Kosova reagon ndaj bizneseve shqiptare të lojërave të fatit

Ka mjaftuar një vrasje në një mjedis lojërash fati që politika kosovare të dalë me qëndrimin se ky aktivitet duhet mbyllur. Në një dalje publike, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se lojërat e fatit janë një aktivitet për të cilin ai do kërkojë mbylljen. Teknikisht kjo do të realizohet përmes një resolute të Kuvendit dhe mandej duhet miratuar në qeveri.
Fati i qytetarëve tanë nuk është Kazino e as lojërat e fatit, por është puna dhe zhvillimi ekonomik, për të cilin përgjegjës janë institucionet e Republikës të Kosovës
citohet Veseli.
I të njëjtit mendim është shprehur edhe kryeministri Haradinaj, i cili vetëm në muajin dhjetor të vitit 2018 shprehte mendim të kundërt:
Qëllimin e kemi me e vu njëfarë rendi me këto, se është tepruar me to, janë bërë si kërpudhat që kanë mbi nëpër Kosovë. Ka raste të krimit, vetëvrasjeve e problemeve dhe nuk do të vazhdoj në pakufi kështu
shprehej ai.
Duket qartë se qeveria e Kosovës për arsye të pashpjegueshme ka kaluar nga ideja e legalizmit dhe rregullimit, në atë të nxjerrjes jashtë ligjit. Ndërhyrja në këtë formë, identike me atë që bëri qeveria e Shqipërisë pak muaj më parë, krijon dyshime që në fakt pak kanë të bëjnë me problemet për të cilat flet Veseli. Më tepër ngjan se diçka ka lëvizur në tregun e lojërave të fatit në Kosovë, pas mbylljes së aktiviteteve të tilla në Shqipëri.
Revista “Monitor” raportonte në datën 1 mars se 19 biznese të kësaj fushe ishin vendosur në Kosovë. Duke patur parasysh fitimin e madh dhe lidhjen e dyshuar përherë mes këtij biznesi, botës së krimit dhe politikës, është e natyrshme të shtrohet pyetja nëse ndërhyrja aktuale e Prishtinës lidhet me “invadimin” e biznesit nga Shqipëria pas mbylljes së tyre nga qeveria Rama.
Add new comment