Ekskluzive/Qeveria shqiptare angazhon Robert Mueller për hetimin e lidhjeve ruse të Lulëzim Bashës
Pas përfundimit të hetimit për Donald Trump, prokurori i Posaçëm, Robert Mueller do të hetojë edhe lidhjet e mundshme ruse të Lulëzim Bashës. Kërkesa i është bërë zoti Muller nga qeveria shqiptare përmes Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe ajo ka referuar për këtë letërporosinë që ka ardhur nga SHBA. Po kështu sipas burimeve nga qeveria shqiptare në dritë kanë dalë të dhëna të reja që meritojnë një hetim të pavarur.
Kështu Nick Muzin, lobisti i njohur hebreo-kanadez, rezulton që ka një rrënjë shqiptare nga Muzina e Sarandës, fshat prej nga ku ka një emigracion të vjetër të lidhur me qarqet ortodokse greke dhe ruse. Ky është një element biografik që mendohet se shpjegon edhe afeksionin e Vangjel Dules me Partinë Demokratike prej vitesh tashmë. Muzin është angazhuar nga OMONIA edhe për lobimin në Shtëpinë e Bardhë për çështjen e tokave në bregdet, ku sipas qeverisë shqiptare po zhvillohet një luftë e ashpër jo për të drejtën e pronës si të tillë, por për hapjen e rrugës së investimeve ruse përmes PD-së.
Lidhja është shumë kritike në një rajon strategjik si Ballkani dhe sidomos Shqipëria, vend që në mijëvjeçarin e fundit, përveç zhvillimeve atmosferike, ka përjetuar edhe ndikimin e fuqive të mëdha.
Burime nga qeveria shqiptare bëjnë me dije se për sa i përket asaj, dosja për Bashën është gati. Dhe ajo përmban:
- Fotografi të adoleshencës së Bashës kur ai mbante flokët në model bishtpëllumbi, ose model sllav. Kjo flet për ndikime të hershme kulturore.
- Në kohën kur Basha punonte në Rinas kamarier, mësoi rusisht përveç anglishtes.
- Aktiviteti i tij në UNMIK
- Fakti që kreu i PD-së lyen flokët me bojë të zezë për të mos zbuluar tiparet e veta origjinale.
Në cilësinë e dëshmitarëve do të sugjerohen:
- Sali Berisha, i dyshuar se që në 40 ditëshin e parë të lindjes u rekrutua nga UDB-ja.
- Flamur Noka që në vitin 1991 kaloi kufirin në ish-Jugosllavi dhe u kthye sërish
- Taulant Ballën - mund të dijë diçka
- Dy gazetarë të njohur në Tiranë
- Visho Ajazi
Në cilësinë e këshilltarit për çështjen do të thirren: një psikolog dhe një neurolog që do shpjegojnë nëse z. Basha flinte qëllimisht kur ishte në Bashki apo thjesht e zuri gjumi. Po kështu edhe një shpjegues ëndrrash dhe i përçartjes në gjumë(thonë se z. Basha fliste rusisht kur ishte në gjumë në Bashki).
PS: Erjon Veliaj ka paguar deri më tani 500 mijë euro që të dëshmojë vullnetarisht me analizën e vet intuitive që sipas tij shpjegon më së miri se përse Basha patjetër ka lidhje me rusët.
Shaptilografisti
Add new comment