"Infektohet" edhe ambasadorja gjermane: Rama legjitim, njohim Lefter Maliqin me shokë

Postuar në 18 Mars, 2019 18:15

Deklaratave të ndërkombëtarëve mbi situatën në Shqipëri iu shtua edhe ajo e ambasadores gjermane në Tiranë, Susanne Schütz. Mesazhi është i qartë; Qeveria Federale sipas ambasadores njeh legjitimitetin e qeverisë si dhe të parlamentit që po rikonfigurohet pas djegies së mandateve nga opozita. 
Ashtu si kryeministri Rama u tregua i gatshëm të çojë përpara reformat me deputetët e rinj të listave pritëse, edhe ambasadorja thotë se qeveria e saj do të bashkëpunojë me Lefter Maliqin dhe të tjerët që u futën në kuvend. Ambasadorja thotë se jemi shembull unik në Ballkan për reformën në drejtësi, po mesa duket edhe përfshirja e ambasadave e të huaja në zhvillimet e brendshme në Shqipëri konfirmon veçantinë tonë për t' marrë më seriozisht nga sa duhet ambasadorët e huaj dhe konsideratat e tyre për demokracinë dhe të ardhmen tonë europiane. 

Deklarata e Plotë

Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë , në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej  dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që - edhe pse ngadalë -  reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale. Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët , por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore.

Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin  e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend.

Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve.

Comments

Submitted by x (not verified) on

Me fjale te tjera paska thene: Rrofte partia Socialiste!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.