Fasada nuk i mbulon dot problemet dhe krizën

Postuar në 07 Mars, 2019 02:03

 

24 orë televizon më televizion dhe gazetë më gazetë.

Kështu shkruan kryeministri Edi Rama për vizitën e tij në Itali që mund të quhet padyshim e pazakontë, në mos e paprecedentë. Kryetari i një qeverie shkon nga njëra redaksi në tjetrën për të sqaruar atë që mendon ai se duhet sqaruar për Shqipërinë. Me siguri që edhe Ismail Qemali kur po shpallte Mëvetësinë nuk do të ketë qenë kaq i angazhuar me gazetat që asokohe kishin ndoshta më shumë fuqi reale sesa sot.

Z. Rama është në të drejtën e tij për ta bërë këtë. Por logjika ta do se një hall i madh, shumë i madh madje, do ta ketë detyruar të bëjë një gjë të tillë nisur nga standardi i tij me mediat.

Qeveria italiane, pavarësisht se në të është Matteo Salvini, i sulmuar nga mediat pranë z. Rama, nuk ka shprehur ndonjë qëndrim publik për këtë që po ndodh në Shqipëri. Mirëpo mediat e vendit fqinj i kanë dhënë zhvillimeve të fundit një rëndësi të madhe duke transmetuar reportazhe, kronika, intervista, në të cilat z. Rama nuk ka munguar asnjëherë. Kujt ja detyron atëherë z. Rama këtë sqarim?

Nga ana tjetër kryeministri ka zhgënjyer – për mirë ndoshta – kësaj radhe kur në vend se të quante edhe mediat italiane Kazan, iu nënshtrua raportimit të tyre dhe u shkoi madje me përulje të padenjë në redaksi. Kërkoi pra të fliste për to. Z. Rama ka quajtur kazan shumë media të Perëndimit, mes tyre edhe Zërin e Amerikës, raportimet “amerikane” të të cilit tentoi t’i kompensonte dje me një dalje të papritur të ish-ambasadorit Aleksander Arvizu.

Mesa duket ai nuk mund ta luante këtë lojë me Italinë fqinje.
Në Romë është një qeveri që është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të migracionit dhe i ka hapur probleme edhe Europës në këtë drejtim. Italia ka përkrahur shumë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. Vetëm pak javë më parë ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutilio deklaroi se për mendimin e Italisë Shqipëria duhet të kishte hapur negociatat dhe se sipas tij, nëse do të bëhej një vlerësim real shumë vende anëtare nuk do t’i përmbushnin standardet.

Por pak pas kësaj deklarate shpërthyen revoltat e opozitës. Çdo vlerësim optimist dhe mbështetje humbi besueshmërinë duke vënë në diskutim edhe seriozitetin e personave që raportojnë për vendin tonë. Është evidente se dikush i ka kërkuar z. Rama që të luajë vetë për vendin e tij, qeverinë e tij, meqenëse tanimë askush nuk do djegë duart për të mbrojtur një vend që nuk stabilizohet dot. Dhe siç duket, z. Rama zgjodhi të vetmen rrugë që di: të bëjë PR dhe të shesë një pamje optimiste që ka brenda tragjikomedinë e një opozite të dështuar, përballë një Shqipërie që ka bërë ndryshime galopante, siç u pohua kjo gjë edhe nga moderatori Bruno Vespa.

Por sa mundet që fjalët të mbulojnë realitetin? Kjo varet nga publiku në Itali, apo edhe në Europë, por urgjena e kryeministrit dëshmon se atë nuk e ndihmon dot sot as qëndrimi unik i PE-së kundër opozitës shqiptare.

Ka edhe një hollësi tjetër që tradhëton dëshpërimin e tij. Në intervistën për RAI, Rama la të kuptohej se protestat mund të jenë me shtysa ekstraeuropiane dhe si provë të dyshimit të tij solli mbulimin nga RT-ja ruse të protestave. Kjo është pak të quhet një lojë e pistë dhe mjerane në përpjekjen manipuluese të saj.

