Kur halli zgjidhet me Google Search, Braho: Sali Berisha, agjent kalibri si Kim Filbi
Sali Berisha është agjent i ish-shërbimit jugosllav dhe erdhi në pushtet me ndihmën edhe të shërbimeve franceze. Këto i thotë në një intervistë për gazetën “Dita” ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, deputet që thotë madje se Berisha është një agjent kalibri.
I justifikoj të gjithë ata që duan të dinë më shumë. Unë kam patur rastin të njoh nga afër një pjesë të njerëzve dhe dokumentacionit që lidhej me këtë dhe kam premtuar se do t’i sjell këto fakte. Por po ju them se nuk kemi të bëjmë me një agjent të thjeshtë. Sali Berisha ka qenë një agjent kalibri, një superagjent pak a shumë, i ngjashëm me Kim Filbin, apo me Esat Toptanin. Një agjent i shumëfishtë. Spiunët kanë një huq, që, pasi firmosin njëherë diku, nuk dinë të tërhiqen, por zhyten thellë e më thellë
thotë Braho.
Pas kësaj hyrjeje që mund të ketë vënë në lëvizje imagjinatën e ndonjë skenaristi, zoti Braho hyn në të thella dhe flet edhe për raporte të Sigurimit të Shtetit.
Ai është një kurban i shërbimeve të fshehta antishqiptare të cilave vazhdon t’u shërbejë edhe sot. Sali Berisha është një agjent i vërtetuar i UDB -së, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij. Sali Ram Berisha fillimisht është rekrutuar nga Sigurimi Shqiptar dhe ka përzgjedhur pseudonimin “Penicilina”. Unë disponoj dëshmitë me shkrim të ish-operativit të Sigurimit të Shtetit, Ali Anadollit, i cili e ka rekrutuar Saliun si agjent në vitin 1967. Ka rëndësi të theksohet viti, pasi në vitin 1968 Saliu është pranuar anëtar i PPSH-së për devotshmërinë e lartë që ka treguar. Në raportin e tij operativi i Sigurimit të Shtetit, shkodrani Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar Saliun fillimisht shkruan se në vitin 1962, Sali Berisha erdhi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjeksisë. Pasi mbaroi studimet u mbajt në spitalin e Tiranës si mjek kardiolog dhe më vonë si kardiokirurg. Në këtë kohë ai përgatiti dokumentet për t’u futur në Parti. Një vëlla i tij, me emrin Selim, kishte mik kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës, Idriz Shehun. Ai i kërkoi Idrizit ta ndihmonte të vëllanë për t’u pranuar në Parti. Idrizi i përgjigjet se në kushtet e Sali Berishës (me probleme në biografinë e familjes), për t’u pranuar në Parti, duhej që edhe ai ta ndihmonte shtetin me shërbime të veçanta, prandaj ai duhej takuar dhe t’i merrej mendimi nëse ishte dakord kështu.
Pas takimit me Saliun në Tiranë dhe pasi mori miratimin e tij, i vëllai (i cili sot nuk jeton, pasi ka vdekur nga zemra, dhe që ishte i vetmi person pozitiv në fisin e tyre) u kthye në Tropojë. Pas disa kohësh, bashkë me kryetarin e Degës, u nisën me makinën e tij për në Tiranë dhe u takuan me persona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët e tërhoqën Saliun në bashkëpunim, me pseudonimin “Penicilina”. Pas kësaj, iu miratua edhe kërkesa për të hyrë në Parti. Sali Berisha u studiua mirë nga sigurimi i shtetit dhe pranimi per rekrutimin e tij lidhej me ambicien e tij të madhe për karrierë.
Në atë kohë ishte rregull që dosja e kuadrit që bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit nuk ruhej në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit por nga Drejtori në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Ministri. Kur erdhi në pushtet, jo më kot, Sali Berisha e futi në burg ish- Drejtorin në Ministri, Zef Loka, një burrë i ndershëm që e kishte ndihmuar shumë Sali Berishën në zgjidhjen e çdo problemi familjar
Tani po të kërkosh me Google Search kjo histori të del kushedi sa herë. Nuk dihet se përse sillet një gjë e tillë në vëmendje, përveç faktit se z. Braho po shërben me deklarata sensacionale që janë një karikaturë e denigrimit të Kadri Hazbiut që u akuzua për agjent pasi kishte qenë për 30 vjet në detyrën e drejtuesit të Sigurimit dhe Ministrisë së Brendshme. Diçka që nuk e provon as logjika dhe as koha e për më tepër e bën të duket PS-në që ka në regjistrat e veta lloj e soj, më e vjetër dhe e rrëgjuar sesa dega e PD-së së Mamurrasit që merr pushtetin për dy orë.
Add new comment