Socialistët u votuan, por janë në opozitë

Postuar në 28 Shkurt, 2019 19:09
Gerti Vishnja

Një forcë politike ka për objektiv primar dhe maksimalist të ekzistencës së saj fitoren e zgjedhjeve dhe qeverisjen e vendit. Sipas sistemit elektoral që ekziston në Shqipëri, partitë politike përballen me zgjedhësit me listat e kandidatëve për deputetë. Janë këta të fundit që marrin ose jo mbështetjen e qytetarëve për të qenë mazhorancë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo mazhorancë e votuar nga zgjedhësit përzgjedh elitën e saj si pjesë e kabinetit qeveritar me mision përmbushjen e programit politik me të cilin ka fituar zgjedhjet.

Pushteti përfaqësohet vertikalisht nga Kryeministri, ministrat, prefektët dhe drejtorët e institucioneve qendrore e lokale. Ekziston parimi i gjithëpranuar se përfaqësuesit e votuar nga zgjedhësit, të cilët marrin përsipër të drejtojnë qeverinë dhe institucionet (pra fytyra e pushtetit), ndërtojnë një raport më të drejtë me qeverisjen për shkak se çdo dy vjet shkojnë në elektorat për të kërkuar votat. Thënë më thjesht, një përfaqësues i votuar politik e ka të pashmangshme përballjen çdo dy vjet me

votuesit ndaj do duhet të qeverisë me më përgjegjësi. Krejt ndryshe ndodh me përfaqësues jo politik të cilët marrin timonin e pushtetit: ata kanë të vetmin mekanizëm kontrollin vërtikal të atij që i emëron dhe nuk mbajnë përgjegjësi për abuzimin apo mënyrën e qeverisjes. Mungesa e llogaridhënies tek zgjedhësit i bën ata të jenë më të papërgjegjshëm.

Aktualisht qeveria ka në përbërjen e saj 15 ministra, përfshirë atë të mbetur në tentativë për Evropën dhe Punët e Jashtme. 7 prej tyre rezulton të jenë përfaqësues jo politikë të cilët nuk janë votuar nga qytetarët në zgjedhjet e fundit parlamentare në të cilat PS mori të drejtën të qeverisë vendin. Bëhet fjalë për Sandër Lleshajn, Anila Denajn, Belinda Ballukun, Besa Shahinin, Etilda Gjonajn, Eva Margaritin dhe Gent Cakajn. Në këtë listë, e vetmja që i ishte caktuar një funksion politik është Belinda Balluku e cila ishte përgjegjëse për rezultatin elektoral në ZAZ Nr.26 që përfshin Bashkinë Vorë. Në këtë ZAZ, Partia Socialiste rezultoi humbëse duke marrë vetëm 5320 vota, ndërsa PD-ja mori 5781 dhe LSI-ja 4565 vota. Kjo nuk e ka penguar aspak Ballukun që ndonëse humbëse të marrë kontrollin e një prej dy ministrive më të rëndësishme në qeveri, atë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga 26 zv.ministra të qeverisë Rama, shkëlqejnë me prezencën e tyre si uji i paktë të vetmet personazhe politike ish deputetët Petro Koçi dhe Ilir Bejtja. Të gjithë të tjerët janë njerëz të pa votuar, thjesht të emëruar. Pjesa dërrmuese, pa lidhje të mëparshme as me Partinë Socialiste dhe as të majtën.

Pushteti politik, përtej kabinetit qeveritar, ka si fytyrë të veten Prefektët e shpërndarë në 12 Qarqe. Përmes një vendimi personal të Kryeministrit Rama, qeveria kreu emërimin e prefektëve në të gjitha qarqet personazhe pa asnjë lidhje me Partinë Socialiste dhe natyrisht njerëz të pa votuar në elektorat. Në mënyrë të qëllimtë u përzgjodhën 12 ish-ushtarakë të cilëve ju besua përfaqësimi i qeverisë në nivel Qarku.

Edhe më e rëndë duket situata në nivelet e drejtuesve të institucioneve qendrore dhe lokale. Në pjesën dërrmuese të rasteve, personazhet e emëruara nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste e cila ka marrë votat për të qeverisur vendin. Në disa raste, drejtorë janë emëruar njerëz të cilët përfaqësojnë forca politike të konsideruara si kundërshtare me Partinë Socialiste. Masivisht, drejtorët përfaqësojnë ngushtësisht ish-bashkëpunëtorë të Ramës në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Paradoksal fakti që socialistët votuan përfaqësuesit e tyre në qershorin e vitit 2017 për të drejtuar qeverinë por fytyra e pushtetit, nga qeveria tek prefektët dhe më poshtë tek drejtorët sot nuk përfaqëson Partinë Socialiste.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Asgje per tu cuditur! Thuajse nje qeveri teknike, sic e kerkoi edhe opozita. Problemi nuk qendron, besoj, tek fakti se jane apo s'jane anetare te PS-s, por nese keta te rinj dine ta bejne punen e ministrit! Pasi praktika ka treguar qw te rinjte duan nje fare kohe sa t'ia marrin doren punes. Dhe kur t'ia marrin doren punes ata, behen zgjedhje te reja! Dhe pastaj nuk behet me fjale per te votuar x- apo y-parti, por behet fjala per te votuar Edin apo Lulin, sepse ministrat keshtu qe keshtu nuk jane te partive.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.