Portesta e opozitës është reale. Aq reale sa madje e bëri edhe atë vetë të dukej më në fund si diçka e vërtetë për emrin që ka. Ndaj nuk është serioze për një kryeministër ta lëshojë veten në këtë mënyrë. Teza ruse dhe loja me mashtrimin për një intervistë të z. Basha me RT-në, u qarkullua nga mediat pranë z. Rama. I cili edhe pse është kryeministër, pra ka informacionin e nevojshëm, rimerr këto teza për t’i artikuluar si qëndrime zyrtare të Shqipërisë për të diskredituar dhe me shpresë izoluar si tension oborri, një kundërvënie që ka përmasë dhe potencial shumë më të madh se kaq. Dhe kryeministri i thotë këto në mediat italiane që bënë mbulim të zgjeruar të protestave!!!

Kjo është një lojë që dëshmon mendjelehtësi dhe sëkëlldi. Si e tillë mund t’i shpërthejë në dorë. Me metrin e tij të sulmit politik dhe mediatik, nuk është vetëm Lulzim Basha njeri i dyshuar i rusëve. Zbulimi mediatik shqiptar bëri objektiv të vetin një vit më parë edhe deputetin gjerman, kryetar i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian në Bundestag, Gunther Krichbaum.

Shikoni sesi u vu në lëvizje sulmi ndaj këtij të fundit për shkak të kritikave të tij kundër qeverisë të z. Rama përpara shpresës për hapjen e negociatave në prill të vitit 2018:

Më datë 18 prill përcillet deklarata e Krichbaum që solli në Shqipëri një opinion negativ për vendin tonë. Për ta izoluar efektin e saj, nuk u kursye asgjë.

19 prill deputeti gjerman del një njeri i lidhur me trafikun e fëmijëve dhe që flirton me Vladimir Putinin për të bllokuar negociatat për Shqipërinë.

Sulmi vazhdon më datë 20 prill, Krichbaum rezulton si njeri që paguhet nga Putin me synime antishqiptare.

Të gjitha këto publikuar në portalet e qeverisë shqiptare apo pranë saj. Në datën 21 prill, kur zullumi ishte trashur shumë, kryeministri zbuloi veten me një postim në Facebook përmes të cilit ndër të tjera cilësonte si kazan të gjitha mediat që kishin shkruar për deputetin gjerman se ishte njeri I rusëve.

Në datën 22 prill, pra një ditë më pas, portalet e përdorura prej tij, madje shumë keq, kryen një akt dinjiteti gjysmak duke qarkulluar një shkrim që i përmbahej akuzave për Krichbaum por me bishtin në shalë pranonte se cilësimi kazan kishte qenë fatura që duhej paguar që kryeministri të dilte i larë nga kjo histori.  

Sot kemi të njëjtën teknikë, recidiviste, me të njëtën përmbajtje dhe insinuatë, me të njëjtët aktorë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se spekullime të këtilla huazojnë gjithçka munden nga opinione të ndryshme, nga një klimë për rezikun rus duke sinkretizuar qëndrime absurde dhe qesharake që synojnë vetëm që të hutojnë dëgjuesit e huaj.

Por zotit Rama i ka rënë për barrë detyrë e vështirë. Sepse pas 16 marsit, nëse opozita do të bëjë atë që ka premtuar, nuk do të ketë më ndonjë italian që do ketë dëshirë ta dëgjojë, e jo më ta besojë. Ai duhet të mbyllë muhabetet me Lulzim Bashën dhe me këdo që të jetë, si e vetmja mënyrë që qeveria e tij të ketë ende ymër, të shtyjë ca kohë apo edhe të kapë pazarin e radhës. Ndaj edhe sfida e besimit është drejtuar nga Basha dhe opozita.

Në çdo rast “ujët e gamiljes së qeverisë Rama, po mbaron”. Dhe me shpejtësi të madhe madje. E bashkë me të po ikin edhe miqtë që nuk mund t’i besojnë më asgjë pas fasada ka rënë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.