

E vërteta është krejt ndryshe. Kullat do të ritarifojnë qëndrimin në këtë zonë, do ta bëjnë atë më afër një ndjesie rezidenciale, vend i zengjinëve të rinj që pas këtij procesi do kenë vetëm një zehe për t’u marrë: do tregojnë historinë që duhet në mënyrë që në trutë e njerëzisë të ngulitet horizonti i palëvizshëm se vetëm ata mund ta bëjnë këtë vend. Do ta thonë këtë ndërkohë që do jenë duke e gëzuar si bijtë e hajdutëve të sotshëm që në fund do vjedhin edhe historinë, duke treguar armiqtë, duke tallur dhe përgojuar çdokënd që mendon ndryshe.

Tirana e atraksioneve është ajo që e kthen shqiptarin e zakonshëm në turist në vendin e tij, është një lloj koorporate investimesh që shpronëson publikun në emër të zhvillimit që ka të njëjtët përfitues. Të njëjtat iniciale dhe të njëjtat duar. Qyteti do të lindë dhe mbetet vetëm aty ku pasuria qarkullon në duart e duhura, pjesa tjetër le të shohë protestën e Astirit si një novelë të Leonardo Shashës. 

Rend dhe fukarallëk, ja formula që u duhet këtij mileti. Kujt i pëlqen mirë, kujt jo, të mbathë opingat e të ikë. Nuk ka sy të shohë atraksionet e mrekullueshme të Tiranës dhe Shqipërisë që është një gjerdan u çmua që ka çuditur të gjitha gazetat dhe revistat e dorës së dytë në Europë. 

Emigrantë në vendin tonë kemi kohë që jemi. Rilindja do na bëjë turistë. Si të ankohemi për këtë status të ri kaq tingëllues? 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.