Filmi shqip në Berlinale

Postuar në 22 Shkurt, 2019 22:28

Mes një atmosfere të ngrohtë dhe festive është mbajtur edhe këtë vit Festivali i Filmit në Berlin. Rreth 400 filma janë shfaqur gjatë ditëve të festivalit që çdo vit mbahet nga 7-17 Shkurt. Dhjetëra prej këtyre filmave, pjesë e edicionit të sivjetshëm të kësaj ngjarjeje të madhe të botës së filmit kanë qenë filma nga vende të Ballkanit, si:  Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnjë- Herzegovina, Rumania, Bullgaria dhe Kosova.  Prej qindra filmave, në garën e Berlinales 2019, 24 filma të metrazhit të gjatë nga 17 vende të ndryshme të botës kanë konkurruar për Ariun e Artë dhe të Argjendtë, ndërsa u prezantuan 30 filma konkurrues në seksionin e Berlinale Shorts. Këtë vit në krye të jurisë ndërkombëtare ishte aktorja franceze dhe fituesja e çmimit Academy Award, Juliette Binoche.

Por çfarë rëndësie ka për kineastët shqiptarë të Kosovës pjesëmarrja në Berlinale, për më tepër duke qenë pjesë e garës përkrah filmave të ndryshëm nga gjithë bota?!

KOSOVA PËR HERË TË PARË NË GARËN E BERLINALES

Industria e filmit në Kosovë debutoi në Berlinale me filmin me metrazh të shkurtër “Në Mes”, një film që përshkruan marrëdhëniet midis vëllezërve dhe çështjes së migracionit. Frymëzuar nga projekti i fotografisë Vëllezërit Kosovarë, në të cilin Karahoda punoi në vitin 2011, filmi trajton dy tema paralele: fenomenin e vëllezërve kosovarë që ndërtojnë shtëpi identike dhe atë të migracionit, një çështje që ka ndikuar thellë në shoqërinë kosovare.

Karahoda analizon marrëdhënien dhe solidaritetin mes vëllezërve, sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve të tyre për të ruajtur harmoninë brenda familjes, kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës. Filmi, i realizuar në mënyrë të thjeshtë dhe shumë delikate vjen në një kamera të ngadaltë dhe plot art, ndërsa historia e tij edhe pse rajonale ka një kontekst universal.

Ndërkohë është për t’u nënvizuar edhe se "Në mes" është një film dokumentar me metrazh të shkurtër.

Pjesëmarrja për herë të parë në Berlinale e Kosovës nuk është një rastësi, por pjesë e një rrugëtimi në të cilin Shqipëria dhe Kosova kanë filluar ndër vite. Për më tepër një pjesë e mirë e filmave të shkurtër të regjisorëve të rinj nga Kosova po njohin sukses këto vitet e fundit në festivale prestigjiozë në të gjithë botën.

Një shembull i këtij suksesi është edhe regjisorja More Raça, e cila këtë vit ishte pjesë e festivalit në kategorinë e Berlinale Talents.

BERLINALE TALENTS 2019

Rreth 100 aktivitete të ndryshme dhe 250 talente të rinj të përzgjedhur, filma, të ftuar të rëndësishëm nga industria e filmit dhe audienca lokale e Berlinit ishin pjesë e Berlinale - Talents të këtij viti, tema e të cilit “Gabimet”, synonte të sillte një perspektivë unike mes pjesëmarrësve në këtë kategori, duke mos vënë theksin te dështimet në botën e filmit, por tek bisedat e ndershme që sjellin si rezultat impuls për ndryshim në botën e filmit dhe në kulturë.

Rreth 20 ish-studentë të njohur të Berlinale Talents këtë vit ishin kthyer si mysafirë, duke përfshirë Adina Pintilie dhe regjisorët David Lowery, Guy Nattiv, Teona Strugar Mitevska dhe shumë të tjerë. Në program, ata qëndrojnë krah për krah me mysafirë të spikatur nga programi i Berlinales, si marrësi i Ariut të Artë të Nderit të këtij viti, Charlotte Rampling, si dhe regjisorët në konkurim André Téchiné dhe Nadav Lapid, i cili fitoi edhe çmimin e madh të Berlinales këtë vit. Roberto Saviano, romani i të cilit ishte baza për skenarin e filmit me regji të Claudio Giovannesi, “La paranza dei bambini” dhe që fituan së bashku me Ariun e Argjendtë për Skenarin më të mirë iu bashkua gjithashtu me Berlinale Talents për një diskutim të rrallë publik.  Një qasje të veçantë këtë vit, Festivali i Filmit në Berlin i kushtoi barazisë gjinore dhe diversitetit.

GRATË NË KINEMATOGRAFI

Kjo qasje është e dukshme edhe në aktivitetet e Berlinale Talents. Në këtë kontekst një kineaste e re ka bashkëiniciuar një nismë për gratë kameramane dhe tani do të jetë në gjendje të krijojë një rrjet me iniciativa të ngjashme në Berlin. Edhe regjisorja e re More Raça mendon se vëmendja ndaj grave dhe problemeve të tyre është diçka e prekshme në industrinë e filmit.

Raça vetë në filmat e saj trajton pikërisht këto tema dhe problematika që në qendër të kanë gratë. Sipas kreut të Qendrës Kinematografike të Kosovës, rritja e përfshirjes së grave në botën e filmit dhe kinemasë në Kosovë është tepër e ndjeshme dhe ka sjellë rezultate pozitive.

SHQIPËRIA DHE KOSOVA NDËR VITE NË BERLINALE

Shqipëria dhe Kosova janë çdo vit pjesë e Festivalit të Filmit në Berlin përmes European Film Market, ku përfaqësohen në një stendë të përbashkët.  Nuk kanë munguar ndër vite as filmat shqiptarë apo me histori shqiptare, që janë shfaqur në programe të ndryshme të festivalit, por me filmin "Në mes" është hera e parë, që Kosova bëhet zyrtarisht pjesë e garës së Berlinales. Në vitin 2015 në konkurrencë zyrtare për “Ariun e Artë” ka qenë filmi “Burrneshat” me regji të italianes Laura Bispuri dhe skenar të Bispurit dhe Francesca Manierit, me produksion tw “EraFilm”, i xhiruar në Shqipwri, me aktorë nga Shqipwria dhe Kosova, ndërsa suksesi më i madh shqiptar në këtë festival është shënuar me filmin "Falja e gjakut" në vitin 2011. Filmi  me skenar të Andamion Murataj dhe Joshua Marston dhe regji të këtij të fundit fitoi Ariun e Argjendtë të Berlinales për skenarin më të mirë, duke shënuar kështu një hap pozitiv për kinemanë tonë.

Por, ndërkohë që kinematografia në Shqipëri dhe në Kosovë vijon të përballet me sfida të ndryshme dhe nuk mungojnë as sukseset shtrohet pyetja se si kineastët mund të sjellin më të mirën e tyre, shpesh edhe brenda kufizimeve të ndryshme...

E ARDHMJA, SERIALET TELEVIZIVE?!

Për të përfunduar, prodhimtaria kinematografike edhe në hapësirën shqiptare po njeh disa suksese të rëndësishme, por është e nevojshme që ajo të përshtatet me kohën dhe pse jo të hulumtojë më tepër brenda realitetit tonë, për të sjellë histori të veçanta dhe origjinale, duke u përpjekur të kapërcejë kufizimet financiare dhe të krijojë më tepër bashkëpunimeve në rajon dhe më gjerë.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.